“Te Rama, në veri”: Qysh po i “përcjell” Dejona Mihali në vizita Kurtin, Bislimin e Sveçlën?
Dejona Mihali është emër jo aq i njohur në publik, ndonësë muajt e fundit emri i saj u përmend disa herë. Madje, pas një deklarate të Haki Abazit, deputet i rebeluar i VV-së, zonja Mihali ishte emër i popullarizuar për disa ditë në media e në Facebook, pasi e quajti si “Masha e Kurtit”. Mihali, koordinatore e komiteteve në VV-së, të cilën Nacionale e emërtoi si “Kadri Veseli i VV-së”, nuk ka ndonjë pozicion zytar, ajo është parë së fundmi në delegacionit e kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës në Tiranë, prej nga vjen edhe vetë Mihali.
Në albumin e fotografive të postuara nga Kurti, Mihali shihet së paku në një takim gjatë vizitës së djeshme të shefit të ekzekutivit në Shqipëri. E fuqishmja Mihali, që është aktiviste e VV-së nga Shqipëria, u “përcolli” Kurtin gjatë takimit me Lindita Nikollën, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
“E diela e fundjavës së fundit të muajit mars, ishte ditë e një vizite pune në kryeqendrën e Republikës së Shqipërisë. Takova presidentin Bajram Begaj, kryekuvendaren Lindita Nikolla, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë së Lirisë, ish-presidentin Ilir Meta. Secilin prej tyre e njoftova për së afërmi me procesin e dialogut, takimin e 18 marsit në Ohër, marrëveshjen e arritur atje dhe elementet përbërëse të saj, krahas progresit të shënuar në Kosovë gjatë qeverisjes sonë dyvjeçare.” – shkroi Kurti, transmeton Nacionale.

Aty shihet edhe z. Gent Carrabregu, një ligjërues në Duke University, që publikisht është i afërt me LVV-në e Kurtin. Nuk dihet se përse zonja Mihali e z. Carrabregu kanë qenë pjesë e ekipit të Kurtit gjatë vizitës zyrtare të tij në Tiranë, ku u takua edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Për këtë çështje, gazeta Nacionale e ka pyetur zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Nacionale e ka pyetur Qeverinë Kurti se në çfarë funksioni e cilësie ka marrë pjesë zonja Mihali dhe z. Carrabregu në këtë taim. Tutje, Nacionale është interesuar të kuptojë nëse Mihali dhe Carrabregu kanë marrë ndonjë pozitë zyrtare në Qeverinë Kurti II, por deri në momentin e këtij artikulli, nuk ka pasur një përgjigje nga ana e ekzekuivit.
Por kjo nuk është hera e parë që zonja Mihali e përcjell dikë nga ekzekutivi në vizita jashtë dhe brenda Kosovës. Në fakt, muaj më parë, Mihali ra në sy teksa mori pjesë në një takim në veri së bashku me Besnik Bislimin, zëvendëskryeministër i Kosovës, e Xhelal Sveçlën, ministër i Punëve të Brendshme.

Ndonëse nuk ka ndonjë funksion zyrtar në MPB, zonja Mihali u pa në brendi të stacionit policior në veri, ku bashkë me Bislimin e Sveçlën ngrënën fli për nder të festës së 28 Nëntorit.
“Me fli të përgatitur nga një nënë nga Llapi e një vajzë nga Istogu, u bashkuam rreth sofrës për të festuar bashkë festën e 28 Nëntorit me zyrtarë policor të cilët me vullnet, profesionalizëm e përkushtim po kryejnë detyrat e tyre në veri të vendit tonë.” – shkruante Sveçla, teksa Mihali shihej në dy foto.
Ndryshe, gjatë muajve të fundit, emri i Mihali është bërë më i njohur publikisht, posaçërisht pas akuzës së deputetit Abazi se ia ndaloi fjalën në Kuvendin e Kosovës.
“Zonja Mihaili nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme për zgjedhjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por, është njeriu kryesor që kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarrjet që bëhen aty.” - u shpreh Abazi sot.
Për këto akuza, zonja Mihali ishte deklaruar shkurtimisht.
“Jo, nuk i kam parë deklaratat, jam në një takim për momentin, kështu që juve punë të mbarë” - tha shkurt Mihali.
