Tjetër gabim? Vuçiqi drejt pranimit të planit franko-gjerman, Kurti ishte i bindur që Serbia e ka refuzuar - NACIONALE

Tjetër gabim? Vuçiqi drejt pranimit të planit franko-gjerman, Kurti ishte i bindur që Serbia e ka refuzuar

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tash e një kohë të gjatë e përsërit vazhdimisht që Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman. Por, në fjalët e djeshme presidenti serb Vuçiq dha sinjale se në fakt Serbia mund ta pranonte atë plan. Çka saktësisht po ndodh?

Për ditën e sotme është paraparë një protestë në Mitrovicë të Veriut. Shkaku? Fjalët e djeshme të presidentit serb Aleksandër Vuçiq në një video-adresim para popullit serb.

Vuçiqi

Ai kishte dhënë sinjale të qarta se Serbia mund ta pranonte propozimin në fjalë, duke shkaktuar habi te komuniteti serb në veri të Mitrovicës... por, edhe gjithandej Kosovës.

“Jam i shqetësuar, nuk dua t’i fshehë problemet nën tepih. Erdhën të pestë, përfaqësues të tri vendeve më të mëdha evropiane... në fjalinë e dytë më dhanë se duhet ta pranojmë këtë plan dhe nëse nuk e pranojmë... sepse mendojnë se duhet pranuar. Ne do të përballeshim me ndërprerjen e procesit të integrimit evropian, nën dy, do të përballeshim me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, nën tre, me masa të gjithanshme në kuptimin ekonomik e politik,” – ishte shprehur mes tjerash presidenti serb.

Protesta e sotme u organizua nga politikani i ri Aleksandër Arsenijeviq dhe si pikë të parë përmendte “Politikat katastrofale të negociatave të presidentit Aleksandër Vuçiq dhe pranimin pa kushte të marrëveshjes së re.”

Ndërkohë, në Serbi edhe partitë tjera opozitare po i dalin kundër ashpërsisht presidentit serb. Por, kryeministri Kurti nuk ka besuar se do të vinte në këtë situatë në bazë të deklarimeve të tij publike.

Kurti

Kryeministri Kurti e përsëriti vazhdimisht e vazhdimisht përgjatë muajve të fundit që Serbia e kishte refuzuar planin franko-gjerman.

Madje, ai shkonte më tej duke u shprehur që vendi armiqësor fqinj po e maskonte refuzimin përmes tensioneve të shkaktuara në veri të Kosovës.

“Planin Evropian të mbështetur prej Francës e Gjermanisë ne e kemi parë si bazë të mirë për bisedime, ndërsa Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë në Beograd të mbajtur më 27 tetor 2022, me vendim unanim,” – tha z. Kurti më 10 janar.

Deri tash, nuk ka pasur një reagim qeveritar ose nga vartësit e tij në lidhje me fjalimin e djeshëm të Vuçiqit. Por, kishte pasur një paralajmërim ndaj Kurtit prej BE-së.

Perëndimi

Bashkimi Evropian në mënyrë të qartë ishte tallur me deklaratat e kryeministrit të Kosovës për refuzimin e Serbisë.

“Ne nuk jemi në dijeni që zoti Kurti është zëdhënës i Qeverisë së Serbisë prandaj për pozicionin e Serbisë do të ishte e duhur të kërkojmë përgjigje nga autoritetet serbe,” – kishin thënë nga BE-ja dy muaj më parë.

Për fat të keq, Kurti nuk i kishte marrë aq seriozisht këto fjalë.

Ndërkohë, përfaqësuesi i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pa sinjale pozitive në të dyja kryeqytetet për këtë plan.

“Jemi ende në fillim. Por shoh disa reagime pozitive nga të dy kryeqytetet. Realiteti është se në krizën aktuale nuk është ide e mirë që Evropa të mbajë një konflikt të ngrirë brenda kufijve të saj. Ajo që ne po bëjmë është të përdorim këtë propozim si një platformë për të gjetur një zgjidhje që do të funksiononte për të dy vendet...” – u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës e ka vlerësuar propozimin franko-gjerman si “bazë të shëndosh” për diskutime të mëtejme. Por, çka nëse ka përfunduar koha për diskutime të mëtejme?

Lajme të ngjashme