Evropianët të shqetësuar me përmbajtjen e Projektligjit për KPK-në, ja letra e BE-së që Rrustemi e fshehu nga opozita
Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me përmbajtjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Përmes një letre dërguar kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, BE-ja ka identifikuar mangësitë e projektligjit në fjalë.
Në letrën që e ka siguruar gazeta Nacionale, BE-ja i kërkon komisionit që projektligjin ta harmonizon me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Sipas BE-së, në çdo mënyrë duhet të shmanget politizimi i Komisionit Parazgjedhor, i cili merret me përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Prokurorial.
“Megjithatë, shqetësimi ynë kyç mbetet që pluralizmi dhe pavarësia e Komisionit Parazgjedhor në përbërjen e tanishme të tij duhet të përmirësohet më tutje me qëllim që të përmbushet kërkesa kyçe e Komisionit të Venecias që çfarëdo mekanizmi duhet ta mënjanojë rrezikun e politizimit që rrjedh nga votat me shumicë të thjeshtë në Asamblenë e Përgjithshme”, thuhet në letrën që BE-ja ia ka dërguar Rrustemit më 15 maj.
Aty vlerësohet se duhet të garantohet që Komisioni Parazgjedhor të mos ndikohet nga partia në pushtet.
“Në këtë aspekt, Komisioni i Venecias kishte rekomanduar që Komisioni Parazgjedhor duhet të jetë ‘vërtet pluralist’, duke garantuar që nuk është ‘i mbizotëruar nga partitë në pushtet ose anëtarët e lidhura me të’, që ‘të paktën disa anëtarë që nuk janë të lidhur me shumicën politike duhet të kenë votuar për kandidatët’ dhe që të përfshihet ‘kontributi i ekspertëve’. Ju mund t’i gjeni komentet tona të hollësishme në dokumentin e mbyllur”, thuhet në letrën e BE-së.
Më tej, Komisionit për Legjislacion i rekomandohet që të rikonsultohet prapë me Komisionin e Venecias.
“Për më tepër, ne do të donim që ta ritheksojmë rekomandimin tonë të fortë për ta rikonsultuar Komisionin e Venecias, i cili nuk e kishte ende mundësinë për ta komentuar rreshtimin e propozimit të ri, i cili parasheh që të gjithë anëtarët e pavarur të përzgjidhen nga Komisioni Parazgjedhor, përfshirë përbërjen e tanishme, me Standarde Evropiane. Vlerësimi i rreshtimit me Standarde Evropiane do të jetë gjithashtu kritik për vlerësimin e bërë nga Komisioni i BE-së në raportin e tij vjetor për Kosovën. Ne mbesim të gatshëm për t’ju asistuar më tej në këtë proces kritik të reformës”, është thënë në letër.
Opozita e kritikon Rrustemin për fshehjen e letrës
Letra në fjalë sot ka qenë pjesë e debatit në mes të deputetëve të pozitës dhe opozitës, në mbledhjen e Komisioni për Legjislacion, ku është diskutuar edhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial. Deputetët e LDK-së dhe PDK-së e kanë kritikuar deputetin e VV-së, Adnan Rrustemi, se këtë letër nuk e ka ndarë me ta.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka bërë me dije se kryetari i komisionit është i obliguar që cdo dokument ta ndajë me anëtarët tjerë të komisionit.
“Ajo që për mua mbetet shqetësim është se nuk na keni njoftuar se ju keni pranuar në adresën tuaj një letër nga Zyra BE-së, të cilën e keni pranuar më 15 maj, dhe ku ata ngrehin shqetësime që nuk janë adresuar gjetjet e raportit të Komisionit të Venecias. Madje thotë: ju rekomandojmë fuqishëm që ta rikonslutoni edhe një herë Komisionin e Venecias. Ky dokument nuk ju ka dërguar juve si emër i përveçmen, por si kryetar i komisionit, dhe si kryetar i komisionit ish dashtë me e nda me krejt anëtarët e komisionit që me e pa se çfarë faze jemi”, ka thënë Selmanaj.
Ndaj pretendimeve të deputetit të LDK-së ka reaguar kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.
Ai ka thënë se nuk e ka fshehur letrën, por e ka ndarë vetëm me anëtarët e Grupit Punues, të cilin e kishte themeluar komisioni që e drejton.
“Letra e cila është dërguar nga Zyra e BE-së ka qenë në fazën të shqyrtimit të projektligjit në grupin punues. Dhe e kam trajtuar si letër drejtuar kryesuesit të grupit punues dhe ka pasur qasje secili që është përfshirë në këtë proces. Nuk ka qenë një letër në fazën e shqyrtimit në komision pasi që e ka përmbyllur grupi punues. Ka qenë në fazën e trajtimit në grup punues. Madje edhe komentet e Zyrës së BE-së kanë qenë për dispozitat specifike për të cilat jemi takuar edhe jemi ndalur me i adresuar”, ka thënë Rrustemi.
Opozita paralajmëron dërgimin e projektligjit në Kushtetuese
Në mbledhjen e sotme të komisionit, deputetët e partive opozitare kanë bërë me dije se Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të Komisionit të Venecias. Për këto arsyeje, ata kanë paralajmëruar që përsëri do ta dërgojnë këtë dokument për shqyrtim në Kushtetuese.
Deputeti Selmanaj ka thënë se LDK-ja është e vendosur të mbrojë kushtetutshmërinë.
“Më mirë është ta ndalin këtë proces tash, përkundër që e keni miratuar si komision dhe ta ktheni edhe një herë te qeveria në mënyrë që propozimi tjera të vijnë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, por edhe me idenë që reforma në drejtësi të jetë vërtetë reformë dhe të mos deformohet sistemi. Po ju them që kjo çështje fatkeqësisht do të përfundojë përsëri në Gjykatë Kushtetuese. Sepse jemi të vendosur të mbrojmë kushtetutshmërinë në këtë vend”, është shprehur Selmanaj.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i bindur se projektligji në fjalë do të rrëzohet nga Kushtetuesja.
“Po mendoj se qasja është gabim, vendimmarrja është ka rrezikohet dhe unë ju tregoj epilogun. Si të shkon ky ligj në Gjykatë Kushtetuese bije, sepse nuk është trajtuar rekomandimi kryesor i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Tahiri.
Të njëjtën bindjen e ka shprehur edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj.
“Ky ligj si i tillë nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sepse ka dhjetëra elemente që e shkelin Kushtetutën”, ka thënë Beqaj.
Në mars të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili ishte dërguar për shqyrtim në Kushtetuese nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se projektligji në fjalë në disa nëne nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.