Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel, analistët s’presin gjëra të rëndësishme - NACIONALE

Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel, analistët s’presin gjëra të rëndësishme

1 vit më parë

nga Arta Avdiu

Krahas partive opozitare, edhe analistët politikë janë kritikë ndaj mënyrës së rrugëtimit të dialogut mes Kosovës e Serbisë në Bruksel. Sikurse PDK, LDK e AAK, edhe njohësit e rrethanave politike frikësohen për rikthimin e dialogut teknik për çështje të tilla si targat e dokumentet.

Ndërsa, ata kanë pak pritje për takimin e 18 gushtit, datë kur kryeministri Albin Kurti do të ulet përballë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.

Frika e analistëve

Opinionisti Halil Matoshi, i kontaktuar nga Nacionale, ka shumë kritika rreth mostransparencës së Kurtit rreth dialogut, duke përmendur edhe sulmet e pushtetit.

Tutje, Matoshi shtoi se kryeministri Kurti po e rikthen Kosovën në dialog teknik, duke i numëruar edhe rrezikun e negociatave për çështje teknike.

“Nëse Vuçiqi pranon zbatimin e këtyre Marrëveshjeve teknike, presioni ndërkombëtar bie mbi Kurtin që të zbatojë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit. Si dhe të bëhet hartimi i Statutit të Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe siç sanksionon pika II e konkluzioneve të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Matoshi për Nacionale.

Ndërsa, për takimin e 18 gushtit, Matoshi ka disa propozime për Kurtin.

“Më 18 gusht Kurti, së pari duhet t’ia dokumentojë Aleksandër Vuçiqit se njerëzit e shërbimeve të sigurisë kanë bërë inkursion brenda territorit të Kosovës, siç po pretendon Qeveria e Kosovës dhe siç po u thotë qytetarëve të vet, dhe së dyti, mendoj se duhet të merret vesh me presidentin serb që të tri Marrëveshjet e dakorduara (energjia, stickersat, letërnjoftimet) të zbatohen më 1 shtator. Ku eventualisht këtyre nëse i shtohet edhe Marrëveshja për të pagjeturit, kjo d.m.th. se dy vendet janë në rrugë të mirë drejt Marrëveshjes finale ligjërisht obligative, me njohjen në qendër, duke nisë në nëntor”, përfundoi Matoshi.

Një lloj pesimizmi në pritshmëri nga takimi i 18 gushtit vërehet në përgjigjen e profesorit universitar, Blerim Latifi, i cili thekson se palët janë larg arritjes së marrëveshjes.

“Nuk mendoj se duhet të presim diçka nga ky takim. Natyrisht urgjenca e thirrjes së tij lidhet me përpjekjen e Bashkimit Evropian që të shtensionojë situatën ne Veri të Kosovës pas zhvillimeve të fundit. Por palët janë tepër larg për të arritur shpejt ndonjë marrëveshje që do të shmangte përsëritjen e trazirave”, tha Latifi për Nacionalen.

Analisti Gazmir Raci, i tha gazetës Nacionale se ky takim kryesisht ka qëllim uljen e tensioneve ndërmjet palëve, sesa ndonjë rezultat konkret.

“Besoj që ky takim më shumë do të ketë qellim të uljes së tensioneve ndërmjet palëve, krijimin e një mirëbesimi dialogues dhe diskutime për sfidat e deritanishme, por edhe për vizionin e finales së këtij procesi e që do të duhej dhe besoj se arrihet brenda 18 muajve të ardhshëm me njohjen reciproke ashtu siç e kanë potencuar edhe zyrtarët amerikanë, por edhe Kancelari gjerman”, thotë Raci.

S’dihet çka do të diskutohet

E vetmja gjë që dihet tani për tani për takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes liderëve të Kosovës e Serbisë, është vetëm data e mbajtjes.

BE e ka konfirmuar datën e takimit, por nuk ka njoftuar se per çfarë do të diskutohet në takimin e 18 gushtit.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresë të Qeverisë së Kosovës për të pyetur rreth temave që do të diskutohen në takimin e 18 gushtit.

Por, si zakonisht, përgjigjja e ekzekutivit Kosovar ka munguar.

Takim i javës së ardhshme vjen pas tensioneve në veri të Kosovës, që u shkatuan si pasojë e zbatimit të masës së reciprocitetit për dokumente personale dhe targa të automjeteve.

Ndryshe, edhe partitë tjera opozitare, si LDK e AAK, janë treguar shumë të ashpra me Kurtin rreth temës së dialogut me Serbinë.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se shefi i ekzekutivit po bën dialog pa parime, duke shtuar se pritjet e tij nga takimi i 18 gushtit janë zero.

“Në seancën e fundit të Kuvendit e kam pyetë personalisht Kryeministrin Kurti se çka pret nga takimi i 18 gushtit dhe duhet ta informoj Kuvendin dhe opozitën për temat që do t’i ngrisë! Nuk jemi të informuar as atë ditë dhe as sot nuk e dimë se çfarë do të ngrisë në takim zoti Kurti! Ai do të merret gjatë gjithë kohës me probleme që ka krijuar vetë dhe ky do të jetë epilogu i dialogut me Serbinë, sa gjatë që ai do të udhëheqë Qeverinë”, tha Hoxhaj.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, i kërkoi Kurtit të mos diskutojë për çështje teknike në Bruksel.

“Ndalimi i dialogut teknik dhe përkushtimi i plotë në dialogun sipas diskutimeve me Sekretarin Blinken për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë”, janë elementet që duhet t’i përmbajë marrëveshja finale sipas Tahirit.

Lajme të ngjashme