Zëdhënësi i Qeverisë demanton raportimet e Rakiqit për hyrje në veri të Forcave Speciale - NACIONALE

Zëdhënësi i Qeverisë demanton raportimet e Rakiqit për hyrje në veri të Forcave Speciale

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka demantuar zërat e ish-ministrit Rakiq për kinse planifikim për hyrje të Forcave Speciale të policisë sonë në veri të vendit.

Sipas tij, shpifje të tilla kanë për qëllim “arsyetimin dhe mirëmbajtjen e barrikadave në veri të vendit”, të cilat “duhet të largohen menjëherë”.

“Absolutisht e pavërtetë. Ftojmë qytetarët tanë në veri që t’i ndjekin njoftimet dhe t’u besojnë institucioneve tona dhe të mos bien pre e dezinformimit të grupeve kriminale, që synim kanë ta mbrojnë vetëm veten”, tha ndër të tjerash Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Mediat serbe kanë alarmuar me raportimet së fundi, duke pretenduar se sonte pritet të ndodhë një aksion i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, në veri, të cilin po e konsiderojnë si “fillim të një lufte”. Qeveria deri më tani, nuk ka reaguar në lidhje me këto raportime, pavarësisht se i është kërkuar një koment nga Gazeta Nacionale.

Ka qenë fillimisht mediumi “Kosovo-Online” që ka cituar një deklaratë të Goran Rakiq, ish-ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverin Kurti, duke thënë se po përgatitet një “kaos” në veri të Kosovës.

Siç citohet kryetari i Listës Serbe, ai ka thënë se: “Në bazë të informacioneve që kemi, Albin Kurti sonte do të dërgojë njësinë speciale të armatosur dhe njësi të tjera në veri të Kosovës për të përndjekur popullin serb dhe për të kryer Stuhinë (Operacioni i famshëm Olluja)”.

Lajme të ngjashme