“Turp”, “Pse po ikin shqiptarët”: Qysh po bëjnë “opozitë” deputetët myslimanë të VV-së ndaj Qeverisë Kurti? - NACIONALE

“Turp”, “Pse po ikin shqiptarët”: Qysh po bëjnë “opozitë” deputetët myslimanë të VV-së ndaj Qeverisë Kurti?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Çarja në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është tashmë e njohur për publikun. Dhe ka më shumë se një çarje. Përveç disa deputetëve “rebelë” si Haki Abazi e Fatmi Humolli, janë edhe disa deputetë të tjerë që kanë mospajtime me LVV-në e madje edhe “hatërmbetje” nga nismat e Qeverisë Kurti.

Një nga këto “grupe”, ndonëse jo të formalizuara, është grupi i deputetëve konservatorë, të cilët gazeta Nacionale i quan “deputetë myslimanë”, por pa ndonjë konotacion pezhorativ. Eman Rrahmani, Visar Korenica e Gramos Agusholli janë më aktivët në mesin e këtij “grupi jo formal” të deputetëve myslimanë.

E gjithë çarja nisi me projekt-kodin civil, që parashihte lejimin e bashkëjetesave të seksit të njëjtë, një “herezi” e papranueshme për deputetët konservator të LVV-së (por jo vetëm të LVV-së). Por dallimi mbi seksin, ka çuar në shpërfaqje të dallimeve të tjera, gjersa disa deputetë myslimanë të VV-së e kanë “radikalizuar” paksa gjuhën karshi Qeverisë Kurti II.

“Opozita” e deputetëve myslimanë

Eman Rrahmani, deputet me bindje konservatore i VV-së, është më aktivi në “kritikën” ndaj Qeverisë Kurti II. Deputeti nga Prishtina ka 3 postime interesante brenda pak ditëve, të cilat targetojnë qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Me 25 dhjetor, z. Rrahmani u përfshi në debatin rreth ngjarjes raciste ku u përfshi ministri Faton Peci, i cili nuk veproi asgjë përderisa largohej me forcë një vajzë lypësare nga kafeneja ku Peci po kalonte kohën me një person tjetër.

Rrahmani ishte i qartë, përkundër që nuk përmendi emra.

“Racizëm. Turp!” – ishte fjalia e vetme që shkroi z. Rrahmani, mjftueshëm sa për të bërë bujë në media.

Por Rrahmani kishte ca fjalë edhe për ikjen e shtuar të shqiptarëve nga Kosova, duke pyetur disi i çuditur se pse po ikin shqiptarët.

“Çka po ndodh me ne! Pse po ikin shqiptarët?!” – shkroi ai, dy ditë më parë.

E dje në mbrëmje z. Rrahmani dha ca këshilla falas për Qeverinë Kurti, duke theksuar se rritja e pagave në sektorin publik e privat duhet të ndodh sa më shpejt.

“Këto janë masat që duhet urgjentisht të merren për të ndalur ikjen e profesionistëve dhe fuqisë punëtore të fushave të ndryshme jashtë vendi.” – shkroi Rrahmani ndër të tjera.

Në një postim të mëhershëm, z. Rrahmani tingëllonte sikurse të ishte pjesë e LDK-së, duke i kujtuar të gjithëve (e që target ishte Kurti) se liderët kosovarë duhet të ketë marrëdhënie të mira me ShBA-në.

Por deputeti shtatgjatë i VV-së e kishte bërë dallimin në pushtet edhe rreth çështjes së grevës së SBAShK-ut, duke i quajtur kërkesat si legjitime.

Ndërsa kolegu i tij, Visar Korenica, deputet konservator i VV-së, e ka kritikuar Qeverinë Kurti kohë më parë gjatë një emisioni në T7.

Gjatë një interviste në emisionin "Pressing" në T7, ai ka thënë se Qeveria ka ngecur në shumë fusha.

"Më shumë i pakënaqur sesa i kënaqur"- ka thënë ai, kur është pyetur se sa i kënaqur është me Qeverinë Kurti.

Me tej, ai i ka përmendur fushat në të cilat, sipas tij, ka ngecur Qeveria.

"Sa i përket qeverisjes qendrore, unë mendoj se ka stagnime në shumë fusha. merre arsimin, merre shëndetësinë, merre sektorin ekonomik, ku kemi shumë pak investime të huaja. Unë uroj që dyvjeçari që po e lemë, të jetë reflektim për qeverisjen që duhet me marrë hapa radikalë me i vendos njerëzit e duhur dhe adekuatë në pozicione"- ka thënë Korenica, duke shtuar se qeverisja nuk po ec mirë.

Ndërsa deputeti i VV-së nga Peja, Gramos Agusholli, nuk është bërë i gjallë që një kohë. Megjithatë, ai kritikën e fundit (që dorën në zemër është edhe e vetmja e tij) ndaj Qeverisë Kurti e shprehu në lidhje me një pikturë që promovon të drejtat e komunitetit LGBTQI+.

Më 22 dhjetor, Agusholli shkroi se ka pësuar dhunë psikologjike nga një fotografi në të cilën katër vajza puthen, duke e kritikuar Ministrinë e Kulturës për blerjen e saj. Ky postim i Agushollit u kritikua gjërësisht për shkak të gjuhës homofobike.

Ndryshe deputetët konservatorë kanë paralajmëruar Qeverinë Kurti se përsëri do të votojnë kundër projekt-kodit civil nëse i njëjti parasheh përsëri bashkëjetesën e seksit të njëjtë.

Lajme të ngjashme