Vrull largimesh nga LVV-ja - A po krijohet një tjetër “PSD”? - NACIONALE

Vrull largimesh nga LVV-ja - A po krijohet një tjetër “PSD”?

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Lëvizja Vetëvendosje po mban zgjedhjet e brendshme. Por jo gjithçka po shkon ashtu siç duhet, pasi që ditëve të fundit ka pasur një vrull dorëheqjesh nga ky subjekt. Fillimisht Doarsa Kica – Xhelili, u largua krejt nga Grupi Parlamentar i LVV-së, për t’u pasuar nga zyrtarë të tjerë që lëshuan strukturat e partisë. Por përveç dorëheqjeve, bëhet fjalë edhe për “eliminime” të kandidatëve, kryesisht, për kryetar të degëve.

Partia në pushtet po ua mohon aktivistëve të saj të drejtën për kandiduar për kryetar të qendrave, ani pse ky subjekt thotë që secili anëtarë ka të drejtë që t’i hyjë garës.

Përveç kësaj, janë konfirmuar edhe dorëheqje të shumta nëpër degë të partisë, duke ngritur pikëpyetje se po shfaqen pakënaqësi të reja.

A po shohim përçarjen e madhe të radhës në LVV?

Analistja Zana Avdiu i tha gazetës Nacionale se këto dorëheqje, tregojnë se partia në pushtet ka telashe dhe se ikjet, tregojnë për pakënaqësi rreth mënyres se si VV po udhëheqë vendin.

“Vetlargimi nga pozita drejt opozitës, tregon që partia në pushtet ka telashe të mëdha. Ikjet janë për arsye të pakënaqësive se si po qeveriset vendi nga kryesia e LVV-së. Arsye tjetër mund të jenë interesat personale të të larguarve. Pres largime të tjera, madje edhe nga radhës e deputetëve. Do të ketë një PSD-së tjetër, por këtë herë, ikjet do të kenë ndikim më të madh se sa që kishin anëtarët e PSD-së”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, për këto dorëheqje, foli edhe zyrtari i Partisë Sociademokrate, Bardh Ahmeti. Ky i fundit, i përmendi Nacionales edhe eliminimet e kandidatëve të cilët kanë pasur më shumë potencial.

“Madje është hera e parë, qe vet Kurti ka ndërhy në largimin e një kandidati në Prishtinë, Arbër Vokrrit duke e takuar atë në zyrën e kryeministrit. Ata që janë eliminuar nuk kanë marrë asnjë arsye nga organet e partisë. Kryesisht po largohen aktivistë të vjetër që kanë kontribu gjatë, ndërsa po favorizohen oportunistët si Armend Muja në Mitrovicë e Shpejtim Bulliqi në Podujevë. Kjo është shenjë e qartë e mungesës së demokracisë brenda partisë se Kurtit dhe jashtë saj, në qeverisjen e tij. Kurti dëshiron kontroll absolut. Prandaj kryetarët e degëve do të jenë vetëm instrumente në dorën e liderit suprem”, tha Ahmeti.

Lidhur me dorëheqjet, Nacionale bisedoi edhe me analistin Xhevdet Pozhari, i cili na tha se është proces nëpër të cilin kanë kaluar të gjitha partitë politike.

“Në rrethana dhe për shkaqe të ndryshme, në secilin subjekt politik ka pasur pakënaqësi dhe individë të caktuar e kanë provuar fatin në rrethana të reja politike. Për hir të së vërtetës duhet thënë se në rastet e kalimeve nga njëra parti në tjetrën, më shumë ka pasur individë të dështuar sesa të suksesshëm. Kjo për shkaqe të ndryshme, e mbi të gjitha ngaqë elektorati është mësuar t'i shoh nën ambrellën e një partie të caktuar”, tha ai.

Pozhari mes tjerash për Nacionalen, theksoi se dorëheqje të tilla kanë ndodhur në VV edhe në të kaluarën, por se do të ndodhin edhe në të ardhmen.

“Pakënaqësitë brenda një grupi të caktuar veçanërisht bëhen më të theksuara kur ajo parti rritet. Bashkë me rritjen e partisë, shtohen edhe apetitet e grupeve, individëve. Veçanërisht kur synojnë një copë nga kulaçi i pushtetit, përplasja e interesave të caktuara shkakton edhe dorëheqje. Dhe, Vetëvendosja sot ka thuajse pushtet absolut politik. Është rritur shumë krahasuar me ciklet e kaluara zgjedhore. Natyrshëm, individë të caktuar kërkojnë më shumë pushtet aty ku ju jepet mundësia. Në momentin që nuk e arrijnë qëllimin, atëherë e konsiderojnë edhe mundësinë e daljes nga partia. Disa që janë bashkëngjitur më vonë edhe mund të ndjehen se nuk përkasin në ideologjinë e majtë të kësaj partie. Të tjerë mund të zhgënjehen pse më shumë përparësi ju jepet "parashutistëve" sesa atyre që janë marrë me aktivitete politike qysh në fillimet e Vetëvendosjes”, tha ai.

Në të dyja rastet, sipas analistit Pozhari, përballë e kanë kryeministrin Kurti.

“Si kryetar i suksesshëm që e ka çuar këtë subjekt drejt fitores, sigurisht që autoriteti i tij mbetet i palëkundur nga pakënaqësi të cilat lënë gjurmë edhe më të vogla sesa PSD-ja në të kaluarën”, tha ai për Nacionalen.

Dorëheqjet e “eliminimet”

Një ditë me parë, mjeku i njohur nga Lipjani, Fitim Meziu, i cili ka thënë se nga e premtja nuk do të jetë pjesë e partisë që drejtohet nga z. Kurti.

Meziu mbante edhe funksionin e asambleistit në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, por ka dhënë dorëheqje edhe nga kjo pozitë, si asambleisti më i votuar i partisë.

Përveç këtij, janë konfirmuar edhe dorëheqje të tjera në degën e partisë në Lipjan.

Disa të tjerë, nuk po kanë nevojë të dorëhiqen, ata po eliminohen.

Bedri Maqastena, është aktivisti fundit të cilit i është mohuar e drejta për të garuar për kryetar të Qendrës së LV-së në Podujevë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky vendim është skandaloz dhe jo demokratike, duke shtuar se ka plotësuar të gjitha kriteret për këtë garë.

Dje ndërkaq, Maqestena tha se janë mbi 20 aktivistë në Podujevë, të gatshëm të japin dorëheqje në rast të refuzimit të kandidaturës së tij.

Ditë me parë, gazeta Nacionale ka raportuar se brenda kësaj partie tashmë janë bërë një mori eliminimesh në garën për zgjedhje të brendshme.

Madje, disa aktivistë i kanë treguar edhe publikisht që janë eleminuar në këtë garë në mënyrë të padrejtë.

“Cili është qëndrimi juaj për Projekt-Kodin Civil?” – është pyetja që raportohet se po iu shtrohet kandidarëve për kryetarë qendrash të Lëvizjes Vetëvendosje. Nënpyetja është nëse pranohen ose jo bashkëjetesat mes personave të seksit të njëjtë, për t’i hapur derën martesave të seksit të njëjtë në të ardhmen.

Kjo është konfirmuar edhe nga Beni Kizolli, kandidat për kryetar të Qendrës së Vetëvendosjes në Prizren, por edhe nga Shkëlzen Bislimi, kandidat për kryetar të Qendrës së Vetëvendosjes në Lipjan.

Ky i fundit, madje nuk ngurroi ta etiketonte subjektin në të cilin bënte pjesë edhe si organizatë islamofobësh.

Unë nuk mund të qëndroj në një organizatë ku nuk respektohen bindjet fetare, një organizatë islamofobësh.” – ka thënë Bislimi.

Shembullin e Bislimi e ndoqi edhe aktivisti tjetër nga kjo komunë, Fadil Spahiu që përmendi fushatë denigrimesh në partinë e tij.

Lajme të ngjashme