Pas vëllait në BQK, presidentes Osmani i punësohet tezakja në Agjencinë e Ministrisë së Pecit - NACIONALE

Pas vëllait në BQK, presidentes Osmani i punësohet tezakja në Agjencinë e Ministrisë së Pecit

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Tezakja e presidentes Osmani, Venera Çerkini, është përzgjedhur në pozitën e Drejtorit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, ku ministër është Faton Peci nga Lista Guxo. Punënsimi i saj vjen pasi disa ditë më parë edhe vëllai i presidentes, Ramadan Osmani u punësua në BQK.

Sipas raportimeve para disa muajve, ajo ishte një nga kandidatet kryesore për këtë pozitë për shkak të lidhjeve familjare me presidenten Osmani, gjë që u vërtetua më vonë, kur zonja Çerkini fitoi garën për pozitën e Drejtorit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë kundër Menderes Ibra dhe Lebibe Haliti.

Në njoftimin e publikuar nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, Venera Çerkini, çika e tezes së presidentes Osmani u rendit e para falë intervistës me gojë. Në testin me shkrim, zonja Çerkini ishte më pak e suksesshme pasi dy kandidatë të tjerë u renditen më lartë se ajo në këtë konkurs.

Në testin me shkrim, rezultati i testimit të zonjës Çerkini ishte 34.36, ndërsa dy kandidatët e tjerë për këtë pozicion shënuan mbi 37 pikë.

Ishte faza e vlerësimit të intervistës që e vendosi Venera Çerkinin përpara dy kandidatëve të tjerë, duke grumbulluar një total prej 76.76 pikëve.

Motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, Lebibja, ishte gjithashtu në mesin e kandidatëve serioz për këtë pozitë pasi kishte arritur të futej në listën e ngushtë.

Megjithatë, nuk është ky rasti i vetëm ku personat e afërt me pushtetin, janë përzgjedhur për drejtor në AZHB.

Gazeta Nacionale kishe raportuar edhe në shtator të vitit të kaluar për personat që ishin përzgjedhur në listën e ngushtë për Drejtor të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në vitin 2021, ishte raportuar se Lebibe Haliti gjithashtu ishte avancuar në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ajo ishte emëruar U.D. e Kryeinspektores së Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Lebibe Haliti është pjesë e sistemit publik shumë kohë më parë.

Kujtojmë që një nga premtimet parësore të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore, si dhe një nga ankesat kryesore gjatë kohës që kjo parti ishte në opozitë, ishte lufta kundër nepotizmit, jo punësimi partiak dhe familjar në institucionet e Kosovës.

Lajme të ngjashme