Vizita po, gatishmëri po, data jo - s'dihet asgjë për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë
Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak tashmë ka regjistruar një tjetër vizitë zyrtare në Kosovë.
Megjithatë, nga asnjëra palë, qoftë qeveria, qoftë BE-ja, nuk ka ndonjë datë rreth takimit të ardhshëm të nivelit të lartë, takim ky i shumëkërkuar nga shefi i ekzekutivit kosovar.
Kjo pasi, Kurti ka rikujtuar faktin që më 18 gusht të vitit të kaluar, palët ishin dakorduar që të regjistronin takime çdo muaj.
Në anën tjetër, kanë mbetur edhe 20 ditë të plota deri në fund të këtij muaji dhe nisjes së marsit, që në fakt ka qenë i fundit në listën e "parashikimeve" për ta nënshkruar marrëveshjen e "madhe" të normalizimit, që thuhej se do ta mbyllte çështjen Kosovë - Serbi, të paktën për dhjetëvjeçarin e ardhshëm.
Se nuk ka datë për një takim e konfirmoi edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për mediat serbe.
PO
Kryeministri Albin Kurti brenda pak ditësh i ka thënë dy “Po” të rëndësishme në procesin e dialogun me Serbinë. Planin franko-gjerman dhe Asociacionin, por këtë të fundit me gjashtë kushte. Megjithatë, “po-të” e kryeministrit Kurtit kanë nxitur reagime të shumta në vend.
Në qëndrimin e tij, ku Kurti e pranon propozimin e BE-së nuk e përmend fare çështjen e njohjes.
“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në “Twitter” pas takimit me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslavv Lajçak.
Për më tepër, kryeministri Kurti e ka pranuar këtë propozim ende pa u bërë publik dokumenti në mënyrë zyrtare.
Ndërkaq, emisari sllovak Lajçak e ka konfirmuar se në takim janë diskutuar gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin.
I pyetur për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ai tha se tashmë është e ditur se gjithçka që është nënshkruar, duhet të zbatohet.
“Janë përmendur edhe kushtet e Kurtit, për ne e rëndësishme është që të bëhen marrëveshje, për normalizim të raporteve”, tha Lajcak.
Ai shtoi se sonte vizitën e tij do ta vazhdojë edhe në Beograd sonte, dhe se kjo është vizita e 10-të që nga shtatori në Kosovë.
6 kushtet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vetëm pak ditë më parë në Kuvendin e Kosovës bëri publike gjashtë kushtet e tij për Asociacionin.
Këto janë gjashtë kushtet e Qeverisë Kurti:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3.Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

