Tri letra, asnjë reflektim: Përse Kuvendi dhe KQZ-ja po i injorojnë rekomandimet e BE-së?
Në vitin 2024, Bashkimi Evropian nuk është marrë vetëm me Qeverinë e Kosovës për dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. BE-ja dhe zyra e saj në Prishtinë kanë qenë të zënë edhe me Kuvendin e Kosovës dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Gjatë muajve maj dhe qershor, BE-ja ka dërguar disa letra për këto dy institucione kushtetuese. Pavarësisht rekomandimeve të bazuar për disa çështje, Kuvendi dhe KQZ-ja kanë refuzuar rekomandimet e BE-së si asnjëherë më parë.
Në këto letra evropianët kishin shprehur shqetësimet e tyre për disa projektligje dhe vendime të KQZ-së për kamerat dhe pozicionet e kabinave të votimit.
Shqetësimi i parë i BE-së kishte të bënte me përmbajtjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Përmes një letre dërguar kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, BE-ja kishte identifikuar mangësitë e projektligjit në fjalë.
Në letrën që e ka siguruar gazeta Nacionale, BE-ja i kërkonte komisionit që projektligjin ta harmonizon me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Sipas BE-së, në çdo mënyrë duhet të shmanget politizimi i Komisionit Parazgjedhor, i cili merret me përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Prokurorial.
“Megjithatë, shqetësimi ynë kyç mbetet që pluralizmi dhe pavarësia e Komisionit Parazgjedhor në përbërjen e tanishme të tij duhet të përmirësohet më tutje me qëllim që të përmbushet kërkesa kyçe e Komisionit të Venecias që çfarëdo mekanizmi duhet ta mënjanojë rrezikun e politizimit që rrjedh nga votat me shumicë të thjeshtë në Asamblenë e Përgjithshme”, thuhet në letrën që BE-ja ia ka dërguar Rrustemit më 15 maj.
Ndër të tjera, aty i rekomandohet komisionit në fjalë që të rikonsultohet prapë me Komisionin e Venecias.
“Për më tepër, ne do të donim që ta ritheksojmë rekomandimin tonë të fortë për ta rikonsultuar Komisionin e Venecias, i cili nuk e kishte ende mundësinë për ta komentuar rreshtimin e propozimit të ri, i cili parasheh që të gjithë anëtarët e pavarur të përzgjidhen nga Komisioni Parazgjedhor, përfshirë përbërjen e tanishme, me Standarde Evropiane. Vlerësimi i rreshtimit me Standarde Evropiane do të jetë gjithashtu kritik për vlerësimin e bërë nga Komisioni i BE-së në raportin e tij vjetor për Kosovën. Ne mbesim të gatshëm për t’ju asistuar më tej në këtë proces kritik të reformës”, është thënë në letër.
BE-ja ishte shqetësuar edhe me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Më 6 qershor, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Thomas Szyunog, i kishte dërguar letër disa komisioneve parlamentare dhe Kryetarin të Kuvendit, Glauk Konjufca, ku tregohej se komentet e BE-së për këtë projektligj nuk janë marrë parasysh.
“Sa i përket Draft-ligjit për amendamentimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, më lejoni që vetëm t’ju rikujtoj që Komisionet Parlamentare përkatëse tashmë kanë pranuar një Opinion Ligjor të Konsoliduar dhe një opinion të ndarë të shërbimeve të Komisionit të BE-së për Ligjin në fuqi për Zyrtarë Publikë. Ato dokumente gjithashtu e përbëjnë bërthamën e këshillës sonë në fushën përkatëse, prandaj respektimi i atyre komenteve nga Komisioni juaj do të ishte i mirëpritur”, është thënë në letrën e nënshkruar nga shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, e cila i është dërguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, kryetares së Komisionit për Integrimeve Evropiane, Rezarta Krasniqi, kryetarit të Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Valon Ramadani, si dhe kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.
Edhe në këtë letër ishin shprehur shqetësimet për Projektligjin për Këshillin Prokurorial.
Ndërsa më 21 maj, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Thomas Szyunog, i kishte dërguar një letër edhe KQZ-së.
Në letrën që e kishte publikuar gazeta Nacionale, diplomati evropian e kishte kritikuar KQZ-në për pozicionimin e ri të kabinave të votimit në vendvotim dhe vendosjen e kamerave.
Sipas Szyunog, kutia dhe kamerat nuk e ruajnë plotësisht privatësinë dhe fshehtësinë e votuesit.
Ai kishte kërkuar nga KQZ-ja që ta rishqyrtojë edhe një herë këtë vendim.
“Shqetësimet për Privatësinë dhe Sigurinë: Kamera ishin instaluar në të gjitha qendrat e votimit, duke ngritur pyetje për vendosjen e tyre dhe për potencialin e kapjes së zgjedhjeve të votuesve. Pozicionimi i kabinave të votimit shpesh nuk i ruante plotësisht privatësinë dhe fshehtësinë e votuesit, disa kabina ishin duke u vëzhguar nga kamerat. Vendosjet përkatëse të kamerave dhe kabinave të votimit duhet të rregullohet në mënyrë të tillë që edhe nëse kamerat janë të instaluara, ato të mos mund t’i vëzhgojnë votuesit duke i plotësuar fletëvotimet. Mjedisi si i përshkruar në udhëzimet e KQZ-së paraqet një sfidë ndaj fshehtësisë së votimit dhe do të mund ta prekte besimin e votuesve në proces”, është thënë në letrën e Szunyog.
Deri me tani, KQZ-ja nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do t`i marrë parasysh vërejtje e BE-së.
Rekomandimet e BE-së janë injoruar totalisht edhe nga Kuvendi i Kosovës.
Pavarësisht vërejtjeve, Kuvendi ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Deri me tani të rralla kanë qenë rastet kur institucionet qendrore kanë injoruar rekomandimet e BE-së, të cilat kanë pasur të bëjnë me çështje të brendshme të Kosovës.