Ultimatumet ‘hajgare’ të LVV-së në Mitrovicë të Veriut, zbythet sërish Atiqi
Krejt në fund të ditës njoftoi se dita e fundit kur strukturat paralele serbe do të duhej të lironin objektin që shfrytëzojnë s’është edhe bash e fundit.
Para tri jave u dha një javë kohë ultimatum, e pas asaj një jave kohë ultimatum u dha edhe dy javë ultimatum kohë...e pas këtyre dy jave kohe dha edhe dy javë kohë që Inspektorati Komunal të bëjë një raport për këtë objekt...e mbase, kësisoji, edhe deri në pafundësi.
Hajgare? Nuk mund të mos duket se po.
Tërë ditën nuk u bë i gjallë as për një sekond të vetëm – në telefon s’përgjigjej, përgjigje me shkrim s’kthente. Por, krejt në mbrëmje nxori një vendim, të çuditshëm e me çudi shumë.
Nxorri këshilltarin e tij, Visar Sylën, i cili mohoi se ka shtyerje të afatit – për ta shtyer veten pas dy-tri ore, ta përgënjeshtrojë këshilltarin që e nxorri vetë të thotë që s’ka shtyrje të afatit.
Hajgare? Nuk mund të mos duket se po.
“Të dashur qytetarë, në lidhje me vendimin nr.01-713/031 dua të ju njoftoj se afati i lirimit të objektit, i shfrytëzuar jashtëligjshëm, shtyhet deri në pranimin e Raportit nga Inspektorati Komunal”, shkroi Atiq dhe ia bashkëngjti vendimin.
Kjo ngjarje po bëhet si seriali “100 vitrinat”; nuk po përfundon.
Serbët, dolën të kenë “mësuar” një gjë nga bashkëpartiaku i Atiqit, Lulzim Hetemi, modelin e mbylljes “hermetike”. U ngunjuan brenda objektit gjatë natës.
Për objektin në “Mahallën e Boshnjakëve” që bie nën pronësi komunale, serbët lëre që s’i ofruan dokumentacionin e nevojshëm rreth bazës së shfrytëzimit, por edhe shpërfillën kërkesën për lirimin ultimativ të saj.
Atiq, s'ndjen nevojën të shpjegohet për vendimarrjen e tij, e as pse vendimmarrja e tij s'është çuar në vend.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli me disa pretendime të tij gjatë ditës që Atiqi kishte hequr dorë. Që edhe doli, pak a shumë, ashtu.
Tha se “Prishtina hoqi dorë” nga vendimi ultimativ për lirimin e kësja ndërtese që shfrytëzohet nga strukturat paralele serbe, si pasojë e presionit të aplikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Por, ai shtoi se, qeveria kosovare e Albin Kurtit, do të provojë sërish të njëtjën pas takimit të Nivelit të Lartë më 14 shtator.
“Prishtina u përpoq t'i zbatonte qëllimet e saj me marifete, por përsëri u vunë nën presion nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe u detyruan të dorëzoheshin", tha Vuçiq, siç e citoi KoSSeV.
Lista Serbe ditëve të fundit është shprehur se s’bëhet fjalë për lirim të objektit nga ku operohet me sistem paralel të Serbisë, e për më tepër nga ku operon edhe e ashtuquajtur “Zyrë për Kosovë dhe Metohi” që në qeverinë serbe udhëhiqet nga Petar Petkoviq.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë kundërshtuar këtë vendim të Atiqit, të cilit kaherë i është kërkuar “të mos ushtrojë funksione përtej administrative” dhe aq më pak jo të merr vendime që “mund të perceptohet si përshallëzuese”.
Por, Atiq, ndonëse sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të ishte “kryetar me ‘k’ të vogël”, ai dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, në letër së paku, do të synonin marrjen e vendimeve me “V të madhe”, që do shtynin me “Sh”të madhe.
“Zyrtarë amerikanë e kanë ritheksuar pritjen tonë që këta kryetarë, përfshirë atë të Mitrovicës së Veriut, do të bëjnë përpjekje për t’iu përgjigjur shqetësimeve të të gjitha banorëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve”, thanë nga ShBA në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Njëjtë u shprehën edhe nga BE, ku zëdhënësi Peter Stano, tha se qëndrimi i unionit 27 shtetësh është se janë “të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale”.
BE kërkoi “bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë” dhe se çështja e strukturave paralele duhet të adresohet në Dialogun e Brukselit dhe në kuadër të themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”.