Trazohet “Grupi i Tiranës” në VV, për pak ditë sulmoi Escobarin, Zajednicën e opozitën: A është në zor Kurti? - NACIONALE

Trazohet “Grupi i Tiranës” në VV, për pak ditë sulmoi Escobarin, Zajednicën e opozitën: A është në zor Kurti?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

“Grupi i Tiranës” është togfjalëshi me të cilin tashmë po përshkruhen aktivistët e zëshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nga Shqipëria. Elvis Hoxha, Dejona Mihali, Hysamedin Feraj, Boiken Abazi, Enis Sulstarova e Arbër Zaimi janë disa nga emrat më të njohur të këtij grupi, që po kritikohet ashpër nga ana e Lumir Abdixhiut, kryetar i LDK-së. Por në ditët e fundit, ky grup ka pasur aktivitet të ngjeshur në mbrojtje të Kurtit e në sulm ndaj "Zajednicës".

Shumica e tyre janë marrë me aktualitetin politik, duke kundërshtuar Asociacionin, të cilës vazhdojnë t’i referohen shumicën e kohës si Zajednicë. Por sigurisht ata nuk kanë kursyer nga kritikat as opozitën, Gabriel Escobarin e Miroslav Lajçakun, ndërkombëtarët e përfshirë në dialog.

Një gjë dihet, “Grupi i Tiranës” vazhdimisht përfshihet në diskutime publike dhe radikalizon gjuhën kur kryeministri Albin Kurti, shefi i tyre në LVV, gjendet nën presion. Ata dy vite më parë, kritikonin ashpër Richard Grenellin, të dërguarin e ish-presidentit Trump, ndërsa tash Escobarin e Lajçakun, por herë pas here edhe Borrellin, që shihen si figura që ushtrojnë presion mbi Kurtin.

Në fakt, ishte vetë Kurti që kishte përmendur presionet ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit, e cila marrëveshje ishte në shënjestër të “Grupit të Tiranës”.

“Fuqitë perëndimore nuk duhet të bëjnë presion mbi vendet më të vogla si Kosova, të cilat janë demokratike. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë mund të jenë të vogla dhe të bezdisshme, por ata duhet t'i kushtojnë vëmendje asaj që ka ndodhur në rajon sepse "çdo lloj zgjidhje e gabuar në Ballkan mund dhe do të përdoret diku tjetër." - deklaroi së fundmi kryeministri i Kosovës për AP-në.

Ndërsa opozita është në thumb të kritikave, posaçërisht Abdixhiku, i cili është i pari lider i rëndësishëm politik që ka hyrë në një betejë me aktivistët e LVV-së nga Shqipëria.

Çka shkruan "Grupi i Tiranës"?

Më aktivi nga të gjithë ishte Elvis Hoxha, i cili ka shkruar shumë gjatë javës së kaluar, përfshirë vikendin që iku dy ditë më parë. Hoxha u mor me Escobarin dhe Asociacionin. Madje me këtë të fundit, ai e kërcënoi edhe Maqedoninë e Veriut.

“Kjo është sipas Lëvizjes së Unitetit harta e asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Maqedoni të Veriut. Kjo hartë bëhet aktuale pas këmbënguljes së Escobarit.” – shkroi ai në një tekst të tij.

Pasi e përfundoi kërcënimin ndaj shtetit fqinj maqedonas, z. Hoxha iu kthye Abdixhikut, liderit më të atakuar nga ana e “Grupit të Tiranës”.

Argumentimi i Abdixhikut është krejt i paqartë. Ai thotë se duhet të bëhet asociacioni, pastaj e pranon vetë se drafti i FES është më i keq se më herët, pra siç e thotë vetë, ai do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese. Në fakt atë e quajti skizofren.

“Kuptova vetëm se skizofreni i vogël Lumir, nuk di se si të jetë kryetari në fazën e tretë të LDK-së. Sepse mendojeni mirë: pas fytyrës së LDK-së, Rugovës, vjen shfytyrimi i LDK-së, Mustafa. I gjori Lumir nuk po di a t'ketë a mos ketë fytyrë. Në pritje të përfundimit të reflektimit, për me kalu kohën, shpiku grupin e Tiranës.” – shkroi ai, status të cilin e shpërndau edhe Hysamedin Feraj, këshilltar i Kurtit.

Tutje, ai i “mëshoi” në një status tjetër përsëri Abdixhikut.

“Lumir Abdixhiku po na fton të mendojmë dy sende:

1. Ose, sa për t’iu bërë qejfin ameikanëve Kuvendi e ratifikon asociacionin dhe pastaj e rrëzon Kushtetuesja – ky është rasti kur Abdixhiku po luan me amerikanët;

2. Ose, për t’iu bërë qejfin amerikanëve, Kuvendi e ratifikon, dhe për habinë e tërë shqiptarëve Kushtetuesja e nxjerr asociacionin të vlefshëm, edhe pse ky flet për një etni superiore në një Republikë multietnike – ky është rasti kur Abdixhiku, njëjtë si Isa, luan me Kosovën.” – komentoi Hoxha.

Kundër Asociacionit shkroi edhe zonja Mihali, që është më e fuqishmja e grupit të Tiranës. Ajo shkroi dy statuse për këtë çështje. Zonja Mihali, për fuqinë e sëcilës në VV ka raportuar Nacionale disa herë, ende vazhdon ta quan Asociacionin si “Zajednicë”. Në një postim, Mihali ka thënë se njohja do të jetë në qendër, ndërsa në një tjetër ka shkruar se nuk kalon.

E natyrisht, valles s’kishte si ti mungonte Hysamedin Feraj. Ai e goditi edhe “Zajednicën”, por edhe opozitën për vizitat në Uashington.

“Dendur po shkon opozita në Washington, sigurisht t'ia mbushë mendjen administratës se Zajedica ia rrezikon aleatin e dashur, shtetin e Kosovës 🙃

Por nuk di pse s'po ia arrin qëllimit, me gjithë atë aftësi diplomatike që ka” – shkroi ai.

Por këshilltari i Kurtit shkroi edhe një shkrim të gjatë kundër Escobarit.

“"Trashëgimia Escobar"

Si kontributi i veçantë i z. Gabriel Escobar në rajonin tonë do të kujtohet ai për kthimin në potent të konflikteve latent?!

Ai nxiti etnitë të krijojnë asociacione etnike në Kosovë, në Serbi, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe kudo ku janë.

Sipas tij, kjo ëshë zgjidhja që mbështetet aktualisht nga SHBA, si rruga e duhur për normalizimin e situatës dhe arritjen e stabilitetit e të paqes në rajon.” – shkroi ai.

Natyrisht, Enis Sulstarova, miku dhe profesori i Kurtit (kështu i ishte referuar vetë Kurti atij), shkroi një postim kundër Asociacionit.

“Po duan shume qe kryeministri Kurti ta firmose Zajednicen qe te amnistohen te gjitha tradhtite qe i jane bere kombit qe nga vitet e fundit e deri me 1912-1913.” – shkroi ai.

Ndërsa Boiken Abazi, anëtari i Kryesisë së VV-së, e quajti Abdixhikun "djalë i dashuruar në Zajednicën".

"Zajednicën e ndalëm në vitin 2015, do ta ndalim edhe tani. Një foto përshëndetëse nga Tirana për Lumirin, djalin e dashuruar me Zajednicën" - shkroi ai.

Por “Grupi i Tiranës” nuk është deklaruar ende për çështjen e pranimit të planit franko-gjerman nga ana e kryeministrit Albin Kurti.

Lajme të ngjashme