Tepër vonë, pesë minuta n’12: A ka problem Qeveria Kurti me “sahat”?
Dy deklarata nga Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, dhe Manuel Sarrazin, i dërguar i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, duket se shpërfaqin një “fenomen” të çuditshëm në Qeverinë e Kosovës. Sarrazin dhe Osmani folën për vonesën e Qeverisë, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, duke përdorur dy togfjalëshe interesante.
Duke folur për zotimin e Qeverisë Kurti për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Osmani theksoi se letra e nënshkruar nga Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është dërguar “pese minuta në 12”. Ndërsa Sarrazin sqaroi se vendimi për ndarjen e tokave për Manastirin e Deçanit, një e drejtë e fituar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, erdhi “tepër vonë”. Në këtë kontekst, pyetja legjitme është e thjeshtë: a ka probleme Qeveria Kurti me “sahat”?
Sahati i pushtetit
Së pari, duhet të sqarojmë çfarë nënkuptojmë me termin “probleme me sahat”. Sigurisht, është një metaforë, një shprehje figurative, që shënjon mungesën e ndërmarrjes së hapave konkrete në kohë të duhur dhe paaftësinë për të lexuar situatën e kapur momentumin. Sahati është njehsor dhe, në këtë shkrim, problemi me sahat nënkupton diçka që nuk punon si orë, një gjë që çalon, pamundësi për rrokjen e realitetit.
Albinot Maloku, politolog, thotë se zhvillimet e momenteve Qeveria Kurti është “duke i lexuar me shumë sipas qejfit të saj, por jo sipas matësit që i leverdisë vendit”.
“Qeveria Kurti, nga ajo që tanimë shohim nga angazhimi i saj, vërehet se ajo zhvillimet e momenteve është duke i lexuar më shumë sipas qejfit të saj, por jo sipas matësit që i leverdisë vendit. E mënyra e leximit të momenteve sipas qejfit të saj, po bëhet e dëmshme për perspektiven e Kosovës! Por, po ashtu është i pa arsyeshëm konstatimi i emisarit special të Gjermanisë, diplomatit Manuel Sarrazin se vendimi për Manastirin e Deçanit u vonua shumë, përndryshe Kosova do të ishte pjesë e KiE-së nëse do të bëhej më herët ky vendim. Kjo nuk është arsye e fort që Kosovës iu pamundësua anëtarësimi në KiE!” – ka thënë Maloku për Nacionalen.

Në analizën e Shkodran Ramadanit, sociolog, deklaratat e Osmanit e Sarrazinit tregojnë se Qeveria Kosova ka bërë koncesione, “por nuk i ka marrë benefitet për shkak të zvarritjes, vonesave dhe ekzibicioneve”.
“Vetëvendosje ka premtuar që, me të në qeverisje, Kosova do të merr vetëm benefite, pa bërë koncesione. Kjo sepse sipas tyre, ata kanë dijen, guximin dhe vendosmërinë për të bindur bashkësinë ndërkombëtare për një gjë të tilë. Në anën tjetër, në realitet, me Vetëvendosjen në qeverisje Kosova vetëm bën koncesione pa marrë asnjë përfitim në këmbim” – ka thënë Ramadani.
Sipas sociologut Ramadani, Kosovës nuk i duhet “turburllira ideologjike e as slloganet boshe, por kthjelltësi realiste, që pranon se në çështjet ndërkombëtare nuk ka rrugë të shkurtra, nuk ka zgjidhje magjike, por vetëm punë të vështirë dhe të durueshme”.
“Thelbi i çështjes është ky: Flluska ideologjike e Vetëvendosjes ka plasur. Iluzioni i madh se Kosova mund të rishkruante rregullat e diplomacisë ndërkombëtare përmes vullnetit popullor, ose se lidershipi i saj mund të magjepste apo detyronte bashkësinë ndërkombëtare të pajtohej me pikëpamjet tona për situatën, është shembur tërësisht. Dhe ndërkohë, kosovarët vazhdojnë të presin duarbosh, me sakrificat e tyre të papranuara dhe aspiratat e tyre të penguara” – ka vlerësuar Ramadani.
Në fund, Ramadani e bëri një krahasim në mes Kosovës dhe Serbisë, duke tentuar të “pikturojë” realitetin në mes marrëdhënieve të këtyre dy vendeve me ndërkombëtarët.
“Përveç që ka koncesione pa benfite, Kosova ka shkopinj (sanksionet, masat, izolimi, mungesa e perspektivës së integrimit).
Serbia përveç që nuk po bën koncesione dhe po merr benefite, po merr edhe karrota (marrëveshje me ShBA-në, Gjermaninë dhe Francën, dhe duket se është në pozicion shumë më komod se Kosova)” – ka përfunduar Ramadani.