Turqia i nis hetimet për varjen e kukullës së Erdoganit në Suedi, mund të preket anëtarësimi në NATO
Prokurorët turq të premten filluan një hetim për incidentin në Stokholm, ku një kukull që i ngjante presidentit turk, Rexhep Erdogan, u vra për këmbësh, me kokë poshtë, njoftuan mediet shtetërore turke.
Në pamjet e publikuara fillimisht në Twitter nga i ashtuquajturi Komiteti Suedez i Solidarizimin për Rojavan, duke iu referuar rajoneve kurde në Siri, shihet kukulla e varur për këmbësh pranë objektit të administratës së qytetit, ndërsa disa njerëz qëndronin afër saj.
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, i tha të premten televizionit TV4 se ky akti ishte “tepër serioz” dhe se e konsideron atë sabotim kundër aplikimit në NATO. Policia tha se nuk ishte në dijeni për incidentin derisa ai përfundoi.
Turqia e ftoi të enjten në takim ambasadorin suedez për shkak të këtij incidenti, i cili ndodhi disa muaj pas fillimit të përpjekjeve të Stokholmit për ta fituar përkrahjen e Ankarasë në synimin për t’u anëtarësuar në NATO.
Turqia ka thënë se Suedia duhet të marrë qëndrim më të qartë kundër atyre që i cilëson terroristë, kryesisht militantë dhe organizata kurde që i fajëson për përpjekjen e dështuar për puç më 2016.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, “Anadolu”, tha se hetimi është nisur pas paraqitjes së një ankese nga avokati i presidentit Erdogan, raporton agjencia “Reuters”.
“Një ankesë kriminale është paraqitur në zyrën e kryeprokurorit publik të Ankarasë, me kërkesën për fillimin e një hetimi kundër autorëve”- shkroi në rrjete sociale avokati i presidentit, Huseyin Aydin.
Duke u bërë jehonë medieve pro-qeveritare që i publikuan pamjet e incidentit, ai tha se është marrë vesh që ky veprim është organizuar nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila konsiderohet grup terrorist nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Suedia dhe Finlanda nënshkruan një marrëveshje trepalëshe me Turqinë vitin e kaluar me qëllimtë tejkalimit të ankesave të Ankarasë ndaj tyre me qëllim për t’u anëtarësuar në NATO.
Terör örgütü PKK sempatizanları İsveç'in başkenti Stockholm'da belediye binasının karşısında Cumhurbaşkanı Erdoğan'ın maketini astı.
— Yeni Şafak (@yenisafak) January 12, 2023
Kryeministri suedez i tha televizionit TV4 se “rreziku është aty” që ky incident mund të ndikojë në procesin e anëtarësimit në NATO.
“Është bërë me qëllim, do të thosha unë, si sabotim kundër aplikimit të Suedisë në NATO. Është e rrezikshme për sigurinë suedeze që të veprohet në këtë mënyrë”- tha kryeministri Kristersson.
Zëdhënësi i presidentit Erdogan, Ibrahim Kalin, e dënoi protestën “e neveritshme e të tmerrshme” dhe tha se autoritetet suedeze janë të obliguara që të ndërmarrin hapa konkretë sipas ligjit dhe sipas marrëveshjes me Turqinë.
