Kosova po numëron: Çfarë po ndodh në Qendrat Komunale të Numërimit?
Tashmë në 9 komuna të Kosovës ka përfunduar procesi i numërimit të votave. Sipas njoftimit të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më 14 shkurt 2025 janë numëruar 1 mijë e 170 apo 46.19% vendvotime nga 2 mijë e 533 sa janë gjithsej.
Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 9 Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Partesh, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
KQZ ka bërë të ditur se sot nga ora 16:00 ka filluar numërimi edhe në Qendrën e Numërimit në Komunën e Mamushës.
Sipas KQZ, aktualisht, procesi i numërimit është duke vazhduar në 26 Qendra Komunale të Numërimit.
“Më 15 shkurt, në orë 16:00, ka filluar procesi i numërimit edhe në QKN-në e komunës së Mamushës. Në përgithësi, procesi i numërimit është duke vazhduar në 26 Qendra Komunale të Numërimit.”- thuhet tutje në njoftim.
Pse po vlerësohet proces i ngadalshëm?
Që nga dita që u mbajtën zgjedhjet, pra që nga 9 shkurti u raportua vazhdimisht për ‘bllokadë’, në numërim.
Çdo gjë nisi pas mbylljes së kutive të votimit, më 9 shkurt, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u tha se u përball me probleme në uebfaqe, natën kur pritej publikimi i rezultateve premilinare.
E kjo gjë u konfirmua edhe nga kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë mbledhjes dy ditë më parë.
Radoniqi tha se kanë dyshimet e tyre në lidhje me problemet në uebfaqe mbrëmjen e së dielës, derisa u pyet nga gazetarët nëse dyshojnë se a ka pasur sulm apo ndërhyrje.
“Kjo çështje tash është në duar të policisë dhe prokurorisë, pa e marrë raportin nga ta ne nuk do të japim asnjë informacion, kemi dyshimet tona, por ato dyshime tona janë adresu në polici, policia do ta japë raportin pasiqë të marrim ndonjë përgjigje, edhe ne do ta bëjmë publike” – tha Radoniqi, transmeton Nacionale.
Probleme vazhduan edhe më pas, e më këto probleme si rënia e rrjetit dhe mungesa e IT-ve u përballen edhe Qendra Komunale të Numërimit.
Në Qendra Komunale të Numërimit, pasi që filloi numërimi i votave për deputetë, komisionerët dhe vëzhguesit hasën në probleme.
Për të gjitha këto Gazeta Nacionale raportoi në vazhdimësi.
Ngadalësimi dhe komplikimi i procesit, i cili ka nxitur reagime të shumta, po i faturohen ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Gazeta Nacionale kishte raportuar se në ditën kur filloi numërimi i votave në sallën e sporteve në Fushë Kosovë, aty mungon IT-ja.
Mungesa e IT-së bëri që në këtë QKN, të bllokohet proces për disa orë.
Edhe në sallën “1 Tetori”, filloi numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, gjatë procesit të numërimit, kishte edhe tensione mes partive politike, duke u shfaqur edhe një përplasjeje mes komisionerëve të dy subjekteve politike, VV-së dhe LDK-së.
Siç raportoi Klan Kosova, një debat i ashpër gati eskaloi në përplasje fizike mes komisionerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Madje për parregullsi dhe proces të ngadalësuar të numërimit të votave në sallën “1 Tetori”, treguar për Gazetën Nacionale edhe vet komisionerët dhe vëzhguesit.