Punësimet e militantëve në KEK – çfarë thonë ligjet dhe sa mund të jenë dënimet? - NACIONALE

Punësimet e militantëve në KEK – çfarë thonë ligjet dhe sa mund të jenë dënimet?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 4 mijë e 500 kandidatë kishin vendosur të aplikojnë për pozicione të ndryshme në Korporatën Energjetike të Kosovës. Aty do të punësoheshin 128 persona. Por, ashtu siç edhe raportoi gazeta Nacionale ditë më parë, u punësuan familjarë të komisionit vlerësues, anëtarëve të bordit, e militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Dikush po e quan si “Pronto 2”. Madje, Lidhja Demokratike e Kosovës punësimet dhe konkursin në KEK e ka dërguar edhe në Prokurori. Por, institucionet e drejtësisë kanë nisur hetime pa dorëzuar kallëzim penal. Prokuroria Themelore në Prishtinë nëpërmjet një komunikate për media, bëri të ditur se po grumbullojnë informacione për konkursin që rezultoi me punësimin e qindra personave me nepotizëm e lidhje politike.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë së Prishtinës.

Çfarë thonë ligjet në Kosovë?

Punësimi pa kritere dhe me favorizime politike është shkelje e të drejtave të njeriut për të gjithë pjesëmarrësit në konkurse publike. Kjo fillimisht, është e rregulluar me Konventën Universale për të Drejtat e Njeriut, që ka zbatim edhe në të drejtën e brendshme në Kosovë.

Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë të mbrohen nga ligji pa ndonjë diskriminim. Të gjithë kanë të drejtën e mbrojtjes së barabartë ndaj çfarëdo diskriminimi në kundërshtim me këtë Deklaratë dhe kundër çdo nxitjeje të diskriminimit”, thuhet në Konventën Universale për të Drejtat e Njeriut.

Shumëkush e quan “Bibël e Kuran”. Barazia para ligjit është e parashikuar qysh në nenet e para të Kushtetutës së Kosovës. Neni 24 thotë: “Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës.

Kjo çështje është e parashikuar edhe në Ligjin për Diskriminim. Ligji flet për personat që kanë shkelur ose shkelin të drejtat e personave në të gjitha fushat e jetës, posaçërisht: “kushtet për qasje në punësim, vetëpunësim dhe punësimin në profesion, përfshirë këtu kushtet e punësimit, kriteret e përzgjedhjes, pa marrë parasysh aktivitetin në të gjitha nivelet e hierarkisë profesionale, përfshirë avancimet”, thuhet në Ligjin për Diskriminim.

Çështja e konkurseve është e parashikuar edhe në nenin 8 në Ligjin e Punës.

Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës. Konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi, ashtu siç parashihet me këtë ligj dhe aktet tjera në fuqi”, thuhet në Ligjin e Punës.

Të gjitha këto nene, potenacialisht mund të jenë prekur në konkursin e fundit të KEK-ut, ku u pranuan 128 persona në vende të ndryshme të punës.

Një gjë e tillë është e elaboruar edhe me Ligjin për Konfliktin e Interesit..

Sa mund të dënohen?

Çështja e punësimeve pa merita është e rregulluar me Kodin Penal të Kosovës. Me këtë kod, specifikisht me akuzat për shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës, ishin akuzuar disa persona edhe në rastin Pronto. Nëse vërtetohen shkeljet në konkursin e KEK-ut, me të njëjtën akuzë mund të nisin hetimet edhe për këtë rast. Por çka thotë Kodi Penal.

Kushdo që për shkak të përkatësisë kombëtare apo etnike, racës, fesë, apo për shkak që nuk i përket ndonjërës përkatësi, apo për shkak të bindjeve politike ose bindjeve të tjera, gjinisë, invaliditetit, identitetit gjinor, orientimit seksual, gjuhës, arsimit, pozitës shoqërore, prejardhjes sociale, gjendjes materiale, apo ndonjë karakteristike tjetër personale, tjetrit ia mohon ose kufizon të drejtat e përcaktuara me Kushtetutë, ligj ose dispozita të tjera, akte të tjera të përgjithshme ose marrëveshje të ratifikuara ndërkombëtare, apo i jep privilegje apo favore bazuar në këto dallime, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet”, thuhet në Kodin Penal.

Me çështjen e punësimit personat mund të akuzohen edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkelë të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet. Personi zyrtar që e kryen veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni dhe përfitimi apo dëmi e tejkalon shumën prej pesëmijë (5000) euro, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet. Për qëllime të këtij neni, shpërdorimi i detyrës zyrtare përfshin, por nuk kufizohet në: shkeljen me dashje apo me dijeni të ligjit lidhur me detyrat apo punësimin e zyrtarit 3.2. moskryerja me dashje e ndonjë detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj”, thuhet në kod.

Çfarë ndodhi saktësisht?

Një ndër të punësuarit, Florent Berisha, është mik shpie i Halil Thaçit – deputet dhe kandidat për kryetar të Obiliqit nga Vetëvendosje.

Rrogë të KEK-ut do të marrë edhe vëllai i shefit të VV-së në Kuvendin e Obiliqit – Sami Ahmetit. Pos tij, me punë të shtetit është shpërblyer edhe Ermal Berisha – shef i shtabit zgjedhor në zgjedhjet lokale.

E pas figurave me rëndësi në Obiliq, radha u ka ardhur edhe aktivistëve të VV-së: Bujar Mehmeti, Samir Mjekiqi, Florim Terholli, Egzon Zhegrova, Besart Mehani, Valon Svirca e Sabri Elshani.

Se VV-ja këto punësime i kishte planifikur para zgjedhjeve, e konfirmon edhe kryefamiljar i njërit nga aplikantët e konkursit. Djali i tij, fatmirësisht apo fatkeqësisht, doli të jetë vetëm votues i VV-së, e kjo duket se s’e plotëson kriterin për punësim.

Kryefamiljari që deshi të mbetet anonim, ndoshta me shpresën se i vjen radha për shpërblim, tha për Nacionalen se VV-ja i kishte premtuar se do t’ia punësonte të birin nëse kokrrën do t’ia jepte VV-së.

Këtë premtim ia kishte bërë vetë Halil Thaçi, i cili kandidoi për të parin e Komunës në Obiliq.

“Halil Thaçi bashkë më disa persona tjerë të VV-së, nga Obiliqi, dy-tri ditë para zgjedhjeve më kanë ftuar në takim në një kafiteri të Obiliqit. Meqë jemi qytet i vogël, ne njihemi dhe ata e kanë ditur që djalin e kam pa punë. Më kanë premtuar që do ta punësojnë në KEK, në këmbim të votave familjes sime. Mirëpo kjo nuk ndodhi, edhe pse e kemi votuar të gjithë. Pas zgjedhjeve as s’ma ka çelë telefonin”, tha kryefamiljari për gazetën Nacionale.

Megjithatë, Nacionalja ka raportuar edhe për punësime të tjera me ndikim në KEK të cilat mund t’i lexoni KËTU.

Lajme të ngjashme