Viktimizim e kërcënime: Si po komentohen në Kosovë deklaratat luftënxitëse nga Vuçiqi?
Sonte nga mesnata, do të nisin së zbatuari dy vendimet e fundit nga Qeveria e Kosovës, që kanë të bëjë me reciprocitetin. Këto kanë prodhuar një ligjërim të rrezikshëm nga Serbia, e cila ka paralajmëruar “ferr” dhe madje ka kërcënuar edhe paqen. Çka na thanë analistët?
I pari vendim ka të bëjë me tabelat RKS dhe i dyti me dokumentet e Serbisë, të cilat nuk do të njihen nga Kosova. Ngjashëm siç ka vepruar Serbia me Kosovën në të dyja rastet.
Por, ende pa u bërë data 1 gusht kur edhe do të hyjë në fuqi ky vendim, kanë filluar deklarime të ndryshme nga ana e Beogradit.
I pari deklarim ishte gjatë ditës së djeshme nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. I cili tha se përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës, do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse Qeveria e Kosovës nuk heq dorë nga reciprociteti për letërnjoftimet serbe dhe targat e automjeteve.
Ndërsa deklarimi i dytë ishte para disa ore nga presidenti serb Vuçiq, i cili tha se situata është komplekse dhe e vështirë. Po ashtu, ai deklaroi se “Serbia do të fitonte” edhe pse u shpreh se ishte për paqe.
Si po komentohen në Kosovë këto deklarata?
Profesori i Gazetarisë, Milazim Krasniqi, duke komentuar deklaratat është shprehur se ato paraqesin “përgatitje të kombit serb për luftë”.
Ndryshe mendon profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, i cili i cilëson deklaratat si të zakonshme nga ana e Beogradit.
Përderisa sipas tij kjo marrëveshje do të zbatohet, pasi që është legjitime.
”Deklaratat e Vuçicit janë të zakonshme, të njëjta. Ai në të njëjten kohë viktimizohet dhe kërcënon, kinse po e dëshiron paqen. Sa i përket reciprocitetit, besoj se janë marrë të gjitha masat në pikat kufitare ku Republika e Kosovës kufizohet me Republiken e Serbisë. Është vendim legal dhe legjitim. Zbatimin i reciprocitetit duhet me kuptu që është gjithmonë komform me kushtetutën dhe ligjet e vendit, sepse ai nuk kish ndodhë nëse pala tjetër ish tregu racionale. Prandaj as më pak e as më shumë nuk mund të bëj një shtet normal që dëshiron të vendos rend dhe rregull brenda vendit të tij. Pra pse kemi ardhë deri tek reciprociteti është pasi shteti Serb nuk po dëshiron të kuptojë dhe pranojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur,”- tha Arifi për gazetën.
Ndërsa analisti Gazmir Raci, thotë se të dyja palet duhet të përmbahen nga provokimet e mundshme.
Sipas Racit ka pasur momente edhe më të vështira.
“Të dyja palët duhet me u përmbajtë nga provokimet e mundshme, duhet me i dhanë shancë bisedimeve dhe dialogut. Në kuadër të dialogut ka pasur momente edhe më të vështira, por që me ndërhyrjen evropiane dhe amerikane janë tejkalu. Andaj është mirë që palet t’i përmbahen gjuhës së provokimit,” - tha Raci.
Kurtit nuk i pëlqyen pyetjet për deklaratat e Beogradit
E këto deklarata kryeministri Kurti i konsideron si zvogëlim të kohës së qeverisjes së tij.
Kurti tha se nuk është e shëndetshme për demokracinë, nësë vazhdimisht citojmë deklaratat nxitëse të palës serbe.
“Mua nuk më duket shumë e shëndetshmë për demokracinë nëse vazhdimisht citojmë deklaratat nxitëse. Ata deklarojnë për çdo orë, nëse une i ndjeki e i përgjigjem ma zvogëlon orën e qeverisjes sime. Mua nuk më kanë votuar për të bërë komente për deklaratat nga Beogradi. Është interesant që as në takimet më të rëndësishme me krerët e lartë të shtetit nuk i diskutojnë këto deklarata nga Beogradi, ndërsa në konferenca këtu në Kosovë bëhen temë,” - tha Kurti në konferencë për media.
Sipas një sondazhi më shumë se 63 për qind e serbëve të Kosovës janë shprehur se nuk do t’i heqin targat aktuale, për t’i ndërruar me ato në RKS.
Ndërkohë, vetëm 15 për qind thanë se do ta bënin një gjë të tillë nëse detyroheshin.


