Haradinaj: Vdekja e vëllait tim në duart e mia, dita më e keqe e jetës sime
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ishte i ftuari i fundit i Intervistës së Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Marrëveshja me Serbinë, bisedat me kryeministrin aktual Albin Kurti, rreziku i prishjes së raporteve me ShBA-në dhe dyshimet mbi qëllimet e Kurtit janë disa prej temave që u diskutuan të hënën që lamë pas.
Megjithatë, një ngjarje tjetër mori vëmendjen kryesore. Teksa tregonte barrierat e kohës e dhimbjet e rrugëtimit, Haradinaj foli edhe për vdekjen e të vëllait, Luanit, në duart e tij.
Një nga figurat kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregoi se dita e martë e 6 Majit 1997 ishte më e keqja e jetës së tij.
Siç pohoi tutje, kjo ngjarje i ka lënë trauma të pariparueshme, ndërsa shtoi faktin se kishin kaluar shumë ditë dhe ai ende nuk e besonte se ngjarja ka ndodhur me të vërtetë.
Përkundër kësaj dhimbjeje, ai thotë se Liria e Pavarësia, zhbënë të paktën formalisht dhimbjet e rrugëtimit, duke shtuar faktin se në momentin që sheh edhe vrasje të tjera, shkatërrime e shumëçka tjetër të tillë, atëherë ajo bëhet fenomen.
“Më së keqi në jetë që e kam përjetu ka qenë vrasja e Luanit, dmth vdekja e parë e një luftëtari ku edhe kam qenë i pranishëm. Pra, 6 Maj 1997 ka qenë ngjarja më e tmerrshme për mua dhe më ka lënë trauma për një kohë të gjatë. Pra, nuk pajtohesha që ka ndodh, mirëpo me kalimin e kohës, shumë zhvillime, luftë, sheh vrasje tjera, ndodhin shumë shkatërrime, në njëfarë mënyre ajo bëhet fenomen, me të cilin ti je i detyruar për të bashkëjetuar me të", tha fillimisht Haradinaj.
S’u ndal me kaq. Foli edhe më tutje rreth ngjarjes, teksa maturia e forca në emision tregonte guximin e madh të një burri që përkundër humbjes së të vëllait, kishte gjetur kurajon për të kontribuar edhe më shumë.
Sipas tij, një skenar të tillë s’e pranon askush me qejf. Secili do t’i largohej diçkaje të tillë.
"Nuk është zgjidhje e jote, për qejf askush, as nuk merr lajm të keq, ose nuk e përjeton, pra do t’i ikte, ndërsa tash për shembull me kalimin e viteve, nuk është më ashtu njëjtë, i gëzohemi faktit se shkuam te ai vend, ka filluar pak a shumë të kthehet në përjetim ndryshe. Nuk është më veç dhimbje. Mungesa është siç e the ti nostalgjia, po prapë është njëfarë ndjenje”.
Në pjesën e fundit ndërkaq, ai deklaroi se nëse ka një arsye për t’u gëzuar nga e gjithë kjo ngjarje është fakti se mundi nuk ka shkuar poshtë.
S’kishte si të mungonte edhe një tregim nga udhëtimi i fundit te pjesa ku u vra Luani, pjesë të cilën ish-kryeministri e njeh si pëllëmbë të dorës.
“Gëzohesh me faktin që nuk ka shkuar mundi poshtë. U fitu liria, është nxjerr Kosova, kemi shteti. Për shembull tash kur kemi qenë te vendi ku ka rënë Luani, në Qafë Mullar, vegjetacioni e kishte mbuluar vendin ku ka qenë kazerma e ushtrisë jugosllave, vendi në të cilën ata na kanë bë pritë".
Më poshtë edhe pjesa e zgjeruar këtu, kurse siç edhe mund ta keni parë, fare lart gëzoni episodin e plotë. Shikim të këndshëm.

