Varfëria ka emër: Mbi 22 mijë kosovarë në skema sociale, inflacioni ua ha ndihmën e shtetit - NACIONALE

Varfëria ka emër: Mbi 22 mijë kosovarë në skema sociale, inflacioni ua ha ndihmën e shtetit

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

Rritja e vazhdueshme e çmimeve, ka bërë që shporta e qytetarëve kosovarë të jetë me e lehtë për nga sasia, por më e kushtueshme në aspektin monetar. Kjo rritje e çmimeve e bënë më të vështirë koston e jetës së qytetarëve, posaçërisht të atyre që jetojnë më një ndihmë sociale në muaj.

Të tilla familje kanë në dispozicion vetëm ato të hyra që marrin nga shteti, të cilat nuk mjaftojnë as për shpenzime të nevojave personale. Qytetari Blerim Sertolli ka deklaruar se e vetmja e hyrë në familjen e tij janë paratë që merr nga shteti si përfitues i skemave sociale.

Në një prononcim për Nacionale, z. Sertolli ka thënë se gjysma e të hollave të socialit i shpenzon për barna, pasi vuan nga një sëmundje.

“Unë të vetmen të hyrë e kam nga sociali që marrë. Gjysma e atyre të hollave më shkojnë për barna dhe mjek pasi që jam i sëmurë. Unë jetojë vetëm me gruan dhe me djalin, lufta për mbijetesë është e vazhdueshme.” - ka thënë ai.

Tutje, ai është shprehur se i ka përgjysmuar kërkesën për produkte këto muajt e fundit, pasi paratë që merr nga sociali nuk i mjaftojnë as për produkte bazike.

Ka plotë 3-4 muaj që me ato para marrë përgjysmë më pak produkte për shkak të rritjes së çmimeve nëpër markete, mundohem që të ia plotësoj djalit kërkesat, mirëpo më këto të holla e më këto çmime është e pamundur”, ka thënë ndër të tjera Sertolli.

Në fakt, në një analizë të ekonomistit, Edison Jakurti, inflacioni ka goditur fuqinë reale blerëse. Ditë më parë, përmes një postimi në Facebook, z. Jakurti vlerësoi se vlera reale e 100 eurove në janarin e 2021-ës ishte rreth 93.8 euro, në janar 2022-ës ishte rreth 87.6 euro, dhe tani në janarin 2023-ës është rreth 78.1 euro.

Statistikat e skemave sociale

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i familjeve të cilët kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale në Kosovë gjatë muajit janar është 22 mijë e 571. Siç thuhet në raportin e ASK-së, të titulluar “Statistikat e Mirëqenies Sociale”, numri më i madh i familjeve që kanë përfituar skema sociale gjatë muajit janar ishte në Mitrovicë, ku gjithsej 2 mijë 152 familje figurojnë në skemat sociale.

Pas Mitrovicës, në Komunën e Vushtrrisë kishin përfituar 1 mijë e 306 familje.

Në Lipjan kanë përfituar 1 mijë e 208 familje, ndërsa Komuna e Prishtinës, e cila ka numër më të madh të banorëve në Kosovë, përfitues janë 1 mijë e 155 familje.

Komunat që kanë pasur më së paku familje përfituese të skemave sociale ishin Mamusha me 17 familje, Partesh me 31 familje dhe Juniku me 49 familje.

Numri i familjeve të cilët kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale sipas komunave: Deçan 307, Gjakovë 1.093, Gllogovc 994, Gjilan 591, Dragash 357, Istog 368, Kaçanik 698, Klinë 813, Fushë Kosovë 884, Kamenicë 432, Mitrovicë 2.152, Leposaviq 260, Lipjan 1.208, Novobërdë 368, Obiliq 628, Rahovec 600, Pejë 1.011, Podujevë 815, Prishtinë 1.155, Prizren 699, Skenderaj 768, Shtime 299, Shtërpcë 219, Suharekë 434, Ferizaj 888, Viti 390, Vushtrri 1.306, Zubin Potok 619, Zveçan 336, Malishevë 711, Junik 49, Mamushë 17, Hani i Elezit 122, Graçanicë 94, Ranillug 183, Partesh 31, Kllokot 90, Mitrovicë Veriore 582”, thuhet në raportin e ASK-së.

Në krahasim me muajin dhjetor të vitit 2022, në muajin janar 473 familje i janë shtuar kërkesës për ndihma sociale.

Vetëm në muajin dhjetor të vitit 2022 në Kosovë kishin përfituar 22 mijë e 98 familje nga skemat sociale.

Drejtori i Qendrës për punë Sociale në Prishtinë, Vehbi Mujku ka thënë se në Komunën e Prishtinës ka rënie të kërkesës për skema sociale.

Në një prononcim për Nacionalen, ai ka thënë se arsyeja se pse ka më shumë përfitues të skemave sociale në komunën e Mitrovicës, është për faktin se atje ka numër më të vogël të bizneseve dhe fuqisë ekonomike.

Komuna e Mitrovicës edhe pse ka 4-5 fish më pak banorë se Komuna e Prishtinës ka dyfish me shumë përfitues. Arsye qëndron në numrin e vogël te bizneseve dhe fuqisë ekonomike. Në Prishtinë kemi staf relativisht të mjaftueshëm në menaxhim të skemës së ndihmës sociale dhe kontrollet dhe procedurat respektohen në maksimum për përfitim nga skema. Po ashtu në Prishtinë është e vendosur edhe administrata shtetërore dhe mundësia e punësimit është shumë më e madhe”, ka thënë Mujku.

Mujku tutje ka treguar edhe për kategoritë përfituese dhe për kriteret që familjet duhet plotësuar. Tutje, ai ka thënë se njëra nga kriteret është që familje nuk duhet të ketë më shumë se gjysmë hektarë tokë.

Janë dy kategori përftuese nga skema sociale dhe kriteret janë me sa vijon: Familja juaj nuk duhet të ketë më shumë se 0.5 Ha tokë, mi duhet të këtë të ardhura dhe duhet të plotësojë kriteret për njërën prej dy kategorive. Në kategorinë e parë përfshihen familjet që kanë: Personat mbi 18 vjeç me aftësi përherë të kufizuara dhe të paaftë për punë, Personat mbi 65 vjeç, Kujdestarët e përhershëm të personave me aftësi të kufizuara dhe mbi 65 vjeç, Personat deri në moshën 14 vjeç, Personat ndërmjet 15 dhe 18 vjeç që janë ën shkollim të rregullt, Prindërit vetushqyes më së paku një(1) fëmijë nën moshën 5 vjeç. Në kategorinë e dytë përfshihen: Familjet me një anëtarë të aftë për punë dhe Me të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeç, Që kanë në përkujdesje të përhershme një jetim nën moshën 15 vjeç”, ka thënë ndër të tjera ai.

Lajme të ngjashme