Vëmendje e madhe për Asociacionin para takimit të 2 majit: Cili do të jetë epilogu?
Tema e Asociacionit ndoshta ka qenë më e diskutuara në vitet e fundit në Kosovë. Protesta nga Lëvizja Vetëvendosje, kritika të mëdha, akuza e kundër-akuza nga më të ndryshmet. Megjithatë, duket se kjo temë së shpejti mund të marrë epilog.
Të paktën kështu ka lënë të nënkuptohet vetë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai në një deklaratë para pak ditësh, tha se në takimin e 2 majit pritet të fillojë puna për draft-statutin e Asociacionit.
“Me takimin në ardhje të nivelit të lartë në dialog, më 2 maj, është koha për përgatitje intensive. Si takimi i parë pas takimit të Ohrit, do të jetë i rëndësishëm për implementimin e Marrëveshjes dhe Aneksit. Agjenda do ta përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për të pagjeturit, prezantimin e draftstatutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues, dhe çështjet aktuale. Prandaj presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të mirëpërgatitura dhe plotësisht të përkushtuara për fazën e implementimit”, ka shkruar ai.
Në fund të shkurtit, Kosova dhe Serbia ishin dakorduar për përmbajtjen e një plani evropian për normalizim raportesh. Më 18 mars, në Ohër palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të tij.
E lidhur me këtë temë, dje u deklarua edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se ka qenë i gatshëm që ta marrë e ta shkruajë vetë draftin e Asociacionit në takimin e Ohrit.
“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade”, tha kryeministri i Kosovës.
Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Kurti e presidentit të Serbisë do të zhvillohet më 2 maj.
Amerika dhe reagimet
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka bërë të ditur se pret nga Qeveria e Kosovës që deri më 2 maj, të ketë një propozim për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.
Këto deklarata ai i ka bërë një intervistë për “Zërin e Amerikës”, dhe vlen të përmendet, se dy maji është edhe dita kur do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret.” – ka deklaruar ai.
Po ashtu, Escobar citohet të ketë deklaruar se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje e evoluim të jashtëzakonshëm, sidomos të kryeministrit për ta pranuar këtë çështje.
“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra.” – ka thënë Escobar.
Tashmë është themeluar edhe Komiteti i Përbashkët Monitorues që pritet të kryesohet nga ana e Bashkimit Evropian.
BE-ja do të përfaqësohet nga emisari Miroslav Lajçak në këtë komitet, Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviq, ndërsa Kosova, çuditërisht jo nga kryenegociatori Besnik Bislimi, por nga ambasadori Agron Bajrami.
Pika e gjashtë e Aneksit të Zbatimit specifikonte që Komiteti i Përbashkët Monitorues duhej të themelohej brenda 30-ditësh.
Ky komitet pritet të ketë rëndësinë vendimtare në përcaktimin se cila palë – Kosova a Serbia – po zbatonte apo nuk po zbatonte atë për të cilën palët ishin marrë vesh në Ohër më 18 mars e në Bruksel më 27 shkurt.
Për takimin e Nivelit të Lartë që do të mbahet më 2 maj në Bruksel. Vuçiq tha se “nuk kam vendosur ende” nëse do të shkojë në dialog, por vetëm që të dëgjojë Ekipin Menaxhues.
Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe “duhet të formohet vetëm në bazë të parimeve të nënshkruara me [ish-Kryeministrin e Kosovës] Isa Mustafën”, u shpreh decidivisht ai. “Të mos luajnë përalla me Serbinë rreth Kushtetutës së Kosovës”, tha presidenti serb dhe shtoi se krahas Asociacionit do të kërkojë edhe tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ato zona.
“Nuk mund të na mashtroni dhe gënjeni në të ardhmen. Madje edhe në Planin e tyre të Zbatimit, edhe mospengimi i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare është prapa Asociacionit. Po qe se ne do të votojmë për diçka dhe ata nuk përmbushin asgjë, nuk do ta bëjmë këtë”, tha Vuçiq.


