Kurti e ndryshon mendimin për vizitën tek Thaçi në Hagë: E kam siklet se nuk e njoh Gjykatën Speciale - NACIONALE

Kurti e ndryshon mendimin për vizitën tek Thaçi në Hagë: E kam siklet se nuk e njoh Gjykatën Speciale

1 vit më parë

nga NACIONALE

10 muaj më herët, nga Amerika, ku po qëndronte, kryeministri Albin Kurti ishte shfaqur i gatshëm për të vizitojë Hashim Thaçin dhe të tjerët në Hagë, ku po qëndrojnë të paraburgosur nga ana e Gjykatës Speciale. Por, tash Kurti nuk e ka të njëjtin zell për vizitë. Madje shefi i ekzekutivit thotë se vizita e tij nuk e ndihmon procesin, duke theksuar se e ka për siklet të vizitojë ish-krerët e UÇK-së pasi i duhet të nënshkruajë “panumër letra” që nënkupton njohjen e Gjykatës Speciale. Qysh ndryshoi Kurti qëndrimin për pak muaj rreth vizitës tek ish-krerët e UÇK-së në Hagë?

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ishte deklaruar i gatshëm t’i shkojë në qeli Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, katër ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Speciale. Sigurisht, Kurti ishte gati t’i vizitojë, nëse një vizitë e tillë shihet si e nevojshme.

“Tash e ka marrë për barrë Ministria e Drejtësisë aspektin e vizitave, por nëse e konsiderojmë bashkërisht, mund të shkojmë, absolutisht, nuk ka kurrfarë problemi për këtë, sepse Tribunali i Hagës, EULEX-i, UNMIK-u, që të gjithë këta shkuan, e tash e kemi edhe një Gjykatë Speciale, e cila i ka që të gjithë shqiptar aty brenda. Kjo është brengë e imja, jo veç si aktivist politik i moçëm e qytetar republike, por para së gjithash si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës.” - deklaronte Kurti në ShBA.

Në Dallas të Amerikës, ku po takonte diasporën shqiptare në këtë pjesë të ShBA-së, Kurti fliste edhe për një mbikëqyrje më të shumtë ndaj Speciales.

“Së pari unë e kam pas një takim me të gjithë avokatët të cilët i mbrojnë luftëtarët e UÇK-së në Hagë. Sepse jam i interesuar të kuptoj më shumë se çka po ndodh, edhe të ketë një mbikëqyrje dhe llogaridhënie më të madhe të Gjykatës Speciale, e cila nuk e ka pasur për karakteristikë të theksuar transparencën. Dhe gjithashtu të marrë vesh se kur konsiderojnë këta avokatë që në procesin gjyqësor atje po dëmtohet shteti i Kosovës dhe historia e jonë”, theksonte Kurti.

Tash Kurti ka tjetër mendim rreth vizitës në Hagë, ku po qendrojnë si të paraburgosur në Thaçi dhe të tjerët në pritje të fillimit të gjykimit, që pritet të niset në prill. Në intervistën e mbrëmshme tek Ermal Panduri në “Debat Plust” të RTV Dukagjinit, Kurti tha se e ka të sikletshme një vizitë të tillë, pasi nuk e njeh Gjykatën Speciale.

“Pra si mundemi ne të sigurohemi që lufta çlirimtare nuk dëmtohet, duke bërë koordinim sa më të mrië të avokatëve, sepse ju e dini që avokatët e mbrojnë klientin e tyre. Por kjo nuk do të duhej kurrsesi të jetë në dëm të tërësisë dhe ky koordinim është shumë i rëndësishëm. Dhe unë e kam edhe siklet se e kuptoni duhet të nënshkruaj pa numër letra aty që po e pranoj Gjykatën Speciale po të shkoj t’i vizitojë aty. Dhe unë se kam pranuar këtë Gjykatë, edhe me përvojën time jetësore s’e kam pranuar” – tha tani Kurti, në një përpjekje të sikletshme për të arsyetuar ndryshimin e qëndrimit të tij rreth vizitës në Hagë.

Megjithatë, Kurti vlerësoi se beson në pafajësinë e të gjithë ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen për krime lufte nga ana e Gjykatës Speciale.

“Mirëpo ne kemi qenë në shërbim të të pandehurve, në pafajsinë e të cilëve unë besoj. Lufta çlirimtare e UÇK-së e drejtë, luftë e pastër, luftë e cila ka qenë nacionalçlirimtare dhe anti-kolonialiste” – deklaroi Kurti dje në RTV Dukagjini, duke shtuar se vizita e tij nuk ndihmon në këtë proces.

“Unë kam konsideruar se vizita ime atje nuk ndihmon. Më shumë ndikon takimi me avokatët sepse jam i interesuar që ata të ndajnë me mua se cka krejt planifikojnë ta bëjnë si mbrojtje, e pastaj të koordinohemi se kurrsesi të mos dëmtohet lufta e UÇK-së.” – shtoi Kurti.

Lajme të ngjashme