Trazirat politike në Maqedoni shkaku i propozimit francez: Çka saktë po ndodh te fqinjtë?
Propozimi francez ka përplasur pushtetin me partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut. Që pesë ditë, mijëra qytetarë janë mbledhur para Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme kundër këtij propozimi.
Protestuesit kanë mbajtur në dorë pankarta me shkrime “Nëse e miratoni propozimin francez do të digjeni në ferr”, “Ultimatum – Jo faleminderit”, si dhe duke brohoritur “Dorëheqje” dhe “Ikni tradhtarë”.
Protestuesit kanë hedhur mjete të forta e mjete prioteknike, shishe qelqi në drejtim të policisë.
Një nga protestuesit ka gjuajtur me armë zjarri në ajër. Fatmirësisht ai është arrestuar nga policia atje.
Teksa të mërkurën mbrëma, protestuesit hodhën gurë në drejtim të statujës së Skënderbeut në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, duke dëmtuar dhe shumë prona dhe vetura të shqiptarëve.
Protestuesit hasën në rezistencë nga shqiptarët të cilën nuk i lejuan protestuesit të vazhdojnë drejt Çarshisë së Vjetër të Shkupit derisa ndërhyri policia që të evidentojë këtë konflikt.
Po ashtu, përpara objektit të Kuvendit, protestuestit dogjën fotografitë e deputetëve të shumicës të cilat i kishin vendosur në një pankartë të madhe.
Kjo protestë kundër propozimit francez po mbështetet nga opozita maqedonase, pra partitë VMRO DOMNE dhe Majta, teksa në anën tjetër pushteti po e akuzon liderin e opozitës, Hristian Mickovski për dhunën dhe për një skenar të prishjes së raporteve ndëretnike.
Ndërsa, partia e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe të gjitha partitë shqiptare janë pro këtij propozimi.
Sipas autoriteteve deri më tani janë ndaluar 11 persona ndërsa janë lënduar tre zyrtarë policorë.
“Po shfrytëzohet sentimenti anti-bullgar”
Për të kuptuar më shumë për situatën në Maqedoninë e Veriut, Nacionale ka biseduar me gazetarin dhe drejtorin e gazetës “Koha”, Arben Ratkoceri.
Ratkoceri për Nacionale ka thënë se në Maqedoninë e Veriut po shfrytëzohet nga një pjesë e shoqërisë sentimenti anti-bullgar.
Ai po ashtu thotë se çdo konflikt atje përfundon duke u sulmuar komuniteti shqiptarë.
“Propozimi francez të një pjese e shoqërisë maqedonase pa e analizuar mirë por edhe për përdorim ditor politik po kundërshtohet duke shfrytëzuar sentimentin anti-bullgar që është etabluar që nga periudha komuniste. Fatkeqësisht në Maqedoni çdo konflikt brenda maqedon përfundon me shfryerje dhe sulme ndaj shqiptarëve si fajtor kujdestar”, ka thënë ai.
Për më tepër, ai thotë se propozimi francez duhet të pranohet ose në të kundërtën mund të ketë një paqartësi në rrugën e Maqedonisë Veriore në të ardhmën.
“Propozimi francez duhet pranuar sepse në të kundërtën Maqedonia futet në pa qartësi serioze për të ardhmen e saj. Për shkak të një kohezioni të brendshëm mes dy etnive kryesore maqedonase e shqiptarr për integrim ne BE rruga e integrimit shihet si e vetmja dhe pa alternativa.”, u shpreh ai për Nacionale.
Ndërkaq ai u shpreh i shqetëuar në rast të refuzimit të propozimit të bërë nga Franca.
“Rrefuzimi eventual i këtij propozimi krijon hapësirë për ndërhyrjet e paleve tjera para se gjithash atyre ruse e serbe që nga një pjesë e konsiderueshme shoqerisë maqedonase shihen si aleat kryesore gjë që vendi do rrezikonte jo vetem stabilitetin e brishtë që ka por edhe atë rajonal.”, nënvizoi ai.
Çka thotë propozimi francez?
Propozimi francez për Maqedoninë e Veriut përbëhet nga shtatë pika dhe synim kryesor ka zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Pika që ka nxitur protesta është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.
“Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimin me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë.”, thuhet në pikën 2 të këtij propozimi.
“Në këtë drejtim, mirëpritet marrëveshja për protokollin e mbledhjes së dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të krijuar sipas nenit 12 të këtij Traktati. Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, të cilat mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të procesit të Stabilizim-Asociimit”, theksohet në pikën 3 të propozimit francez.
Në këtë propozim theksohet se në procesin e zgjerimit të BE-së, thelbësor mbetet bashkëpunimi rajonal dhe raportet ndërfqinjësore.

