U zotua ‘besnikërisht’ me (nën)shkrim se nuk do ta sulmojnë gjyqësorin, dënohen sulmet e Kurtit (& Co.) ndaj Supremes
Dy ‘Juristë Eminentë’ të angazhuar nga Strasburgu vitin e kaluar i qenë përvishur punës për të parë, dëgjuar, rishikuar dhe vlerësuar se qysh dhe ku qëndron puna e Kosovës e cila kishte dorëzuar aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës: organizatë kjo paradhomë e Bashkimit Evropian dhe që ka Gjykatën e Strasburgut si institucionin më kulmor të drejtësisë për të drejtat e njeriut. Thomas Markert dhe Sia Spiliopoulou Åkermark në atë raport do të skiconin – dhe paralajmëronin pasuesen e tyre, Dora Bakoyanis, se ku të mbante mendjen – një gjë të mbarëditur në vend: se autoritetet qeveritare të vendi nuk respektojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe me sulme sistematike minojnë besimin qytetar në të.
Në pikën 166 të Raportit të juristëve eminentë vërehej se "organet politike... nuk e respektojnë gjithmonë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit" (paragrafi 6), duke e vizatuar se ky është një problem sistemik e jo incidente të izoluara. Mu në atë pikë, do të zgjerohej ‘kushti’ i juristëve që do t’i përcillej në plotni Dora Bakoyanis-it: “Të respektohet plotësisht pavarësia e gjyqësorit, duke përfshirë edhe ndalimin nga kritikat e panevojshme që dëmtojnë besimin në gjyqësor”.
Këtë pikë Bakoyanis do ta testonte po ashtu edhe vetë: dhe me ç’u pa, nuk ishte bindur as vetë se autoritetet qeveritare do ta përmbushnin. Andaj, ajo vetë i kërkoi “zotim me shkrim” tre krerëve (asokohe) më të lartë të shtetit: Albin Kurtit, Glauk Konjufcës dhe Vjosa Osmanit. Që të tre këta, me nënshkrim, vulë dhe në kapacitet institucional do të zotoheshin (fjalpërfalshëm) “besnikërisht” se do ta zbatojnë.


Bakoyanis i qëndronte rolit të vet si draftuese e Opinionit për anëtarësim ose jo në Këshill të Evropës: që pavarësia dhe mosndërhyrja te gjyqësore qëndron si një nga shtyllat binjake të Nenit 3 të Statutit të Këshillit të Evropës, së bashku me garancitë e të drejtave të njeriut. Kur pushteti ekzekutiv ose legjislativ nis sulme të padrejta publike kundër gjyqësorit, ato shkelin në thelb parimin e ndarjes së pushteteve dhe rrezikojnë t'i transformojnë gjyqtarët në "nëpunës civilë politikë".
Një vit më vonë: sulmet ndaj gjyqësorit po të njëjtit zotues besnikëror për të kundërtën e kanë çuar në nivele të hatashme. Hiç më larg se ditëve të fundit Kryeprokurori Blerim Isufaj u bë objekt demonizimi për hetim të një kontrate njëburimore (dmth, tender pa shpallje publike, por e negociuar sy-më-sy dhe me përzgjedhje vetanake) e deri te Gjykata Supreme e cila veçse konstatoi shkelje kushtetuese në bartjen të dyfishtë të pushtetit nga deputetë që mbajnë edhe pushtet qeveritar, kësisoji duke minuar vetë parimet e ndarjes së pushtetit. Gjë kjo shprehimisht e ndaluar me Kushtetutë të Kosovës. Por, aq më keq për rendin juridik dhe kushtetues.
Reagimet ndërkombëtare
I pari që reagoi duke e quajtur të papranueshme sulmin sistemik ndaj Gjykatës Supreme nga pushteti tash-thjesht-kujdestar ishte Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav. “Krerët e Misionit të Bashkimit Evrpoian e diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës Supreme. Sulmet ndaj gjykatësve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë të papranueshme”, shkroi Orav në “X”.
Menjëherë e miratoi qëndrimin e Orav, ambasadori gjerman, Jorn Rohde.
“Sulme të tilla ndaj gjykatësve individualë dhe ndërhyrja poitike në gjyqësor janë absolutisht të papranueshme. Është gjëja e fundit që i duhet këtij vendi që veçse është në gjendje të rëndë politike”, tha ambasadori gjerman.