Bislimi vajton vonë sanksionet e BE-së, kërkon heqjen e tyre “sa më shpejtë”
S’i ka katër-pesë muaj që nga Zyra e Kryeministrit, Qeverisë dhe mbarë akterëve të pushtetit shkarkoheshin rrufe kritika ndaj bashkësisë perëndimore ndërkombëtare – askush s’e dëgjonte askënd anëkend globit që shprehej se Qeveria e Kosovës ishte gabim në kursin e saj të instalimit me një aparaturë të tërë forcash policore speciale të katër kryetarëve që s’i kishin as nga 100 vota, dhe që s’përfaqësonin as 3% të popullatës lokale atje.
Ishte një delir që s’e kishte parë askush asnjëherë në historinë e re të Kosovës – një somnabulizëm politik i plotë.
Si pasojë e këtij jermi politik; Kosova u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Gjermania. Dhe kjo për herë të parë në historinë e vendit.
Një deklaratë e BE-së më 3 qershor i binte kësaj borie, por aparati dëgjues i qeverisë kosovare të udhëhequr nga Albin Kurti kishte vendosur të deflektonte ato zëra.
Ishte vetëm një lajtmotiv i deklaruar nga Kurti: Sundim i pakompromis i ligjit. Duke e trajtuar kështu veriun vetëm si një zonë ku duhet zbatuar ligji mekanikisht; dhe duke i shpërfillur në plotni hisedarët ndërkombëtarë të sigurisë atje: NATO-n dhe BE-në.
Kjo pakompromisësi bëri Bashkimin Evropian të kthente ligjet e saj ndëshkuese: Kosova u vendos në masa ndëshkuese, qeverisë kosovare iu mbyll dera nga të gjitha takimet e niveleve të larta (përveç atyreve që kanë të bëjnë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë), puna e marrëveshjes së vetme të Kosovës me Bashkimit Evropian “Marrëveshja e Stabilizim Asocimit” u pezullua, si dhe një shumësi masash ekonomike dhe pezullim fondesh pasuan, etj.
Por, ngujimi i Lulzim Hetemi në një godinë komunale që s’i shërben bash hiç kërrkujt ishte, në sy të qeverisë kosovare, më i rëndësishëm se mirëmbajta dhe qëndrimi në terma të mirë me mbështetësit, garantuesit dhe sponzoruesit të shtetit të Kosovës; integrimi në strukturat e të cilëve ka qenë kaherë prioritet mbi prioritete i Kosovës.
Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, qe angazhuar në "një përpjekje" të zbehtë për të negocuar shtensionimin e situatës në veri me atë që thuhej të jetë “përgjysmim i pranisë së njësive speciale në/dhe/rreth komunave”; dhe, ndonëse ky përgjysmim ndodhi, sanksionet nuk u përgjysmuan: ato mbetën të plota.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehej besimtar se “janë masa të përkohshme” ndaj Kosovës dhe qeverisë së tij, që sipas tij, janë “shteti edhe Ekzekutivi më demokratik pro-evropian dhe progresist”.
Por, këto ishin këngë melodi e cila s’rezononte në vesh të kujt, siç as atij s’i rezononte asnjë thirrje nga bashkësia ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian, në mënyrë që të tërhiqeshin masat ndëshkuese ndaj Kosovës kërkonte hisen e qeverisë kosovare në shtensionimin e situatës në veri; gjë për të cilën këta të fundit s’ishin të interesuar.
Kërkesat e BE-së të artikuluara në qershor: (1)Tërheqja e njësive speciale nga-dhe-rreth ndërtesave komunale, (2)kryetarët legalë (ndonëse jo legjitimë) të kryenin detyrat e tyre nga ndërtesa alterrative, (3)shpallja e samëparshme e zgjedhjeve të reja me pjesëmarrje të plotë të serbëve të Kosovës në to.
Bislimi do t’ua flakte tutje krejt këtë kërkesë; duke thënë se “Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja”.
Por, sot muaj më vonë sanksionet mbesin: dhe s’duket gjëkundi në horizont heqja e tyre; njëjtë siç nuk duket askund në horizont përmbushja e kërkesave të tyre të 3 qershorit nga Qeveria e Kosovës.
E që janë; shpallja e zgjedhjeve të reja në veri. Gjë për të cilën kanë zgjedhur një udhëzim tejet kontraverz administrativ; e që më shumë në dukje paraqitet për vonim të zgjedhjeve të reja se sa përshpejtim të shpalljes së tyre.
Hiç më larg se sot, Besnik Bislimi kërkoi që “sa më shpejtë” Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës
“Masat negative të BE-së janë ende në fuqi dhe besojmë që prezenca e këtyre masave ka ndikuar në vlerësimin që është bërë në raport. Masat që janë ende në fuqi bien ndesh me përpjekjen e rajonit për integrim në BE. Është shumë e rëndësishme që BE-ja t’i heqë sa më shpejtë kyëto masa”, ka thënë Bislimi.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Thomas Szunyog në një konferencë shtypi të përbashkët me Bislimin ku po shpalonin Raportin e Progresit (me shumë regres, e me tepër pak progres) u pyet për çështjen e (mos)heqjes së sanksioneve të BE-së, ku u shpreh se Kosova ka punë për të bërë deri në zhbërjen e sanksioneve.