PDK dhe Aleanca vazhdojnë protestën: Adresa e vetme e bllokadës është Albin Kurti
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ata të Aleancës kanë vazhduar protestën para Qeverisë së Kosovës.
Për të 27 ditë me radha, ata janë vendosur para Kryeministrisë duke kërkuar konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit dhe përfundimin e krizës institucionale. Ata kanë bërë me dije se sërish sot në ora 11:00 do të shkojnë në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Në adresimin e tyre për media ata kanë bërë me dije se fajtori i vetëm për këtë bllokadë është lideri i VV-së, Albin Kurti.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka bërë me dije se Kosova gjendet në një krizë për shkak të liderit të VV-së, Albin Kurti.
Në një prononcim për media, ai ka thënë se ndërtesa qeverisë është uzurpuar.
“Edhe sot bashkë me kolegët e Partisë Demokratike të Kosovës, të Aleancës dhe asamblistë kemi ardhur për të dalë sërish para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për të përçuar mesazhin te qytetarët e Kosovës se kjo ndërtesë e qeverisë është uzurpuar, është okupuar nga një deputet i cili që nga viti 2025 e mban Kosovën peng, e mban Kosovën në kriza të vazhdueshme dhe kriza është e shumefishtë”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Jemi në një krizë kushtetuese më të thellën që nga historia e Kosovës, jemi në një krizë politike më të thellën që nga paslufta në Republikën e Kosovës, jemi në një krizë ekonomike, në një krizë edhe me aleatët tanë.Qeveria e Kosovës e ka pasur një buxhet prej 4 miliardë euro. Sot jemi në shtator. Ku janë këto para? Ku kanë shkuar këto para? Pra nuk kemi asnjë projekt, nuk kemi asnjë projekt në shëndetësi, asnjë projekt në infrastrukturë, asnjë projekt në fushën e arsimit dhe jemi në një kolaps total”, ka shkruar ai.
Edhe deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet sa më shpejt.
Dujke përmendur sfidat më të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës, ajo ka thënë se Albin Kurti po ik nga përgjegjësia.
“Ashtu siç e tha edhe kolegu ynë, bashkë me deputetët e PDK-së dhe ne Aleanca, po dalim çdo ditë këtu në aksione simbolike për të marrë vëmendje dhe për të kërkuar që t’i kthehemi institucioneve, që t’i kthehemi kushtetutshmërisë.Përderisa në çdo sektor kemi ngecje, ne duhet të ballafaqohemi me probleme të tjera sepse njeriu i cili ka fituar zgjedhjet nuk i kthehet institucioneve, nuk e konstituon Kuvendin dhe e ka çuar vendin në një bllokadë”, ka thënë ajo derisa ka marrë pjesë në pritësen e dy partive opozitare para Qeverisë.
Sipas saj, Albin Kurti është adresa e bllokadës institucionale.
“Përderisa fëmijët ballafaqohen me sigurinë e testeve shkollore, me komplikimin që e ka bërë Ministria e Arsimit, përderisa shkollat kanë filluar procesin mësimor pa ditarë në shkolla, përderisa të sëmurët dhe pacientët na drejtohen për shkak se nuk ka barna në onkologji dhe në sektorët e tjerë dhe detyrohen t’i blejnë — dhe e dimë që e kanë një kosto të lartë buxhetore —, përderisa Ministria e Shëndetësisë ka vite që s’ka hapë konkurs për pranimin e specijalizantëve të cilët kërkojnë që të avancohen në shëndetësi në drejtimet përkatëse, domethënë e kemi një bllokadë totale.E kemi një bllokadë totale dhe arsyeja që po dalim, kërkojmë që ta zhbllokojmë këtë bllokadë të cilën qëllimshëm po e shkakton Albin Kurti. Adresa e kësaj bllokade, adresa e së keqes së këtij vendi është Albin Kurti“, është shprehur Kadrijaj.
Protesta e sotme është mbështetur edhe asamblistët e të dy partive nga Prishtina.
Asamblisti në Komunën e Prishtinës, Yll Muriqi, ka treguar arsyet e pjesëmarrjes në këtë protestë.
“Sërish jemi mbledhur para jush për të kërkuar llogari nga deputeti Albin Kurti, i cili e ka sjellë vendin në bllokadë totale. Ne e dimë që institucionet nuk po funksionojnë, vendi është paralizuar dhe të gjitha këto probleme qytetare vetëm po vijnë duke u grumbulluar. Në vend që në këtë kohë institucionet të funksionojnë, ne kemi komplet situatën e paralizuar dhe në vend që të kemi përgjegjësi, ne kemi arsyetime. Në vend të zgjidhjeve, ne kemi domethënë vetëm propagandë. Kosova nuk mund të mbahet peng nga paaftësia e një njeriu kokëfortë siç është Albin Kurti, i cili nuk di të qeverisë“, ka thënë Muriqi.