Haradinaj mes vdekjes së vëllait, barrierave të kohës e rrugëtimit politik – Intervista e Buzhalës - NACIONALE

Haradinaj mes vdekjes së vëllait, barrierave të kohës e rrugëtimit politik – Intervista e Buzhalës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ç'ka brenda marrëveshjes së propozuar për Kosovën dhe Serbinë? Çka bisedoi me Kurtin? A ka rrezik për raportet e Kosovës me Amerikën? A ka dyshime në qëllimet e Albin Kurtit?

Këto janë disa nga temat kryesore që do të diskutohen sonte me Ramush Haradinajn në episodin e radhës të Intervistës së Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale e që vie te ju edhe si pjesë e bashkëpunimit me Radio Televizionin 21.

Kreu i AAK-së shpalosi gjithçka nga karriera e tij politike dhe para saj, momentin e vdekjes së të vëllait Luanit në duart e tij dhe gjendjen momentale në vendin tonë, në aspektin politik dhe jo vetëm.

Fillimisht, ai tregoi se si rrodhën ngjarjet e 6 Majit 1997, kur iu vra vëllau. Siç tregon Haradinaj, ishte hera e parë që një ushtar u vra pranë tij, ndërsa mes tjerash shtoi se kishte shumë ditë që nuk besonte se ka ndodhur.

Ai nuk e mohoi faktin se ai skenar e ka lënë me trauma, ndërsa flet me emocione për kontributin e asaj kohe.

“Më së keqi në jetë që e kam përjetu ka qenë vrasja e Luanit, dmth vdekja e parë e një luftëtari ku edhe kam qenë i pranishëm. Pra, 6 Maj 1997 ka qenë ngjarja më e tmerrshme për mua dhe më ka lënë trauma për një kohë të gjatë. Pra, nuk pajtohesha që ka ndodh, mirëpo me kalimin e kohës, shumë zhvillime, luftë, sheh vrasje tjera, ndodhin shumë shkatërrime, në njëfarë mënyre ajo bëhet fenomen, me të cilin ti je i detyruar për të bashkëjetuar me të", tha fillimisht Haradinaj.

Tutje, i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shtoi se kjo nuk është një zgjidhje me dëshirë, sepse askush s'dëshiron lajme të këqija, por me kalimin e viteve mësohesh.

Gjithsesi, ai u pajtua me autorin e emisionit se nostalgjia është pjesë e pandashme, por ndjenjat e gëzimit për faktin se mundi nuk shkoi huq, është gëzim në vete.

"Nuk është zgjidhje e jote, për qejf askush, as nuk merr lajm të keq, ose nuk e përjeton, pra do t’i ikte, ndërsa tash për shembull me kalimin e viteve, nuk është më ashtu njëjtë, i gëzohemi faktit se shkuam te ai vend, ka filluar pak a shumë të kthehet në përjetim ndryshe. Nuk është më veç dhimbje. Mungesa është siç e the ti nostalgjia, po prapë është njëfarë ndjenje. Gëzohesh me faktin që nuk ka shkuar mundi poshtë. U fitu liria, është nxjerr Kosova, kemi shteti. Për shembull tash kur kemi qenë te vendi ku ka rënë Luani, në Qafë Mullar, vegjetacioni e kishte mbuluar vendin ku ka qenë kazerma e ushtrisë jugosllave, vendi në të cilën ata na kanë bë pritë".

Haradinaj foli edhe rreth dhuratave të shumta që i pranon. Roli i tij përgjatë 22 viteve të fundit dhe jo vetëm ka qenë vendimtar në disa procese, andaj edhe posedon respekt të veçantë nga një numër i madh diplomatësh vendorë e ndërkombëtarë, pashmangshëm këtu edhe nga njerëzit.

"E kam pasë nderin që të jem gjithmonë i vlerësuar, edhe në raste të caktuara. Është nder për mua. Përgjegjësi e vërtetë është".

Veç kësaj, Haradinaj komentoi edhe qasjen e qeverisë aktuale ndaj ShBA-ve. Sipas tij, Kosova si doktrinë ka marrëdhëniet me ShBA-në, andaj çdo vendim duhet të jetë në këtë frymë.

"Çdo qeveri ka rol të veçantë. Ka domethënie. Është shumë keq kur një qeveri e një vendi ku populli është pro-amerikan, sjelljet i ka kaq indiferente edhe në disa raste është kaq e pabesë, ndaj po e quaj ashtu trashëgimisë edhe politike, po edhe doktrina që e ka vendi ynë, pra vendi ynë ka doktrinë të qartë, ne i takojmë botës që udhëheqë Amerika, e në këtë mënyrë ne edhe përfitojmë prej kësaj bote, po edhe i marrim përgjegjësitë e edhe kontribuojmë në këtë botë. Pra, Kurti kur e përkrahë Ukrainën, përkrahim refugjatë, jemi pjesë e asaj bote. Por, kur e vlerëson të shkosh njëanshëm me tabela, pa e përfillë shqetësimin për siguritë e tyre në veri, ku i kanë edhe ushtarët e vetë, del prej kësaj botës tonë".

Në pjesën e fundit, ish-kryeministri i vendit pranoi se amerikanët kërkuan nga Kurti që ta pezullojë vendimin për targa, por që një gjë e tillë nuk po ndodh.

"Amerikanët i kanë thënë Kurtit që ta pezullojë këtë vendim deri në marrëveshje, nuk dihet kur ndodh marrëveshje, mund të jetë çështje javësh, ditësh, muajsh, edhe pastaj me pasë një periudhë implementuese. I kanë thënë që me mujtë me mbetë të fokusuar vetëm te marrëveshja. Tash misteri është pse Kurti, bash kur i thanë këta: pezulloje, se duam të fokusohemi te marrëveshja, insistoi me u kthy te tabelat".

Lajme të ngjashme