Topi te Presidentja: A do t’i dëgjojë ndërkombëtarët apo KQZ-në për zgjedhjet në veri?
Para vetes ditëve në vazhdim do ta ketë një vendim tejet të rëndësishëm. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të duhet të vendos për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 18 tetor në veriun e vendit. Atje, situata është e tensionuar. Një polic është plagosur. Ndërkombëtarët kërkojnë shtyrje, KQZ-ja nuk e rekomandon këtë. Cili do të jetë vendimi?
Një mbledhje urgjente e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u mbajt sot nga ora 18:00. Ajo ishte e mbyllur, siç nuk ndodh fort shpesh. Aty u diskutua lidhur me rekomandimin për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve që është caktuar të mbahen më 18 tetor.
Vendimi ishte që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të rekomandojë shtyrjen e zgjedhjeve. Këtë e konfirmoi për gazetën Nacionale, anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani.
"U vendos që KQZ-ja nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve", tha Elshani.
Gazeta Nacionale ka mësuar se asnjë nga anëtarët e KQZ-së, nuk ka qenë pro që të rekomandohet shtyrja e zgjedhjeve.
Edhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se ky institucion nuk rekomandon për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve. KQZ-ja sipas tij, vetëm i organizon zgjedhjet. Sipas Radoniqit, janë institucionet e tjera që i bëjnë këto vlerësime.
Në anën tjetër, sot gjatë ditës Presidenca ka bërë të ditur se janë në pritje të rekomandimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Edhe pse disa media raportuan që tashmë Osmani ka vendosur për t’i shtyrë zgjedhjet, një gjë e tillë nuk u konfirmua asnjëherë.
Dje gjatë ditës presidentja Osmani ka pasur një takim edhe me drejtorin e AKI-së. Aty, Nacionale ka mësuar se Petrit Ajeti e ka njoftuar presidenten për sfidat që mund të jenë në pjesën veriore, nëse mbahen zgjedhjet.
Situata në veri ditëve të fundit është tensionuar dukshëm. Janë hedhur bomba të shokut, janë shkrepur armë zjarri. Është plagosur një polic, e janë sulmuar gazetarë.
Kosova po ballafaqohet me presion të madh nga ndërkombëtarët për t’i shtyrë zgjedhjet. E për këtë në Kosovë të hënë zbarkon këshilltari amerikan në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet.
Ndërkombëtarët kërkojnë shtyrje të zgjedhjeve
Tashmë, shtyrjen e zgjedhjeve e kanë kërkuar edhe publikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.
Që në mëngjesin e së premtes, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, shkroi se ai pajtohet me kërkesën e ShBA-së për shtyrjen e zgjedhjeve.
“Pajtohem me kolegun tim nga ShBA-ja se zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata e tanishme nuk është e favorshme për t'i mbajtur ato tani.”- ka shkruar Rohde në Twitter.
Jeff Hovenier, ambasadori amerikan në Prishtinë, ishte i pari ndërkombëtar që kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve. Dy ditë më parë, fillimisht dënoi dhunën e shkaktuara gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës.
“Dhuna dhe intimidimi, përfshirë përdorimin e pajisjeve shpërthyese, dhe rrezikimin e jetëve nuk është asnjëherë metodë e duhur e protestës,”- u shpreh ai.
Ndërsa këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, që pritet të qëndrojë më 12 dhe 13 dhjetor në Kosovë, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” vlerësoi se nuk është koha e duhur për të mbajtur zgjedhje në veri.
“Nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit. Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta…Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë.”, - tha ai.
Ndërsa, DASH-i amerikan tregoi se ehde çka do të flasë z. Chollet me zyrtarët qeveritarë e liderët politikë të Kosovës.
“Më 12-13 dhjetor, këshilltari Chollet do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me zyrtarë qeveritarë dhe liderë të tjerë politikë për të diskutuar bashkëpunimin e vazhdueshëm për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet e SHBA-së për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke.” – thuhet në njoftimin e DASH-it, transmeton Nacionale.com.
“Unë do të jem atje javën e ardhshme dhe kjo do të jetë ndër temat kryesore në bisedimet me presidenten dhe kryeministrit derisa presim të punojmë për një rrugë të përbashkët përpara." - shtoi Chollet.
Por deri tash të vendosur Qeveria e Kosovës, me ministrin Sveçla që vlerësoi se Policia e Kosovës ka kapacitete për të organizuar dhe sigruar zgjedhjet në veri.
Ndërsa Kurti sot në Kuvend vlerësoi se veprimet e ndërmarra në veri janë pjesë e një politike shtetërore.
“Nuk janë vendim dhe veprime politike, por shtetërore, që i parasheh Kushtetuta dhe ligji, të cilën e shërbejmë ne…Jemi në shërbim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë” – tha Kurti sot në Kuvend.
Çfarë thotë Ligji?
Ligji për zgjedhjet lokale si dhe ai për Presidentin e Republikës nuk janë krejt të qartë për një situatë të tillë. Aty, askund nuk parashihet, decidivisht, shtyrja e zgjedhjeve.
Megjithatë, ekziston një hapësirë ligjore, pikërisht në këto dy ligje.
Neni 4 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale, në pikën 4 të tij, e parasheh ndryshimin e afateve kohore, në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave.
“Pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të Kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë (5) ditësh tek Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës. Pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërbërjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes. Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave.” thuhet në ligj.
Ndërsa neni 6 i Ligjit për Presidentin flet për kompetencat e presidentit, të cilat parashihen me kushtetutë. Me kushtetutë, ndër kompetencat e presidentit janë edhe shpallja e zgjedhjeve dhe caktimi i datës.
Duke i parë rrethanat aktuale, duke pasur parasysh që shtyrja nuk parashihet shprehimisht, mbase këto janë nenet që mund të përdoren për shtyerjen e zgjedhjeve.
Pikërisht këto nene i kishte përdorur ish-presidenti Hashim Thaçi, kur i kishte shtyrë zgjedhjet në Komunën e Podujevës për shkak të pandemisë.
“Në mbështetje të nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, nr. 47, 25 janar 2009), nenit 4 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës (GZ, nr. 32, 15 qershor 2008), si dhe duke marrë parasysh kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të pranuar nga Zyra e Presidentit më 14 mars 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës ka nxjerr vendim për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës”- thuhej në vendimin e atëhershëm të presidentit Thaçi.


