“Të fala Rexhës”: Kurti përçarës, i çoi selame Selimit por jo edhe Thaçit, Veselit e Krasniqit - NACIONALE

“Të fala Rexhës”: Kurti përçarës, i çoi selame Selimit por jo edhe Thaçit, Veselit e Krasniqit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

"Armiqësia" politike mes Albin Kurtit, aktualisht kryeministër i Kosovës, dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, ka qenë për vite të tëra shënjues konstant i marrëdhënies së këtyre dy figurave të rëndësishme politike. Madje, Kurti dikur tallej me raportët që kishte me Thaçin, duke thënë se janë të mira “pasi nuk ekzistojnë”.

Inati i Kurtit me Thaçin, që tash gjendet në paraburgim në Hagë, i arrestuar me urdhrin e Gjykatës Speicale, duket të mos ketë mbaruar ende. Ose thënë më mirë, inati i fshehur e shpesh i kontrolluar i Kurtit me Thaçin, u shfaq sërish dhe atë në një emision televiziv. Në fakt, në dy emisione televizive kurti u pa të ketë hatërmbetje jo vetëm me Thaçin, por edhe me Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, dikur kundërshtarë politikë.

Të falat e munguara…

Në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, që udhëhiqet nga gazetari Ermal Panduri, Kurti u tregua përçarës, duke zgjedhur që vetëm Rexhep Selimin, ish-deptutet i VV-së, t’i dërgojë të fala nga emisioni. Pra Kurti nuk i çoi selame (pra përshëndetje të përzemërta), Thaçit, Veselit e Krasniqit.

“Qeveria jonë ka vazhduar me ndarjen e buxhetit, gjithsej 16 milionë euro për këta të pandehur. E nuk e di nëse Rexha e sheh debatin e juaj atje, por i bëj shumë të fala.” – deklaroi Kurti në “Debat Plus”, ndonëse theksoi se beson në pafajsinë e të gjithëve.

“Mirëpo ne kemi qenë në shërbim të të pandehurve, në pafajsinë e të cilëve unë besoj. Lufta çlirimtare e UÇK-së e drejtë, luftë e pastër, luftë e cila ka qenë nacionalçlirimtare dhe anti-kolonialiste” – deklaroi ai.

Madje, Kurti e ndryshoi edhe qëndrimin rreth vizitës tek Thaçi në Hagë. 10 muaj më parë, Kurti deklaronte se nëse është e nevojshme do të vizitonte Thaçin dhe të tjerët në Hagë, por tash shefi i ekzekutivit ka tjetër mendim. Ai theksoi se s’do të vizitonte ish-krerët e UÇK-së në Hagë, për shkak se nuk e njeh Gjykatën Kushtetuese.

“Pra si mundemi ne të sigurohemi që lufta çlirimtare nuk dëmtohet, duke bërë koordinim sa më të mrië të avokatëve, sepse ju e dini që avokatët e mbrojnë klientin e tyre. Por kjo nuk do të duhej kurrsesi të jetë në dëm të tërësisë dhe ky koordinim është shumë i rëndësishëm. Dhe unë e kam edhe siklet se e kuptoni duhet të nënshkruaj pa numër letra aty që po e pranoj Gjykatën Speciale po të shkoj t’i vizitojë aty. Dhe unë se kam pranuar këtë Gjykatë, edhe me përvojën time jetësore s’e kam pranuar” – tha tani Kurti, në një përpjekje të sikletshme për të arsyetuar ndryshimin e qëndrimit të tij rreth vizitës në Hagë.

Ndërsa në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, që udhëhiqet nga gazetari Adriatik Kelmendi, Kurti e bëri një deklaratë të çuditshme në lidhje me marshimin për drejtësi e në solidaritet me ish-krerët e UÇK-së, që pritet të mbahët më 2 prill nga ora 14:00.

“Po e shoh organizatorin edhe kërkesat edhe po e vlerësoj. Me iu thanë të drejtën nuk e kam dëgjuar deri më sot këtë iniciative, por, si është dita ime këtu, ndonëse duket afër, 2 prilli i së dielës ka ca kohë.” - tha dje Kurti.

Kujtojmë që Kurti vite më parë e kishte shkruar një postim të titulluar “Shko Hashim”, ku i kërkonte Thaçit të dorëzohej në Speciale për t’u gjykuar.

“Sepse, si po e mendon këtë punë Hashim? Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e malltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti.” – shkruante Kurti.

Lajme të ngjashme