U fol me rregullin e famshëm që të mos tregohej kush foli: Çka ndodhi në takimin 'sekret' të Zvicrës?
Gjatë kësaj fundjave, një prej mediumeve më të njohura në Zvicër, “NZZ” do të dilte me një artikull ku raportohej për “negociata sekrete” mes Kosovës dhe Serbisë. Kush mori pjesë në këtë takim, çka u diskutua, kur konkretisht ndodhi? Partia në pushtet dhe ato opozitare, kanë dalë me sqarime.
Sipas mediumit “NZZ", në mes të nëntorit Departmaneti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA) ka pritur në negociata përfaqësues nga Kosova dhe Serbia.
Fillimisht, u mendua se përfaqësuesit mund të kenë qenë qeveritarë, por doli se në takim morën pjesë zyrtarë të partive parlamentare.
Çfarë thanë pjesëmarrësit nga Kosova?
Mediumi serb “Kosovo Online”, zbuloi emrat e disa zyrtarëve kosovarë dhe serbë që morën pjesë në këtë takim. Në mesin e tyre, ishin edhe Mimoza Kusari – Lila e Lëvizjes Vetëvendosje, Lutfi Haziri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Takimi, duket se është mbajtur në qytetin Solothurn të Zvicrës.
Kjo e para, e cila është edhe shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së, të hënën do të dilte më një sqarim, duke kritikuar mediumin zviceran për “titullin senzancional”.
“Për të sqaruar edhe një herë, organizata Amerikane Council for Inclusive Governance, në mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, organizon takimet e radhës së dytë, mes përfaqësuesve politik nga Kosova dhe Serbia.” – ka shkruar ajo, derisa tregoi se këto takime nuk janë negociata, dhe as sekrete.
Nacionale kontaktoi edhe me nënkryetarin e AAK-së, njëherit kryetar i komunës së Gjakovës, z.Ardian Gjini. Ky i fundit, po ashtu, na tha se nuk janë takime negociuese dhe as sekrete.
Ai po ashtu përmendi rregullin e “Chatham House”, për të cilin mund të lexoni më poshtë në këtë artikull të Nacionales.
“Asnjëherë nuk kanë qenë sekrete. Në fakt, nuk janë takime negociuese. Është spektakularitet i kotë. Rregulla Chatham House nënkupton moscitim të njëri-tjetrit e jo fshehtësi të diskutimeve. Qeveria Zvicerane e mbështet CIG për mbajtjen e takimeve joformale diskutuese.” – na tha ai.
Para pak minutash, me një sqarim rreth kësaj situate ka dalë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Ky i fundit, ka dhënë më shumë detaje rreth asaj që u diskutua duke thënë se kanë folur rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe se është dalur me një “non-paper” si rekomandim për tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës.
“Ky Departament punon në rregullat e "Chatham House" dhe palët takohen sipas një orari për të diskutuar çështjet e hapura në mes të Serbisë dhe Kosovës, në linjat e dialogut të Brukselit, por që është më shumë takim rekomandues, sikur takimi i fundit i mbajtur në Zvicërr që ka dalë me një nonpaper dhe ka rekomanduar mënyrën si të dilet nga kjo gjendje e bojkotit të institucioneve tona nga ana e serbëve të Kosovës dhe rolin e Serbisë në këtë bojkot.” – ka shkruar ai.
Nacionale ka kontaktuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës për të marrë informacione nëse ka pasur ndonjë përfaqësues nga ky subjekt politik, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk kemi marrë përgjigje.
Vlen të përmendet, se takimet e tilla, raportohet se mbahen që nga viti 2015 dhe se nga Serbia, kësaj radhe përfaqësues ishin Nemanja Staroviq nga Partia Përparimtare Serbe, Sanda Rashkoviq Iviq nga Partia Popullore, Branko Ruzhiq nga Partia Socialiste e Serbisë dhe Gjorgje Paviqeviq
Çfarë është Rregulli “Chatham House”?
Në faqen zyrtare të “Catham House” shkruan kështu: “Ne jemi një institut i pavarur politikash dhe një forum i besuar për debat dhe dialog. Kërkimet dhe idetë tona i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë botën tonë në ndryshim.”
Rregulli “Chatham House”, sipas të dhënave që gjenden në këtë faqe, thuhet se ndihmon në krijimin e një mjedisi të besuar për të kuptuar dhe zgjidhur probleme komplekse.
Fryma e tij udhëzuese është: ndani informacionin që merrni, por mos zbuloni identitetin se kush e tha atë.
Rregulli është si vijon:
“Kur një takim, ose një pjesë e tij, mbahet sipas rregullave të Chatham House, pjesëmarrësit janë të lirë të përdorin informacionin e marrë, por nuk mund të zbulohet as identiteti, as përkatësia e folësit ose e ndonjë pjesëmarrësi tjetër.”

