Motra e deputetit të VV-së, tezakja e presidentes – lista e ngushtë për Drejtor të Agjencisë në Ministrinë e Pecit - NACIONALE

Motra e deputetit të VV-së, tezakja e presidentes – lista e ngushtë për Drejtor të Agjencisë në Ministrinë e Pecit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tezakja e presidentes së Kosovës. Motra e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti. Ish zv/ministra të qeverive të kaluara. Këto kanë qenë vetëm disa nga pozicionet që i kanë personat që janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Drejtor të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Gazeta Nacionale ka siguruar listën e emrave dhe sjell detaje.

Venera Çerkini është çika e tezes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Emri i saj është në mesin e kandidatëve më të vlerësuar për pozitën: Drejtori Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Ky institucion vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, ku ministër është Faton Peci nga Lista Guxo.

Çerkini kishte qenë e ndërlidhur me këtë pozitë edhe më herët. Kjo pasi ishte emëruar zëvendësuese e Kryeshefit Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Pasi Kryeshef nuk kishte, Çerkini kishte udhëhequr me këtë pozicion.

Ishte raportuar se lidhja familjare me presidenten e Kosovës, ka ndikuar që ajo të jetë në mesin e kandidatëve të avancuar për këtë pozitë. Megjithatë, nuk është ky rasti i vetëm ku personat e afërt me pushtetin, janë përzgjedhur për drejtor në AZHB.

Motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, Lebibja, është gjithashtu në mesin e kandidatëve më të vlerësuar për të njëjtën pozitë. Në rezultatet e siguruara nga Nacionale, ajo shihet në mesin e emrave.

Në vitin 2021, ishte raportuar se Lebibe Haliti gjithashtu ishte avancuar në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ajo ishte emëruar U.D. e Kryeinspektores së Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Lebibe Haliti është pjesë e sistemit publik shumë kohë më parë.

Rend në këtë listë të ngushtë për Drejtor në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, pati edhe për përkrahës të pushtetit. Në mesin e tyre është edhe Habil Zeqiri.Ky i fundit në marsin e vitit 2022, nga Qeveria e Kosovës ishte emëruar edhe kryesues i Ndërmarrjes Hidromorava.

Nga postimet e tij nëpër rrjete sociale, shihet se është përkrahës i Vetëvendosjes. Madje, familjarë të tij kishin qenë në garë për asamblist në komunën e Gjilanit.

E një tjetër përkrahës që u përzgjodh në listën e ngushtë është Muzafer Luma. Ai në ditën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit si president, kishte shkruar fjalë të mëdha. “Kosovë, krenaria dhe dinjiteti ynë. Për nga mosha, shtet i ri, por demostruam qytetërim qindravjeqar në këto zgjedhje”, kishte shkruar ai.

Megjithatë, në garë janë edhe përkrahës e zyrtarë të pushteteve të kaluara. Në mesin e tyre është Kushtrim Brahimaj. Në vitin 2021 ai kishte qenë zv/ministër i Financave nga radhët e AAK-së.

Gjithashtu, në mesin e kandidatëve për Drejtor të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë është edhe Menderes Ibra. Ky i fundit kishte qenë këshilltar i ministrit të Financave në vitin 2013.

Konkursi për aplikim në këtë pozitë ishte mbyllur më 11 shtator.

Familjarët edhe në Kadastër

Ministria e Punëve të Brendshme, muaj më parë kishte hapur konkurs për pozitën “Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës”. Pozitë kjo, e cila është në kuadër të ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Lista e ngushtë del të jetë shuuumë e ngushtë.

Procesi tashmë ka arritur tek lista e ngushtë, e cila u bë publike me 7 shtator. Por edhe kësaj pozite, ia kanë mësyrë goxha njerëz të afërt me pushtetin, Lëvizjen Vetëvendosje.

Nga gjithsej 6 kandidatë, të cilët kanë arritur të hyjnë në garë të ngushtë, 3 nga ta, kanë lidhje me partinë në pushtet.

Madje kandidati i parë, Blerim Jashari i cili me profesion është gjeodet, Nacionale merr vesh se është baxhanaku i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zybës.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Jasharin, për të kuptuar, nësë në këtë pikë që ka arritur në konkurs, ka ndikuar pushteti i baxhankut të tij, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Jashari në rrjetin e tij social Facebook, ka të publikuar një fotografi të kryeministrit Kurti, e në të cilën ka shkruar “Baba”. Nuk ka mundësi biologjike që z. Kurti të jetë babai i tij biologjik apo adoptues.

I dyti në këtë listë është Edon Maliqi, me të cilin deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka postuar foto me të muaj më parë.

Por përveç kësaj, Maliqi është edhe ligjërues në universitetin privat, UBT, të cilin e drejton Edmond Hajrizi, një mik goxha i mirë i ministrit të Mjedisit, ku edhe është hapur konkursi, Liburn Aliu.

Edhe ish këshilltarja e Kurtit në garë për këtë pozitë

Nora Kelmendi, e cila është e pesta në këtë listë, është një tjetër kandidate potenciale për të marrë këtë pozitë.

Nacionale javë më parë, kishte raportuar se Kelmendi, është kandidate e rrethit të ngushtë, me më së shumti gjasa për të marrë këtë pozitë, të lartë drejtuese.

Nora Kelmendi kishte qenë ish këshilltare e Kryeministrit Kurti, gjatë Qeverisë Kurti I.

Lajme të ngjashme