Vazhdon debati në Shqipëri, Meta ishte apo s’ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit? - NACIONALE

Vazhdon debati në Shqipëri, Meta ishte apo s’ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit?

4 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Tash e tre ditë po vazhdon debati në Shqipëri rreth skandalit të publikuar nga mediat shqiptare, e që thirren në një letër nga Autoriteti i Informimit.

Në letrën respektive drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, i kërkohet Kuvendit të Shqipërisë të ndryshojë ligjin mbi dosjet në vend, për shkak se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe akoma më keq mbrohen me një klauzolë të veçantë, nëse kanë kaluar “filtrin” e atij që quhej Komisioni Mezini dhe me pas Bezhani pas vitit 1997.

“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të lartë të shtetit, siç është ish-presidentit i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërsisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konformuar nga ana jonë me vendimin e autoritetit nr. 17, datë 28.04. 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-sigurimit të shtetit”, shkruan ndër të tjerash në këtë letër.

Ish-presidenti

Nga profilet e larta të përmendura që mund të jenë bashkëpunëtorë është edhe ai i Ilir Metës.

Për këtë ka reaguar sot edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” shkroi se është hera e fundit që shkruan për këtë temë, të paktën deri në shtator, ani pse realisht është hera e parë që reagoi.

Përmes një statusi të gjatë, Rama në fillim i referohet ish-presidentit si shtetasi me inicialet I.M, ndërsa tregon edhe detaje nga përvoja e përbashkët.

"Gjatë gjithë viteve të saj në detyrë, e kam takuar vetëm në aktivitetet publike të Autoritetit, të cilat po, e vërtetë, kanë qenë absolutisht mbresëlënëse. Gjithashtu ka qenë shumë serioze dhe e vlerësuar edhe ndërkombëtarisht, puna aspak e lehtë e Autoritetit me trashëgiminë dyfish të tmerrshme të dosjeve. E para, sepse e tmerrshme ishte praktika mizore e Sigurimit të Shtetit komunist dhe e dyta, sepse e tmerrshme ishte barbaria postkomuniste mbi dosjet, ku u futën egërsisht duart e mëkatarëve të kthyer në heronj të demokracisë", shkroi ndër të tjerash Rama.

Kush është Ilir Meta?

Ilir Meta është një ndër politikanët veteranë të Shqipërisë.

Të dielën që kaloi, Meta e përfundoi mandatin e tij si president i Shqipërisë.

Kujtojmë që ish-presidenti shqiptar, ka qenë për vite udhëheqës i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Por, këtë të marte ai ka treguar se ka themeluar një parti të re, të cilën e ka quajtur “Partia e Lirisë.

“Me mirënjohje për të gjithë delegatët për vendimin historik të themelimit të Partisë së Lirisë. Dje hodhëm hapin e parë në përmbushjen e misionit tonë për rivendosjen e Sovranitetit të plotë të popullit shqiptar nëpërmjet Referendumit”, thuhet në postimin e Metës në Facebook.

Ndryshe, Ilir Meta ka paralajmëruar rifillimin e rrugës opozitare në Shqipëri, duke deklaruar se Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, do të largohet sikurse Sllobodan Millosheviq, ish-diktatori i Serbisë, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.

Lidhur me këtë debat ka shkruar edhe gazetari kosovar, Parim Olluri.

Ky i fundit përmes një postimi në rrjetin social "Facebook" ironizoi me këtë debat, duke thënë se në Kosovë është konsumuar më herët kjo temë, për të njëjtin personazh.

Lajme të ngjashme