Vazhdon "lufta civile" e profesorëve, tash Enver Hasani i qepon Mehmet Krajës
Opinioni publik është ende i përqendruar në një analizë të lëshuar nga AShAK muajin e kaluar që u diskutua gjerësisht pasi Nacionale publikoi artikuj të shumtë në lidhje me përmbajtjen e papranueshme. Për këtë çështje është mbledhur edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Kjo madje u bë shkak-pasojë që Sesioni i Shkencave Sociale në AShAK, të theksojë se teksti i botuar në faqen zyrtare të AShAK-ut është tekst i Mehmet Krajës, kryetar i AShAK-ut, dhe i paautorizuar për publikim.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një opinion për Gazetën Express, ka bërë një reagim të gjatë kushtuar analizës së AShAK-së, e cili ka shkaktuar reagime të shumta.
Si thuajse në çdo reagim ndaj analizës së zotit Kraja, edhe opinioni i zotit Hasani ka të bëjë me 'çalimet' e mëdha në objektivitetin e çështjeve të trajtuara në tekstin e AShAK-ut.
Vështrimi i Hasanit mbi këtë analizë fillon duke thënë se Mehmet Kraja ka përpunuar aktauzën kundër Thaçit. Mes tjerash, duke iu referuar analizës 39 faqe të z.Kraja, Hasani shkruan "pasi konstaton se Hashim Thaçi akuzohet për kohën e të a.q. Qeveri e Përkohshme në Kosovë, që nuk është e saktë sipas aktakuzës kundër tij, Mehmeti nis e përpunon vet aktakuzën."
Hasani ka ardhur gjithashtu në përfundimin se kjo analizë është e mbushur me gabime shkencore dhe paragjykime subjektive deri në inkriminim shtesë të atyre që sot janë në Hagë.
Tutje, ai thotë se analiza mund të si shihet si një dokument i krijuar nga arsyet plotësisht subjektive të një njeriu, motivimet e të cilit burojnë nga sfondi kulturor dhe arsimor me të cilin funksionon krijuesi i tij.
Kujtojmë që, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) ka publikuar ditë më parë një analizë të gjatë me 39 faqe, me të cilën synon që ta tërheq vëmendjen e opinionit për politikat destabilizuese të Serbisë. Ndonëse pa autor të përveçëm, analiza merret me marrëdhëniet mes shqiptarëve e të serbëve, duke u përpjekur që të ofrojë një histori të përgjithshme, që nga koha e Betejës së Kosovës e deri te situata më e re në veriun e Kosovës.


