“Matrikulimi i votuesve”: KQZ-ja cenon të drejtat e njeriut, në zgjedhjet e ardhshme votuesit do t’i bëjë me shenjë - NACIONALE

“Matrikulimi i votuesve”: KQZ-ja cenon të drejtat e njeriut, në zgjedhjet e ardhshme votuesit do t’i bëjë me shenjë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një qytetar që do të votojë në zgjedhjet e ardhshme do të bëhet lehtësisht i identifikueshëm nga të tjerët, edhe përkundër vullnetit të tij. Kështu ka vendosur KQZ-ja.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po rrezikon të prishë praktiken e mirë të organizimit të zgjedhjeve në vend. Kjo pasi të premten e kaluar ka marrë një vendim për zëvendësimin e ngjyrës së padukshme të sprejit me ngjyrën matrikuluese për qytetarët që votojnë. Një vendim i tillë po konsiderohet si cenimi i të drejtave të njeriut dhe shkelje Kushtetutës, raporton Nacionale.

Deri më tani çdo votues që ka votuar ditën e zgjedhjeve i është hedhur sprej në gishtin e tij tregues, por kështu nuk do të jetë në zgjedhjet e ardhshme.

Spreji është vërejtur vetëm pasi gishtërninjtë i janë nënshtruar kontrollit të llampës ultravjollcë dhe jo me shikim të lirë.

Me vendimin e ri KQZ-ja ka vendosur që votuesit t`i bëj me shenjë.

Në këtë mënyrë, votuesve me anë të markerit do t’i bëhet një shenjë në gishtin tregues, e cila nuk do të hiqet lehtë.

KQZ e ka quajtur këtë si “ngjyrë matrikuluese”.

Kjo shenjë rrezikon që të mos largohet nga gishtërinjtë për të paktën dy ditë.

Kështu lehtësisht do të identifikohen qytetarët që kanë votuar dhe ata që nuk kanë votuar.

Identifikimi i qytetarëve si votues apo si jo votues, rrezikon ta shndërrojë KQZ-në në institucion që rrezikon të shkel të drejtën e privatësisë.

Madje, kjo rrezikon të bije ndesh edhe me Kushtetetutën e Kosovës.

Në nenin 45 të Kushtetutës specifikohet qartë kjo çështje.

Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”, thuhet në piken 2 të nenit 45 të Kushtetutës.

Për këtë çështje gazeta Nacionale i ka dërguar pyetjet edhe presidentes Vjosa Osmani, por deri në publikimin e këtij shkrimi Presidenca nuk është përgjigjur.

Ndonëse një praktikë e tillë nuk aplikohet një asnjë vend të Bashkimit Evropian, zyrtarët e KQZ-së janë munduar ta arsyetojnë një gjë të tillë.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka thënë se kjo praktik ekziston në Shqipëri.

Sipas tij, kjo është metodë më ekonomike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përdorë ngjyrën matrikuluese për identifikimin e votuesve, në qoftë se ka votuar apo jo, por edhe për t’i shënjuar ata në momentin që hyjnë në vendvotim. Dihet që në proceset e deritanishme është përdorur spreji dhe llampat, pra ka qenë një operacion më i madh për KQZ-në, pra është dashur të blihen llampat, bateritë, bateritë rezervë, spreji dhe pallomat. Duke e ditur gjithë këtë operacion, ne e kemi reduktuar vetëm në ngjyrën matrikuluese. Është shenjë që dallohet, pra është në formë markeri, ku kjo gjë praktikohet në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Vërehet edhe nga largësia, me sy të lirë, vërehet nëse një person ka votuar ose nuk ka votuar”, ka thënë Elshani, sipas EO.

Shqetësimi i monitoruesve të zgjedhjeve

Ndaj vendimit të KQZ-së kanë reaguar edhe shoqëria civile. Organizatat që monitorojnë procesin zgjedhor kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me vendimin e KQZ0-së.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka bërë se praktika të tilla kus votuesit bëhen me shenjë ekzistojnë vetëm në Afganista dhe vende që kanë probleme me demokracinë.

Kosova ka arritur përparime të konsiderueshme në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Pse sot KQZ-ja duhet të marrë vendime të cilat potencialisht mund të cenojnë të drejtat civile. Vendimi i javës së kaluar nga KQZ-ja për zëvendësimin e ngjyrës së padukshme me ngjyrën matrikuluese është regres. Qytetarët dhe partitë politike duhet të kundërshtojnë këtë vendim të KQZ-së. Ne siç kemi të drejtë të marrim pjesë në një proces zgjedhor, po ashtu e ruajmë dhe të drejtën të mos marrim pjesë në zgjedhje. Është e drejtë kushtetuese e garantuar. Këtë të drejtë se kemi pasur të cenueshme me ngjyrën e padukshme e cila mund të shihej vetëm me dritë ultraviolete, duke mbrojtur kështu privatësinë tonë si votues”, ka shkruar Kryeziu në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka treguar për problemet që mund të sjell vendi i ri i KQZ-së.

Sipas tij, kjo praktikë cenon të drejtat e njeriut.

Ngjyra matrikuluese është e dukshme për të paktën 24 orë dhe mund të zgjasë deri në 72 orë ose dhe më shumë. Për më tepër, kjo ngjyrë është rezistente ndaj larjes me ujë dhe detergjenteve të zakonshëm, nganjëherë edhe ndaj kimikateve më të forta, duke e bërë të vështirë heqjen e saj në një periudhë të shkurtër kohore. Ngjyra matrikuluese besoj unë, cenon të drejtat e njeriut siç është privatësia dhe anonimiteti, pasi që me anë të kësaj ngjyre në gisht, do ti ekspozohemi një publiku të gjerë, dhe secili që na sheh do të dijë a kemi votuar a po jo. E drejta e votimit është e drejtë private, për të cilën s’ka arsye të dijë publiku i gjerë. Tani me shenjëzimin e KQZ-së, mund ti nënshtrohemi një presioni stigmatizues dhe të jemi nën presion shoqëror të padëshiruar. Le anash presionet tjera, që potencialisht mund të bëhen nga partitë politike për të votuar dhe dëshmuar se a kemi votuar”, ka vlerësuar ai.

Kryeziu ka bërë me dije se ky nuk është standard i BE-së.

Në shtetet e Ballkanit Perëndimor, e as në vendet e BE-së përdorimi i ngjyrës matrikuluese nuk është praktikë, pasi shumica prej tyre kanë adoptuar sisteme të avancuara të regjistrimit të votuesve dhe masa të tjera për të siguruar integritetin e zgjedhjeve. Pse Kosova pas shumë pale zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duhet të vendos këto praktika të cilat kryesisht përdoren në vende si Afganistani, Nigeria, Iraku, Kongo etj. vende të cilat kanë histori të paqëndrueshme politike dhe zgjedhore, shpesh të shënuara nga dhuna dhe mashtrimet. Pra, krahasuar me disa nga vendet e përmendura, Kosova ka një kontekst të ndryshëm dhe një rrugë më të qëndrueshme drejt konsolidimit të demokracisë”, ka shkruar Kryeziu.

Ndryshimi i kësaj praktike është përkrahur nga anëtaret e të gjitha partive politike në KQZ.

Vendosja e prejit në gishtin tregues ka qenë praktikë që në Kosovë është vendosur në vitin 2000.

Lajme të ngjashme