“Të mos lejojmë që ky trup t’i shkaktojë probleme Kosovës”: Osmani do ta ftojë opozitën në takim rreth draft-Statutit të Asociacionit
Opozita parlamentare do të ftohet për takim konsultues nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të biseduar rreth draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe; draft ky që është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe që është pothuajse në fazën përfundimtare të saj ndonëse ende po bëhen vlersimet e komenteve të palëve në Bruksel.
Për takimin me opozitën – pasi që opozita edhe zyrtarisht ka pranuar draft-Statutin nga ndërmjetësit evropianë – njoftoi vetë Osmani; e cila tha edhe se përveç komenteve të saj që ka në raport me draftin do të dëgjojë edhe ato të opozitës. Osmani tha se dëshiron që edhe komentet e opozitës “t’i inkorporojë”.
“Atëherë ne do të presim në momentin që ata e publikojnë drafti nuk besoj që do të ketë ndonjë problem që të publikohen edhe komente e institucioneve. Në momentin që dokumenti shkon në Gjykatën Kushtetuese, siç është paraparë në draft statut si president e vendit do t’i dërgojë komete të cilat kanë për qëllim që ky draft të eliminoj disa prej këtyre paqartësive”, ka thënë presidentja, siç e citoi Ekonomia Online.
“Së shpejti do ti thërras edhe partitë opozitare ne takim që të dëgjoj, pasi që e kanë marr edhe ata draftin se cilat janë vlerësimet e tyre, cilat janë komente e tyre cilat janë çështje që ata dëshirojnë që ata të sqarohen dhe do t’i inkorporoj edhe ato komente, natyrisht të gjitha ato më të cilat pajtohemi dhe kemi vlerësimin e njëjtë në mënyrë që të përforcohen dhe të bashkohen zërat tanë për të gjitha ato çështje që mendojmë që të përmirësohet ky draft”.
Takimi me opozitën, siç shtoi ai, nuk do të kufizohet vetëm në draft-Statutin por edhe në tema tjera “të interesionit nacional”.
“Tani për fund vite do t’i ftoj partitë opozitare për konsultime për këtë temë dhe shumë tema të tjera, që kanë të bëjnë me interesin nacional. Do t’i njoftoj edhe ata për çështjet që i kam identifikuar edhe unë dhe kabineti im. Jam e bindur që përderisa e kemi qëllimi që të mos lejojmë ndonjë trup, i cili i shkakton probleme Kosovës atëherë do të kemi mundësi që të arrijmë atë nëpërmjet mekanizmave që ekzistojnë në Kosovë”, tha ajo.
Vërejtjet e Osmanit për Draftin
Osmani, ndryshe nga Qeveria e Kosovës që e ka vlerësuar draftin menjëherë si në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ka qenë tejet e rezervuar në lidhje me përputhshmërinë kushtetuese të këtij draft-Statuti derisa ka thënë se “që nuk do të ngutesha të jap vlerësime” dhe se në draft-Statut “ka dykuptimësi” që përbëjnë probleme.
“Ka çështje të cilat patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, e rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë. Me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Osmani.
Qëndrimet e opozitës
"Asociacion më nuk ka, tash ka autonomi".
Kështu e përkufizoi krejt përmbajtjen e draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një intervistë në Pressing të T7.
Abdixhiku e tha me tonet më të ashpra dhe ironike se “Asociacioni është ‘aq i mirë’ sa që i referohet Rezolutës 12/44...është ‘aq i mirë’ sa që i merr kompetencat ekzekutive komunave...është ‘aq i mirë’ që tejkalon Gjykatën Kushtetuese në Gjykatë të Arbitrazhit”.
Por, jo thjesht autonomi; frika e LDK-së, tha Abdixhiku, është “evoluimi” i saj në procesin 10 vjeçar të mbikëqyrjes nga Bashkimi Evropian, “ku ka gjasa legale, reale dhe politike” që të mund të përfundojë “në federalizim të shtetit të Kosovës”.
E po qe se ndodh ky federalizim “atëherë nuk ka duhet më as njohja nga Serbia”, u shpreh ai.
Partia Demokratike e Kosovës, prej kryetarit të saj dhe të tjerët, përmbajtjen e draft-Statutit e kanë parë të përkthyeshme në “autonomi të plotë territoriale dhe politike”.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka qenë mbështetëse e Marrëveshjes Bazë që nga fillimi, ka thënë se dokumenti “është bukur i pasur në përmbajtje” si dhe, kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka shtuar madje se “Serbia ka arsye të ndjehet fitimtare” rreth draftit.


