Albini car, këta as pula: Pse Shkëlzen Gashi përçmoi kaq rëndë ish-krerët e UÇK-së në Hagë? - NACIONALE

Albini car, këta as pula: Pse Shkëlzen Gashi përçmoi kaq rëndë ish-krerët e UÇK-së në Hagë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi, ka bërë mbrëmë disa pretendime në debatin televiziv “Pressing” që janë bërë virale në rrjete sociale. Çka ka thënë z. Gashi?

Analisti televiziv Gashi ka bërë me faj ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë për mënyrën se si kanë zgjedhur të mbrohen në Hagë nga akuzat e Zyres së Prokurorisë Speciale.

Dhe, prej këndej e tutje Gashi duket se ka zgjedhur propagandën si mjet për të marrë sa më shumë mbështetje nga kundërshtarët e shumtë të Thaçit dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së.

UÇK-ja ka bo krime sipas mbrojtjes së Thaçit

Një nga pretendimet më të forta të bëra nga ana e z. Gashi në këtë emision është se avokati (nuk përmendi nëse Keohe ose Mishetiq) i Thaçit kishte thënë se UÇK-ja kishte bërë krime.

“...seni ma i tmerrshëm aty është që avokati i presidentit Thaçi e pranon – thotë po, madje ai nuk thotë individë thotë UÇK-ja ka kry krime – thotë klienti jem thotë nuk ka qenë i përfshimë këtu. Thotë UÇK-ja.” – u shpreh z. Gashi, por pa e cituar në mënyrë të drejtpërdrejtë avokatin e Thaçit.

Nacionale e ka përcjellur seancën por nuk ka arritur ta gjejë një deklarim të tillë eskplicit nga z. Koehe apo nga z. Mishetiq që thotë se UÇK-ja ka bërë krime. Ata kanë përmendur se ishin disa individë të cilët mund të kishin kryer krime në shenjë hakmarrjeje, gjë të cilën e ka thënë edhe Thaçi tash e më shumë se një dekadë.

“... tash avokati i presidentit po del edhe po thotë që UÇK-ja ka bo krime...” – vazhdon përsëri Gashi, dhe për çudi nuk sfidohet as nga panelistët e tjerë.

Albin Kurti car, këta zogj

Në një shprehje të paparë mllefi, z. Gashi e konsideron ‘car’ kryeministrin Albin Kurti ndërsa i konsideroi ‘as pula jo, zogj’ ish-krerët e UÇK-së që ndodheshin në Hagë. Një portretim i tillë bazohet përsëri te mënyra se si këta po mbroheshin.

“Unë isha i skandalizumë me mbrojtjen që e kishin këta. Dmth shkunë edhe e mohunë deri edhe se kanë qenë në pozita drejtuese t’UÇK-së. Që ishte absolutisht skandaloze. Dhe le që... po qysh s’e mohunë? Tha që nuk ka qenë tha ky... Shtabi i Përgjithshëm s’ka ekzistu tha. Drejtoria... kurrfarë pushteti s’kena pasë. Tani jo s’jena na n’Kosovë. A po kupton? Po kjo është kjo është e turpshme. E mohon krejt dhe mandej për ma keq krejt përgjegjësinë ia delegojnë Zyres t’UÇK-së dhe Adem Demaçit. Ajo u kon zyra ma e randësishme. Na s’kena pasë kurrfarë pushteti...” – thotë z. Gashi në një shprehje të çuditshme mllefi.

Në fakt, këto pretendime të tij nuk paraqesin mbrojtjen e ndonjërit prej të akuzuarve në Hagë. Asnjëri prej tyre nuk ka mohuar “gjithçka”, nuk kanë thënë që nuk kanë pasur kurrfarë pushteti por kanë kontestuar mënyrën se si është paraqitur kjo nga Zyra e Prokurorisë Speciale (ZPS).

Por, mbrëmë ai i shtjelloi edhe në një mënyrë tjetër këto pretendime duke e sulmuar brutalisht trashëgiminë e ish-krerëve të UÇK-së, duke i krahasuar – natyrisht – me Albin Kurtin:

“Me pas nis kështu Albin Kurti n’Pozharevc ish dashtë me thanë unë e njoh gjyqin e Serbinë, unë e njoh Serbinë, Kosova është zemra e Serbisë. Liromëni tash. Po cari u shku aty e ka thon “nuk e njoh këtë gjyq unë”. Ka thon “unë e njoh veç gjyqin e Republikës së Kosovës”. Qashtu mbrohet Kosova. Qashtu mbrohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. E jo kështu. 22 vjet si skiftera këtu. Tash shkojnë aty, as pula jo, zogj.” – u shpreh z. Gashi në fjalën e tij që i është bërë virale.

Kujtojmë se Albin Kurti ishte shkarkuar nga pozita e tij prej këshilltari në Qeverinë Kurti I pikërisht shkaku i disa deklaratave që i kishte dhënë për krimet e luftës nga individë të caktuar të UÇK-së.

Lajme të ngjashme