Këshilli i BE-së miraton liberalizimin e vizave për Kosovën, ministrja suedeze ka disa fjalë
Kosova ka bërë edhe një hap para drejt rrugës së liberalizimit të vizave. Tashmë ky proces është edhe më afër pasi që sot në Këshillin e Bashkimit Evropian është miratuar liberalizimi i vizave për Kosovën. Për këtë çështje ka folur edhe ministrja suedeze, ku dihet se me presidencën BE-së do të udhëheq Suedia.
Në njoftimin e Këshillit Evropian bëhet e ditur se të gjitha vendet e BE-së kanë përkahur liberalizimin e viziave për Kosovën.
“Këshilli sot e miratoi pozicionin e vet në lexim të parë për udhëtimin pa viza për ata që kanë pasaporta të lëshuara nga Kosova. Rregullat e reja do t’u lejojnë mbajtësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në BE për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çfarëdo periudhe 180-ditore.” – thuhet në njoftim.
Po ashtu, aty thuhet se Kosovës do t’i liberalizohen vizat më 1 janar 2024 pavarësish shtyrjen se implemtimit të Sistemit Evropian për Informata dhe Autorizim të Udhëtimit (ETIAS).
“Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të vlejë nga data, kur Sistemi Evropian për Informata dhe Autorizim të Udhëtimit të hyjë në funksion ose nga 1 janari i vitit 2024, cilado që vjen më herët.” – thuhet në njoftim.
Më tej, Këshilli Evropian njofton se rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian para se të nënshkruhen dhe të publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.
Presidenca suedeze
Në anë tjëtër për këtë hap ka folur edhe Maria Malmer Stenegard, ministre e Migracionit e Suedisë.
Ajo ka thënë se Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për sigurinë dhe menaxhimin e migrimit dhe për ta vënë në vijë politikën e vet të vizave me atë të BE-së.
“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për t’i përmirësuar sigurinë dhe menaxhimin e migrimit dhe për ta vënë në vijë politikën e vet të vizave me atë të BE-së. Ne shpresojmë që bashkëpunimi ynë në këto fusha do të vazhdojë që të jetë i frytshëm.” – tha Maria Malmer Stenegard, ministre e Migracionit e Suedisë.
Rruga drejt liberalizimit
Procesi i liberalizimit për Kosovën nuk qe aspak rrugë e zakonshme. Ai u shoqërua me një serë vështirësish dhe keqkuptimesh, aq sa vetë liberalizimi i vizave u shndërrua në tallje me politikanët që hera-herës njoftonin se liberalizimi është afër ose është në prag.
Në rastin e Kosovës lehtësisht mund të thuhet se kemi një historik negociatash, që zgjati më shumë se një dekadë.
Kosova filloi negociatat për liberalizim gjatë vitit 2012, pra 11 vite me parë. Më 19 janar 2012, Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Cecilia Malmstrom, vizitoi Kosovën, me ç'rast paraqiti planin për dialog mbi liberalizimin e vizave.
Që atëherë, Kosovës i janë vendosur kritere të ndryshme, të cilat edhe ndryshonin. Por, e pandryshuar mbeti përgjigjja, që ishte mohuese e një marrëveshjeje të mundshme.
Gjatë rrugës Kosova ndeshi një numër kushtesh e kriteresh që nganjëherë vlerësoheshin si të tepërta. Një gjykim i tillë fitoi peshë kur BE si institucion, në rastin e Kosovës për liberalizimin e vizave vendosi në rrugë me tepër çështje të ndërlikuara politike, para kërkesave ose kushteve administrative e teknike për t'u plotësuar.
Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.