"Vrasje, pula": Qysh analistët pro Kurtit i sulmuan Thaçin e Veselin për paraqitjen në Hagë?
Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë prapa grilave. Këtë javë, ata u paraqitën para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, që edhe shënjoi nisjen e gjykimit ndaj tyre e Rexhep Selimit e Jakup Krasniqi. Përkundër burgosjes e përballjes me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit, analistët e afërt me Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës, e VV-në, nuk kanë "agjëruar" në sulmet ndaj Thaçit e Veselit. Çka ndodhi?
Ndonëse procesi në Kosovë njihet me emrin e gjithëpranuar si "gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së", një analist me emrin Sadri Ramabaja, nuk e pranon një cilësim të tillë.
Në një intervistë për një medie gati të panjohur në Shqipëri, Ramabaja deklaroi se Thaçi e Veseli nuk janë krerët e UÇK-së.
“Sepse njëri prej themeluesve të UÇK-së ishte Adem Jashari dhe jo Hashim Thaçi.” – theksoi ai, duke insistuar se katërshja në Hagë nuk kanë qenë krerë të UÇK-së.
Ramabaja më pas e theksoi se nga katërshja në Hagë, vetëm Thaçi e Veseli nuk janë ish-krerë të UÇK-së. Madje këta dy të fundit, Ramabaja i akuzoi edhe për kumtesa, përmes të cilave janë përndjekur e vrarë kundërshtarë politikë.
“Kjo trup, e ashtuquajtur krerë të UÇK-së, respektivisht Hashimi me Kadriun, janë ardhur deri në pozicionin të mos i pranojnë as kumtesat që i kanë shkruar vetë, sepse përmes atyre kumtesave, de facto kanë prodhuar kundërefekte politike. Për shkak të disa prej kumtesave, janë përndjekur dhe vrarë kundërshtarët politikë realisht, oponentët real politikë, duke filluar nga udhëheqësi politik i LPK-së e deri te zyrtarë të LDK-së për të cilët u dëshmua se janë malltretuar 12 sosh në Drenicë” – deklaroi ai, teksa e përmendi edhe komunikatën 59.
Analisti tjetër pro qeveritar, Shkëlzen Gashi ka thënë në emisionin “Pressing” të T7, se paraqitja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gjykatën Speciale të Hagës nuk ishte dinjitoze.
Gashi sulmoi brutalisht trashëgiminë e ish-krerëve të UÇK-së, duke i krahasuar – natyrisht – me Albin Kurtin.
“Unë isha i skandalizumë me mbrojtjen që e kishin këta. Dmth shkunë edhe e mohunë deri edhe se kanë qenë në pozita drejtuese t’UÇK-së. Që ishte absolutisht skandaloze. Dhe le që... po qysh s’e mohunë? Tha që nuk ka qenë tha ky... Shtabi i Përgjithshëm s’ka ekzistu tha– tha z. Gashi.
“Me pas nis kështu Albin Kurti n’Pozharevc ish dashtë me thanë unë e njoh gjyqin e Serbinë, unë e njoh Serbinë, Kosova është zemra e Serbisë. Liromëni tash. Po cari u shku aty e ka thon “nuk e njoh këtë gjyq unë”. Ka thon “unë e njoh veç gjyqin e Republikës së Kosovës”. Qashtu mbrohet Kosova. Qashtu mbrohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. E jo kështu. 22 vjet si skiftera këtu. Tash shkojnë aty, as pula jo, zogj.” – u shpreh z. Gashi.
Edhe analisti i afërt me Vetëvendosjen, Dibran Hoxha në “Debat Plus” tha se për 20 vjet jemi rritë me të pavërteta për UÇK-në.
“Na jemi rrite me mitin dhe glorifikimin e UÇK-së, si një ushtri mirë e organizume dhe e strukturume që i ka bë ballë Serbisë”, tha Hoxha.
Këto qëndrime të analistëve të afërt me qeverinë, politologu Shkodran Ramadani thotë se janë një inxhiniering politik i Vetëvendosjes.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Ramadani tha se kjo është një sulm nën brez i Vetëvendosjes, përmes pinëve të saj propagandistikë ndaj ish-liderëvë të UÇK-së.
“Ky është një inxhiniering politik i Vetëvendosjes, që han me dy lugë: në njërën anë sulmon ulët e nën brez përmes piunëve të saj propagandistikë, e në anën tjetër mbrohet përmes disa figurave tjera sa herë që përballet me presion për të dalë në krah të krerëve të UÇK-së në. Në njërën anë i sulmon ata duke i quajtur “pula e zogj”. Në anën tjetër e sulmon LDK-në që të deklarohet për viktimat e UÇK-së. Me këtë strategji synon të merr vota edhe prej PDK, edhe prej LDK. Është një strategji elektorale për të ndalur rrjedhjen e votave tek PDK e LDK. Një tjetër dëshmi që tregon se kjo parti nuk ka asnjë kufi moral e kombëtar. Ndërkohë, që sa herë përballet me presion për t’u deklaruar për Hagë, ata pastaj mbrohen përmes figurave si Glauk Konjufca. Pra, është e ditur që në VV ka njerëz anti UÇK dhe pro UÇK, mirëpo është krejtësisht e qartë që i vetmi krah i zëshëm e aktiv në propagandë është krahu anti-UÇK, që po e formëson diskursin publik në Kosovë, derisa krahu pro UÇK është në sfond, i heshtur dhe vjelës i fryteve që sjell krahu anti UÇK”, tha Ramadani.


