Videoja e dytë e VV-së “ia ftoh” videos së parë për numrin e gabimeve drejtshkrimore - NACIONALE

Videoja e dytë e VV-së “ia ftoh” videos së parë për numrin e gabimeve drejtshkrimore

3 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Lëvizja Vetëvendosje publikoi të hënën një video të re propagandistike, kësaj radhe për terminalet doganore. Njësoj si në videon e parë, edhe në videon e dytë ka gabime elementare drejtshkrimore, madje edhe më shumë.

Aty është shkruar gabimisht folja në kohën e tashme, “po ndodh”. Më pas, është shkruar gabimisht togfjalëshi “terminalet e tjera”, duke u shkruar “Terminalet tjera”.

Është shkruar gabimisht edhe folja në kohën e kryer të thjeshtë, “pati”, duke u shkruar “pat (fituar)”.

Është shkruar gabimisht folja “kanë bartur”, duke u shkruar “kanë bartë”.

Njëri ndër gabimet më të rënda dhe më elementare: është shkruar “1 vjet”, pra në numrin shumës. Duhet të shkruhet “një vit”.

Është përdorur një fjalë në funksion të mbiemrit që nuk ekziston në fjalorin e gjuhës shqipe, “e vërejtshme”.

Është shkruar në vend të gabuar trajta e shkurtër “ia”, në vend të “ua”, në fjalinë: Qeveria Kurti ia ka kthyer shtetit dhe shoqërisë terminalet e privatizuara përmes pazareve.

Është përdorur gabimisht folja në numrin njëjës për togfjalëshin në numrin shumës në shprehjen: përcaktimi dhe vendosmëria jonë është më e qartë. Duhet të shkruhet: përcaktimi dhe vendosmëria jonë janë më të qarta.

Është përdorur gabimisht trajta e shkurtër e bashkuar “iu” në shprehjen “të iu pikë paraja”. Duhet të shkruhet “të u pikë paraja”.

Është shkruar gabimisht folja në vetën e tretë të mënyrës lidhore: “kur të filloj konfiskimi”. Duhet të shkruhet: kur të fillojë konfiskimi.

Kjo folje duhet të jetë në numrin shumës, sepse pasohet nga dy emra ose grupe emërore: “kur të fillojë konfiskimi i pasurisë së paligjshme e vettingu në drejtësi”. Duhet të shkruhet: “kur të fillojnë konfiskimi i pasurisë së paligjshme e vettingu në drejtësi”.

Lajme të ngjashme