Vendet që s'e njohin Kosovën thanë "po": Si u votua për liberalizimin e vizave? - NACIONALE

Vendet që s'e njohin Kosovën thanë "po": Si u votua për liberalizimin e vizave?

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Këshilli Evropian i ka thënë sot “Po” liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo është konsideruar si një prej vendimeve më të rëndësishme të marra sa i këtij procesi. Si u votua?

Tashmë në faqen zyrtare të Këshillit Evropian është publikuar komunikata ku konfirmohet përkrahja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Përkrahja madje, siç duket është dhënë nga shumica ku sipas fotografisë së votave, duket se vetëm Irlanda nuk ka marrë pjesë në votim.

Heqjes së vizave i thonë “PO” edhe vendet që s’na njohin

Greqia, Spanja, Qipro, Rumaia dhe Sllovakia, po ashtu kanë votuar pro një vendimi të tillë, pesë shtete këto që s’e njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, të gjitha shtetet tjera pjesëmarrëse, po ashtu kanë votuar për.

“Këshilli sot e miratoi pozicionin e vet në lexim të parë për udhëtimin pa viza për ata që kanë pasaporta të lëshuara nga Kosova. Rregullat e reja do t’u lejojnë mbajtësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në BE për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çfarëdo periudhe 180-ditore.” – thuhet në njoftim.

Këshilli Evropian, në njoftim po ashtu ka konfirmuar se me shtyrjen e implementimit të Sistemit Evropian për Informata dhe Autorizim të Udhëtimit (ETIAS), nuk ndikohet hyrja në fuqi e vendimit për heqjen e vizave, që do të jetë më një janar 2024.

“Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të vlejë nga data, kur Sistemi Evropian për Informata dhe Autorizim të Udhëtimit të hyjë në funksion ose nga 1 janari i vitit 2024, cilado që vjen më herët.” – thuhet në njoftim.

Këtu, vlen të theksohet se Nacionale javën e kaluar ka raportuar se heqja e vizave nuk do të ndikohet nga ky vendim.

“PO-të”

Më 30 nëntor, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas kësaj, negociatat filluan menjëherë.

Më 12 dhjetor të vitit 2022 u mbajt një takim teknik, ndërkaq dy ditë më vonë, trilogu politik u mblodh në Strasburg. Dy ligjvënësit arritën një marrëveshje duke gjetur një kompromis për disa çështje të pazgjidhura të identifikuara në nivel teknik.

Ndërkaq, më 20 dhjetor 2022, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm analizoi tekstin final me synim arritjen e marrëveshjes dhe e konfirmoi atë.

Më 12 janar 2023, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe punët e Brendshme (Komiteti LIBE) konfirmoi marrëveshjen politike dhe më 13 janar 2023 kryetari i LIBE i dërgoi një letër Kryetarit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm duke konfirmuar se, nëse Këshilli miraton Rregulloren në lexim të parë, pas rishikimit ligjor gjuhësor, Parlamenti do të miratojë qëndrimin e Këshillit në leximin e tij të dytë.

Ndërkohë, krejt ky proces së fundi ishte kushtëzuar me sistemin ETIAS, çështje të cilën e kishte shpjeguar për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë, Edita Hrda.

“Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.” – kishte thënë për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë, Edita Hrda.

Lajme të ngjashme