Chollet kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri: Nuk është koha e duhur
Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Derek Chollet, duke komentuar situatën në Veriun e Kosovës ka thënë se tani nuk është koha për zgjedhje.
Chollet ka thënë se ShBA-ja me respekt sugjeron që këto zgjedhje të shtyhen, derisa të vijë koha e duhur kur mund të mbahen, pa nxitur më shumë paqëndrueshmëri dhe dhunë.
“Ne e kemi shprehur qartë se mendojmë se nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh brishtësinë e situatës në këto momente. Vetëm 24 orët e fundit kemi parë veprime të dhunshme, është një kohë shumë e tensionuar dhe duam të sigurohemi që ekzistojnë kushtet e duhura që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Kosova është një demokraci shumëetnike, si Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenarë për punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjatë 20 viteve të fundit për të ndihmuar në vendosjen e demokracisë në Kosovë. Dhe ne duam të vazhdojmë të punojmë për ta mbështetur dhe mbrojtur atë. Prandaj, ne sugjerojmë me respekt, që këto zgjedhje të shtyhen, derisa të vijë koha e duhur kur mund të mbahen, pa nxitur më shumë paqëndrueshmëri dhe dhunë”, ka thënë Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Chollet tutje ka bërë të ditur se çdo herë është në bisedime me ambasadorin e ShBA-së në Kosovës, Jeff Hovenier, për situatën që po zhvillohet në veri.
“Ne kemi biseduar vazhdimisht për këtë me kolegët tanë në Prishtinë. Ambasadori ynë atje Jeff Hovenier ka qenë shumë i angazhuar në këtë drejtim dhe unë do të shkoj atje javën e ardhshme Kjo do të jetë një nga temat kryesore për të cilat do të flas me presidenten dhe kryeministrin, ndërsa punojmë së bashku për të gjetur një emërues të përbashkët”, ka thënë Këshilltari i lartë i Deppartamentit të Shtetit.