VLEN-i nuk di kah t’ia mbajë
Koalicioni VLEN duket se ka mbetur mes dy zjarreve në paaftësi për të marrë një vendim.
Derisa qeveria në të cilën janë partnerë bashkëqeverisës qëndron mirë me shkallën e besueshmërisë publike, katër partitë shqiptare janë në hall përballë mospajtimeve për zgjedhjet e sivjetme lokale.
Zhvillimet e fundit në kampin shqiptar janë komentuar sot edhe prej kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
I pyetur nga mediet në Shkup në lidhje me problemet me koalicionin VLEN, përfshirë edhe me ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari, ai ka thënë se nuk e ka ndjesinë për probleme të tilla.
“Jo, nuk e kam atë ndjesi. Përkundrazi, ne kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Qytetarët mund të rrinë të sigurtë se qeveria është stabile, jozyrtarisht me më shumë se dy të tretat, dhe zyrtarisht me 78 deputetë që e mbështesin këtë qeveri”, ka thënë Mickoski.
“Qytetarët, simbas asaj që po e shoh nëpër sondazhe, janë mbështetës, dhe ka një mendim pozitiv mbizotërues se edhe Maqedonia po lëviz në drejtim pozitiv, dhe ky është frymëzim për të vazhduar më tej me punë.”
Ndryshe, koalicioni VLEN, që përbëhet nga katër parti shqiptare, është duke u përballur me probleme serioze të brendshme.
Të premten që shkoi, kryeministri Albin Kurti – i cili ishte edhe ‘kumbarë’ i këtij koalicioni – i ftoi për iftar drejtuesit kryesor të VLEN-it.
Jozyrtarisht, nga burime të afërta me këtë koalicion, është thënë se ky iftar ishte edhe një përpjekje për të fashitur problemet e brendshme të katër partive shqiptare sa i përket asaj se kush do ta marrë flamurin e liderizmit.
Në ndërkohë, katër partitë përbërëse të këtij koalicioni kanë dallime edhe sa i përket zgjedhjeve të sivjetme lokale, nëse do të garojnë bashkërisht apo ndaras.
Dje, drejtuesi i njërit prej krahëve të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, e pranoi për herë të parë se qytetarët janë të pakënaqur nga puna e VLEN-it.
“Se ka njëfarë pakënaqësie prej funksionimit të VLEN-it brenda qeverisë, ky është fakt i pamohueshëm. Se njerëzit janë të kënaqur prej funksionimit të qeverisë, edhe ky është fakt i pamohueshëm. Mendoj se problem kryesor brenda VLEN-it është desinkronizimi ynë, ndaj na duhet sinkronizim më i mirë”, ka thënë Taravari.
Sipas tij, ky problem vjen nga fakti që koalicioni përbëhet nga katër parti, ku për çdo gjë duhet të konsultohen katër kryesi e katër përfaqësues të partive politike.
“Mendoj se koordinimi jo shumë i mirë i lë këto pasoja”, ka thënë ai.