VV nis fushatën me (ri)ndërtimin e Xhamisë së Ibrit, para dy muajsh 51 deputetë votuan kundër përfshirjes në buxhet
Para katër muajsh Albin Kurti i Vetëvendosjes fushatën zgjedhore në Mitrovicë e hapi me një premtim zgjedhor: (ri)ndërtimin e Xhamisë së Ibrit.
Zgjedhjet i fitoi me rezultat të thellë dhe qeverinë e themeloi shpejt.
Por, në buxhet, aty ku reflektohet edhe në ligj dhe zbatim, nuk e përfshiu.
Për më tepër, 51 deputetë të partisë së tij votuan kundër, dhe 6 absteuan, ndaj amandamenteve të propozuara nga Eman Rrahmani, i linjës ish-konservatore të VV-së, tash në PDK, për të përfshirë mjetet në buxhet të vitit 2026 për ndërtim të Xhamisë së Ibrit.
“Amandamentimi ka të bëjë me ndërtimin e Xhamisë së Ibrit, që besoj që paraqet edhe vullnetin politik edhe të vetë KM sepse gjatë fushatës ka premtuar që kjo xhami do të ndërtohet, ndaj bëj thirrje ta votoni të gjithë,” pati thënë ai në seancë të 20 shkurtit. Propozimi nuk i kaloi, me vetëm 21 vota.

Tash, me Kuvend të shpërbërë dhe zgjedhje të reja të shpallura, Albin Kurti, i është kthyer si gjëja e parë për ta “hapur” fushatën zgjedhore.
Priti myftiun Naim Tërnavën dhe nënshkroi Memorandum Bashkëpunimi për ndërtim të asaj xhamie.
“Xhamia e Ibrit, e ndërtuar në vitin 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999, do të rindërtohet.... Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999,” shkroi Kurti.
Nuk shkoi gjatë reagimet erdhën në varg nga vartësit e Albin Kurtit, të cilët e shfrytëzuan këtë njoftim për të nisur edhe fushatat vetanake, kryesisht deputetë që vota kërkojnë në Mitrovicë.
“Amaneti i Mulla Milazimit, që së shpejti po bëhet realitet,” u lajmërua menjëherë ish-deputeti dhe ish-kryetari i Mitrovicë, Agim Bahtiri, me një fotografi nga lokacioni ku gjendej xhamia e djegur nga forcat serbe.
“Gjatë gjithë këtyre viteve, asnjëherë nuk e humbëm shpresen se kjo xhami do të rindërtohet dhe do të na bashkoj sërish zemrat e imanin tonë. Madje edhe në negociatat e Brukselit (2015), isha shumë këmbëngulës që parcela e kësaj Xhamie të mbetët e paprekur, sepse pala serbe dhe BE vazhdimisht inicionin ide që në emër të “paqës”, ta shfrytëzonin këtë parcelë për ndërtimin e një fushe tenisi,” tha ai.
Edhe ish-deputetja nga Mitrovica, Arjeta Feza, ia tha një fushateje personale vetes për këtë xhami.
U lajmërua nga Mitrovica me një video promovuese.
S’vonoi shumë as i angazhuari efektivisht me orar të plotë i marrëdhënieve të Vetëvendosjes me publikun, Xhevdet Pozhari, për t’i urura “besimtarët” që “ta gëzojnë.”
“Xhamia e Ibrit do të rindërtohet! Ta gëzojnë besimtarët!,”
Por, një mbështetës po ashtu i kategorisë së lartë të Vetëvendosjes, kësaj here ishte kundër: Tomë Gashi.
Ai e quajti “gabim” nisjen e fushatës nga Albin Kurti me ndërtim të një xhamie.
“Gabim o Albin! Ne shtetin tone laik fushata duhet me u koncentru ne ndertim te shkollave , spitaleve, fabrikave e me sy nga Shqiptaria e jo me ndertim te kishave e te xhamiave!,” tha ai.