Pse veç Veton Surroi e tha atë që s’pe thotë Qeveria rreth draft-Statutit të autonomisë serbe?
Për herë të parë Kosova ka pranuar draft-Statut të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe; ndërsa përmbajtja e saj është provuar të mbahet e fshehur dhe e pakomentuar nga Qeveria e Kosovës. Dhe atë nga po të njëjtët sot të cilët të djeshmen e kanë të ndërtuar mbi premisa të refuzimit të këtij institucioni.
Oferta e tyre zgjedhore dhe premtimi politik mbi njëdekadësh i tyre ka qenë saktësisht mohimi i saj; ndërsa sot u është mohuar qytetarëve të qënit në dijeni për atë se çfarë po ngjan në prapaskenë.
Dialogu me Serbinë – mund të themi me siguri të lartë epistemike – është privatizuar dhe personalizuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti tha se draft-Statuti “është më i avancuar” se në vitet 2013 dhe 2015; ndonëse as më 2013 dhe as 2015 nuk ka pasur draft-Statut; ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me një shikim thjesht “sipërfaqësor” tha se “është plotësisht në përputhje me Kushteutën e Kosovës”; kurse Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se draft-Statuti “nuk përbën kurrëfarë autonomie” për komunat të banuara me shumicë serbe.
Por, draft-Statuti që tashmë ka dalë në media, që nuk është demantuar, e për më tepër që është konfirmuar nga opozita që e ka marrë draftin zyrtar nga BE, pikturon një tablo krejt tjetër: atë të një autonomie të plotë territoriale në potencialitet të frikshëm për t’u konkretizuar në federalizim.
LDK e ka quajtur “autonomie në evoluim” dhe “jo më Asociacion”; PDK e ka quajtur “autonomi të plotë politike dhe territoriale”; ndërsa AAK si mbështetëse e marrëveshjes është shprehur se “Serbia ka arsye të ndjehet fitimtare” në atë se çfarë përmbahet në këtë draft.
I vetmi megjithatë nga rrethi qeveritar i angazhuar në dialogun me Serbinë, që, për habinë e shumëkujt, ka dalë përtej përdredhjes dhe interpretimit zbukurativ të kësaj autonomie, ka qenë këshilltari i jashtëm për dialog i krynegociatorit Besnik Bislimi – Veton Surroi.
Në një emision para disa javësh në Debat Plus, Surroi kërkoi që gjërat të quhen në emrin e tyre të vërtetë, që në këtë rast “kemi të bëjmë me autonomi”.
“Është më e ndershme të thuhet hajde të hapemi, se kemi të bëjmë me një paketë Ahtisaari Plus”, e nisi Surroin debatin me panelistët.
Këshilltari dhe publicisti Surroi, në draftin e publikuar të konfirmuar tashmë si autentik, tha se kemi të bëjmë me një “mbindërtim” të Planit të Ahtisaarit: “Si një lloj kati që shkon përtej Ahtisaarit”.
“Tash jemi te territorializimi i të drejtave. Territorializimi nënkupton administrimin e çështjeve që janë të interesit serb që është i përmbledhur në të gjitha këto komuna. Territorializimi për arsim, shëndetësi, kulturë, menaxhim ekonomik për planifikimin hapësinor urban rural, nëse ai vendoset brena këtyre 10 komunave, atëherë kemi të bëjmë me territorializimin e të drejtave. Dhe administrimin e të drejtave në këtë territor”, ka thënë Surroi.
E kjo, sipas Surroit, përkthehet në një denominim: “Autonomi”.
“Nëse Shtërpca do zhvillim ekonomik, pse duhet të bashkërendisë zhvillimin e vet me Komunën e Leposaviqit e jo me Prizrenit? Që është shumë më e natyrshme”, shtoi Surroi, teksa tha se “mbi këtë bazë është evidente territorializimi”.
“Nuk kemi të bëjmë me çështje identitare”.
“(...) Planifikimi urban-rural Çka të përbashkët Novo Bërda me Zveçanit? Çka duhet të planifikojnë bashkarisht ato dy komuna?”, ngriti pyetjen Veton Surroi.
Ndërsa sa i përket pjesës për Arbitrazhin, Surroi dha një koment bukur të ashpër.
Përfshirja e një Gjykate të Arbitrazhit në këtë draft-Statut dhe vendosja e një përfaqësuesi të BE-së për të arbitruar çështje brenda një shteti do ta “tëhuajësonte sistemin” shtetëror të Kosovës.
“Unë mendoj se vendosja e arbitrazhit me një përfaqësues të BE-së e tëhuajëson sistemin sepse nuk mund të integrosh përfaqësimin e BE-së në një çështje që konsiderohet se është mes një organizate ndonëse me entitet juridik dhe qeverisë së kosovës, dhe futjes së një arbitrazhi ndërkombëtar”, ka thënë Surroi.
Surroi dha edhe një vështrim tjetër të tij, se po qe se jetësohet ky draft-Statut – tashmë në formën e territorializimit të të drejtave – atëherë duhet rishikuar edhe struktura kushtetuese e Kosovës.
“Nëse kemi sistem të mbrojtjes së drejtave joterritoriale, dhe vjen një sistem i drejtave territoriale atëherë duhet të shohim cilat janë reduntate, jo domosdoshmërisht të nevojshme”, ka thënë ai.



