Mustafa, PDK, Pacolli, por jo Kurti: Kush po e përkrah marshin e 2 prillit për Thaçin e të tjerët?
Më 2 prill, pra të dielën, nga ora 14:00 në Prishtinë do të mbahet një marshim për drejtësisë, që është një nismë solidarizuese me ish-krerët e UÇK-së në Hagë, të cilët po akuzohen për krime lufte nga ana e Gjykatës Speciale. E organizuar nga “Liria ka emër”, marshimi ka marrë jehonë, duke u përkrahur nga PDK-ja, PSD-ja e disa figura të rëndësishme nacionale. Por jo edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili dje në intervistë deklaroi se nuk ka dëgjuar për këtë gjë më parë. Çka dihet deri tash?
Ajo që dihet mesiguri është se organizata “Liria ka emër” e di se për çka do të protestojë. Pra për të dërguar një mesazh se historia nuk mund te rishkruhet.
“Me 2 Prill nga ora 14:00 takohemi tek sheshi "Zahir Pajaziti" për të marshuar drejt sheshit "Skenderbe" së bashku për t'u solidarizuar me ata qe dikur marshuan e luftuan për lirinë tonë - ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë.” – thuhet në “eventin” e krijuar në Facebook për këtë nismë.
Mbështetja…
Siç ka shkruar gazeta Nacionale, kjo iniciativë po përkrahet nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila nëpërmjet kryetarit të saj, Memli Krasniqi, i ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë marshim.
“Prandaj, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpres dhe mbështes marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi solidarizues, për të shprehur hapur mbështetjen dhe bindjen e palëkundur mbi pastërtinë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare!” – shkroi ditë më parë Krasniqi në profilin e tij në Facebook, transmeton Nacionale.
Një përkrahje, ndoshta jo aq e befasishme, marshimit për drejtësi i erdhi edhe nga Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës, i cili përmes një postimi në Facebook deklaroi se është me mendje tek ata që do të marshojnë me 2 prill.
““Marshojmë për Drejtësi”, një manifestim që meriton përkrahje e solidarizim! Meriton respekt e përkrahje lufta e UÇK-së dhe meritojnë drejtësi luftëtarët e saj që dolën në ballë për të ndalur masakrat e shtetit serb dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kosova sot është e lirë falë luftës së UÇK-së, mençurisë politike të Ibrahim Rugovës dhe ndërhyrjes së NATO-s. Kemi qenë bashkë në kohërat më të vështira; jemi solidar sot me të gjithë ata që kontribuan për liri e pavarësi dhe me ata që ishin shembull i gatishmërisë për të zbardhur çdo dyshim në luftën e drejtë dhe të pastër, sepse besonin në Drejtësi! Me mendje jam me ju që do të marshoni për Drejtësi.” – shkroi ish-kryeministri Mustafa, transmeton Nacionale.
Edhe Behgjet Pacolli, deputet e dikur bashkëpunëtor i Thaçit në Qeverinë e Kosovës, shkroi një postim përkrahës për këtë marshim, duke përmendur edhe shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj Thaçit e të tjerëve nga ana e Gjykatës Speciale.
“Për këtë, të dielen, përkrahi fuqishëm marshin për drejtësi, sepse nuk mund të heshtim kur po na sulmohet historia, kur gjykohet lufta jonë për liri dhe pavarësi dhe kur ata që bënë gjenocidin në Kosovë sot ecin të lirë në Beograd dhe drejtojnë çdo instancë shtetërore në Serbi.
Për këtë, përkrahi marshin për drejtësi dhe le të jemi të gjithë në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare. Ne nuk guxojmë të lejojmë që kapitulli më i ndritur i historisë së Kosovës të rishkruhet me agjendën dhe lapsin e Beogradit.” – shkroi z. Pacolli.
Por përkrahje për këtë organizim nuk ka dhënë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës. Madje, në intervistën për “Rubikon”, mbrëmë Kurti theksoi se nuk ka dëgjuar më parë për këtë nismë, kur u pyet në lidhje me organizimin e marshimit për drejtësi e në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së. Ndonëse Kurti deklaroi se do të shoh organizatorët dhe kërkesat, pastaj do ta vlerësojë pjesëmarrjen e tij.
“Po e shoh organizatorin edhe kërkesat edhe po e vlerësoj. Me iu thanë të drejtën nuk e kam dëgjuar deri më sot këtë iniciative, por, si është dita ime këtu, ndonëse duket afër, 2 prilli i së dielës ka ca kohë.” - tha dje Kurti.
Marshimin e 2 prillit e ka mbështetur edhe PSD-ja e Dardan Molliqajt. Ndryshe, me 3 prill në Gjykatën Speciale, që ndodhet në Hagë, do të fillojë procesi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, në atë që njihet si gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së.


