Rikthimi për herë të tretë dhe dëshira për t’u bërë inxhinier – a gaboi Arben Vitia që zgjodhi mjekësinë?
Shëndetësia duket të jetë fusha më problematike për Qeverinë Kurti. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, habiti opinionin publik duke iu rikthyer kësaj pozite për herë të tretë. Emërimi i tij në këtë pozitë erdhi pas dorëheqjes së tij së pari, pas garës për kryetar të Prishtinës dhe humbjes së kësaj gare ndaj Përparim Ramës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zgjedhjes si drejtor i klinikës “Olive”.
Kur Vitia dha dorëheqje, ai hyri në garë me shpresa të mëdha për të marrë nën udhëheqje kryeqytetin e Kosovës, por nuk mundi ta mposhte Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai kishte thënë se nuk do të kthehej përsëri në pozitën e ministrit.
Z. Vitia iu kujtua deklarata që kishte bërë më herët se nuk do ta merrte më këtë rol pas dorëheqjes kur dha një intervistë në ATV.
“Fakt që është interesant, është një deklaratë e bërë më 4 nëntor në kohën e fushatës. Është spekuluar atë kohë që do të kthehem nëse i humb zgjedhjet, e kam bre të qartë se ky nuk është qëllimi.” - tha fillimisht ai.
Tutje, Vitia ka thënë se kryeministri Albin Kurti, “ka menduar” se në krye të këtij institucioni duhet të vijë një person që nuk ka nevojë për shumë kohë që ta kuptojë gjendjen në shëndetësi.
“Pas dhënies së dorëheqjes, kaluar profesor Latifit, ishte një situatë ku nuk kishte shumë kohë dhe kryeministri ka menduar që duhet të jetë një person që nuk duhet shumë të kuptojë gjendjen në shëndetësi, jo që nuk ka pas më të mirë natyrisht.” - shtoi ministri.
Në fund, ai ka thënë: “Si obligim moral dhe qytetar, e kam pranuar përsëri detyrën”.
Vitia ka folur për punën e tij në një klinikë private, pasi humbi zgjedhjet në Prishtinë, derisa kishte dhënë dorëheqje edhe nga pozita e ministrit.
Ai ka thënë se ai ka punuar pasi është mjek me profesion shtoi se “do të kishte pasur dëshirë ndoshta të ishte inxhinier”.
"Është pak paradoksale, unë po vij për herë të tretë si ministër, po më thërrasin edhe veteran. Dy mandatet e para kanë qenë mandate, kanë qenë të fokusuar në pandemi. Sa i përket angazhimit në sektorin privat gjatë kësaj periudhe, unë jam mjek, kisha pas qejf ndoshta të jem edhe inxhinier, nuk jam, se ku angazhohem unë si profesionist, ka lidhje me profesionin tim." - tha ai në ATV.
Mes shumë çështjesh, ai komentoi edhe marrëdhëniet me Kurtin, duke thënë se të njëjtat janë të shkëlqyera. Veç kësaj, ai shtoi se formimi i komisionit të Shëndetësisë, "shef" i të cilit momentalisht është vet Kurti, ka qenë ide e mirë.
“Marrëdhënia ime me Kurtin është marrëdhënie e ministrit me kryeministrin, anëtarit të kryesisë me kreun e LVV-së, është një marrëdhënie e shkëlqyeshme. Ka qenë veprim i mirë (formimi i Komisionit), për disa arsye. Kemi thënë nga fillimi që shëndetësia do të jetë prioritet i kësaj qeveria. Ku ka më mirë se sa të përfshihet vetë kryeministri në angazhim në këtë sferë.” - tha Vitia.
Sa i përket Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, ministri i Shëndetësisë ka thënë se “nuk beson” që do të vazhdojë edhe gjatë funksionimi i këtij komisioni.
“Nuk besoj (që do të vazhdojë të funksionojë), ka arritur objektivat e veta. Unë besoj që shumë shpejt do të bëhet një rikapitulim i punës, dhe do të nxirren disa rekomandime që do të jenë edhe udhërrëfyer për mua për punën në dikaster.” - ka thënë ai.
Kujtojmë që, si gjatë mandateve të mëparshme si pas emërimit për herë të tretë në këtë detyrë të z.Vitita, qytetarët vazhdojnë të mos kenë sigurim shëndetësor, të përballen me mungesën e barnave esenciale dhe me largimin e mjekëve, të cilët, si shumë qytetarë, vendmbërritje e kanë Gjermaninë.
Spitalet publike të Kosovës po rrezikojnë të mbeten pa mjekë dhe infermierë. Qendra Klinike Universitare e Kosovës gradualisht po shterohet nga mantelbardhët.
Për të kuptuar më mirë gjendjen e mjerueshme të shëndetit publik, si shembull ideal mund të marrim mospërfilljen e saj edhe nga krerët e shtetit, të cilët kërkojnë shërim në spitalet private, siç ndodhi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila para disa javësh u shtri në klinikën "Aloka" për një ndërhyrje krejt të vogël kirurgjikale.


