“Yes, Thaqi”, skandali që na iku: Harrojani anglishten, ambasadori Kapiti e sakaton edhe shqipen - NACIONALE

“Yes, Thaqi”, skandali që na iku: Harrojani anglishten, ambasadori Kapiti e sakaton edhe shqipen

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, Ilir Kapiti, mori vëmendje të mërkurën, jo për ndonjë arritje të konsiderueshme diplomatike, por për disa gabime elementare në një fjali të tij në anglishte. Megjithatë, skandali nuk përfundon këtu. Ai është më i thellë.

Përpos që nuk diti të shkruante një fjali anglisht pa gabime, Kapiti duket se ka probleme serioze edhe me drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Kjo merret vesh lehtësisht përmes leximit të shkrimeve të tij në rrjete sociale. Gazeta Nacionale ka identifikuar disa gabime të rënda, të cilat janë paraqitur në tekstin e mëposhtëm.

Në një shkrim të publikuar më 20 janar në rrjetin “Facebook”, Kapiti ka futur dy fjalë krejt pa lidhje brenda fjalisë së tij – “yes, Thaqi”. Është e qartë se këto fjalë nuk e kanë vendin në këtë fjali, por nuk është e qartë nëse ambasadori ynë i lexon dy herë shkrimet e tij para ose pas publikimit. Do të duhej.

Tri ditë më herët, më 17 janar, Kapiti e përkujtoi në rrjete sociale përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Megjithatë, ai e shkroi gabimisht mbiemrin “kombëtar”.

Vitin e kaluar, në gusht, Kapiti “harxhoi” pa nevojë një “ë” në foljen “mirëpres”, kur njoftoi se ishte takuar me ambasadorin austriak, Bernhard Wrabetz.

Si në gjuhën angleze, duket se ambasadori e ka të njëjtin problem edhe në gjuhën shqipe: përshtatjen e emrit dhe foljes në numër. Në një fjali, ai e përdor gabimisht foljen “preokupon” në njëjës për togfjalëshin në shumës, “çështje të ndryshme”.

Në një shkrim tjetër, ambasadori ynë në Londër nuk ka ditur t’i shkruajë si duhet as mbiemrin “vendimmarrës”, as foljen “falënderova”, e aq më keq, as emrin e shtetit ku shërben si ambasador. Shkroi “Mbretërine”.

Si duket, Kapiti nuk e njeh mirë as kohën e kryer të thjeshtë, sepse e shkroi në të tashmen foljen “vizitoj” në një shkrim për vizitën e David Cameron-it në Kosovë. Shkroi edhe “u shoqerua” në vend të “shoqërua”.

Më 4 janar, ambasadori Kapiti nuk ia shkroi si duhet as pozitën zyrtare Camero-it. Në vend se të shkruante “Punë të Jashtme”, shkroi “Punë të Jashtëm”. Mbiemrin “britanikë” e shkroi me shkronjë të parë të madhe.

Në një shkrim tjetër, më 4 gusht 2023, Kapiti nuk e shkroi si duhet foljen në mënyrën lidhore, në vetën e tretë, “të ndryshojë”.

Ishte bërë lajm i madh një mbishkrim në një kupë futbolli, ku shkruhej “fudbollit”. Edhe Kapiti bëri një gabim të ngjashëm në qershor të vitit të kaluar, duke shkruar “turneun fudbollistik”.

Shpresojmë që përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në Britani të Madhe t’u kushtojnë më shumë rëndësi e vëmendje shkrimeve të tyre zyrtare në rrjete sociale, sepse gabime të tilla nuk i bëjnë nder vendit tonë./Nacionale

Lajme të ngjashme