“Kabinat e votimit”: KQZ-ja rrezikon të drejtën kushtetuese për fshehtësinë e votës, alarmohet BE-ja dhe shoqëria civile
Komisioni Qendror i Zgjedhje po e rrezikon fshehtësinë e votës së qytetarëve. Pozicionimi i ri i kabinave të votimit brenda vendvotimi po cenon seriozisht privatësinë dhe fshehtësinë e votuesit, të cilën e ka të garantuar me Kushtetutën e Kosovës.
Me vendimin e ri të KQZ-së kabinat e hapura të votimit do të jenë të kthyera nga pjesa e komisionerëve, vëzhguesve, kamerave dhe mediave.
Kjo praktikë për herë të parë është zbatuar në praktikë, më 21 prill, në procesin e votimit për largimin e katër kryetarëve të komunave veriore.
Pamjet e ofruar prej këtij procesi të votimit nga “Radio Evropa e Lirë” tregojnë se si do të duken në praktikë këto kabina.

Gjatë 24 viteve të kaluar, vendosja e kabinave të votimit ka qenë ndryshe.


Vendimi i KQZ-së për ndryshimin e porcionit të kabinave ka nxitur reagime të shumta.
Bashkimi Evropian dhe shoqëria civile janë shprehur të shqetësuar me pozicionin e ri të kabinave.
Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka kërkuar nga KQZ-ja që ta rishqyrtojë këtë vendim.
Përmes një letre dërguar KQZ-së, të cilën e ka botuar gazeta Nacionale, diplomati evropian ka vlerësuar se pozicionimi i kabinave të votimit nuk i ruan plotësisht privatësinë dhe fshehtësinë e votuesit.
“Shqetësimet për Privatësinë dhe Sigurinë: Kamera ishin instaluar në të gjitha qendrat e votimit, duke ngritur pyetje për vendosjen e tyre dhe për potencialin e kapjes së zgjedhjeve të votuesve. Pozicionimi i kabinave të votimit shpesh nuk i ruante plotësisht privatësinë dhe fshehtësinë e votuesit, disa kabina ishin duke u vëzhguar nga kamerat. Vendosjet përkatëse të kamerave dhe kabinave të votimit duhet të rregullohet në mënyrë të tillë që edhe nëse kamerat janë të instaluara, ato të mos mund t’i vëzhgojnë votuesit duke i plotësuar fletëvotimet. Mjedisi si i përshkruar në udhëzimet e KQZ-së paraqet një sfidë ndaj fshehtësisë së votimit dhe do të mund ta prekte besimin e votuesve në proces”, është thënë në letrën e Szunyog, të cilën ia ka dërgua KQZ-së me 21 maj.
Të njëjtat shqetësime i ka shprehur edhe Demokracia në Veprim, rrjeti i organizatave qeveritare që monitoron zgjedhjet në Kosovë.
Sekretariati i DnV-së, më 12 qershor, ka takuar kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, të cilin i kanë kërkuar që KQZ-ja të rimendojë mënyrën e vendosjes së kabinave të votimit brenda vendvotimit.
“Takimi vjen pas letrës zyrtare që DnV e kishte drejtuar javën e kaluar tek të gjithë anëtarët e KQZ-së. Në letër, DnV ka shprehur shqetësimet lidhur me ekspozimin e kabinave të votimit ndaj survejimit të kamerave dhe pjesëmarrësve gjatë procesit zgjedhor që u mbajt më 21 prill në komunat veriore. Kjo dukuri nuk ka qenë prezente në asnjë nga proceset zgjedhore në Kosovës. DNV beson dhe rekomandon që secilit votues duhet t’I garantohet privatësia dhe konfidencialiiteti I votës. DnV shpreson që rekomandimet dhe shqetësimet e ngritura do të merren në konsideratë për të përmirësuar integritetin e proceseve zgjedhore në të ardhmen”, është thënë në njoftimin e DnV-së.
Praktika e re e KQZ-së rrezikon të bije ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës.
Neni 45 i Kushtetutës së Kosovës e specifikon në mënyrë të qartë këtë çështje.
“Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”, thuhet në piken 2 të nenit 45 të Kushtetutës.
Arsyetimi i KQZ-së
Pavarësisht kritikave, KQZ-ja është munduar ta arsyetoi veprimin e saj.
Institucioni në fjalë ka vlerësuar se vendimi i ri ka për qëllim pamundësimin e fotografimit të votës.
KQZ-ja ka mohuar se pozicioni i ri i kabinave cenon fshehtësinë e votës.
“KQZ pas proceseve zgjedhore analizon të gjitha aspektet dhe bën përpjekje për përmirësimin e tyre në proceset e ardhshme. Në këtë drejtim është edhe ndryshimi i pozicionimit të kabinave të votimit që ka ardhur si rekomandim në vitin e kaluar, 2023, gjatë kohës së simulimit të procesit zgjedhor. KQZ ka vendosur që të marrë parasysh këtë rekomandim dhe ta praktikojë në proceset vijuese. Gjatë analizimit, KQZ ka vlerësuar se kjo mënyrë do të pamundësojë fotografimin e votës nga votuesi dhe gjithashtu nuk cenon fshehtësinë e votës”, ka vlerësuar KQZ-ja në sqarimin që ka dhënë më 21 prill.
Deri më tani, KQZ-ja ka injoruar shqetësimet e BE-së dhe shoqërisë civile.
Në mbledhjen e fundit të mbajtur më 21 qershor, KQZ-ja ka miratuar formatin e kabinave të votimit. Sipas vendimit të KQZ-së, një kabinë votimi do të jetë nga letër kartoni e fortë dhe do të vendoset mbi tavolinë.
Në këtë mbledhje, anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, i cili kryeson Këshillin për Operacione Zgjedhore, nuk e ka qartësuar nëse do të rikthejë pozicionimin e kabinave të votimit ashtu siç ka qenë deri me tani.
“Kjo çështje do të diskutohet kur të trajtohet doracaku për trajnim do të trajtohet edhe vetë orientimi i kabinave të votimit. Por, edhe ato komente që janë dhënë, edhe ato rekomandime që janë dhënë, duhet të merren parasysh rrethanat dhe hapësirat ku është zhvilluar procesi i votimit. Pra, nuk ka qenë e lehtë, ndoshta nuk ka qenë edhe mirë e transmetueshme, e kuptueshme, prej vetë komisionerëve të angazhuar për orientimin e kabinave të votimit, por ajo që ka ngjarë në procesin e votimit nuk do të ndodhë në vendvotimet kur do të kemi kohë të përgatitemi dhe të do të jenë të gjitha manualet të përgatitura me kohë për trajnimin e komisionerëve se si do të vendosen kabinat e votimit. Do të respektohet parimi i fshehtësisë së votës” ka thënë Elshani.
Kurse, anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka kërkuar që KQZ të organizojë një takim me shoqërinë civile dhe të gjithë ata që kanë rezerva për vendosjen e kamerave dhe për pozicionimin e kabinave të votimit për t’i sqaruar të gjitha dilemat që kanë.
“Ndoshta është mirë që ta kemi një orë, krejt praktike, me të gjithë ata që kanë rezerva lidhur me vendosjen e kamerave dhe me pozitën e vendosjes së kabinave të votimit” është shprehur Kurteshi.
Një ditë më parë, gazeta Nacionale ka raportuar edhe për një vendim tjetër të KQZ-së, i cili duket problematik në raport me të drejtat e njeriut.
Të premten e kaluar, KQZ-ja ka vendosur për largimin e përdorimi sprejin të padukshëm, i cili iu hidhej në gishtin tregues votuesve, duke e zëvendësuar atë me ngjyrë matrikuluese e llojit marker.