Edhe Gjermania kërkon që të shtyhen zgjedhjet e 18 dhjetorit
Edhe Gjermania ka kërkuar, njësoj si ShBA-ja, që të shtyhet data e zgjedhjeve në pjesën veriore të Mitovicës. Kështu ka deklaruar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Rohde thotë se është e dukshme se, në situatën aktuale, nuk është e përshtatshme mbajtja e zgjedhjeve tani.
“Pajtohem me kolegun tim nga ShBA-ja se zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata e tanishme nuk është e favorshme për t'i mbajtur ato tani”- ka shkruar Rohde në Twitter.
E situata në pjesën veriore të vendit është serioze. Si rrjedhojë, të enjten mbrëma, një zyrtar i Policisë së Kosovës është plagosur gjatë një sulmi ta armatosur në veriun e Kosovës. Sipas policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit. Polici, menjëherë, me ekipe emergjente, është drejtuar për në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Të premten, drejtoresha e këtij spitali i dha hollësi Nacionales për gjendjen e policit.
Sipas saj, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai është goditur me një plumb në kraharor. Plumbin e ka ende në trup. Si rrjedhojë, polici duhet transferuar për në QKUK për ndërhyrje mjekësore.
Tërë këto incidente në pjesën veriore, pra në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - kanë ardhur si pasojë e zgjedhjeve që pritet të mbahen më 18 dhjetor. Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e kundërshton mbajtjen e tyre.