“Takimi i mendjeve” - Pse Escobar e përdori këtë shprehje për takimin Kurti-Vuçiq në Ohër? - NACIONALE

“Takimi i mendjeve” - Pse Escobar e përdori këtë shprehje për takimin Kurti-Vuçiq në Ohër?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Njeriu i Amerikës në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Gabriel Escobar, ka marrë rrugë drejt Beogradit e Prishtinës edhe një herë për t’i takuar palët para se ato të takohen të shtunën në Ohër.

Nuk dihet se çka pat aq të rëndësishme që Escobar duhej t’ia thonte kryeminsitrit Albin Kurti në Prishtinë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në Beograd, që nuk mund t’ia thoshte të shtunën në Ohër, megjithatë ai zgjodhi një shprehje të padëgjuar më parë për të shpjeguar takimin më të rëndësishëm të dialogut Kosovë-Serbi.

E përmendi shprehjen “meeting of the minds” teksa përgjigjej në pyetjet e gazetarëve serb në Beograd mbi pritjet që SHBA ka nga takimi i së shtunës.

“Çfarë ndodh në rast se ne nuk kemi një takim mendjesh nëse nuk kemi një marrëveshje – dhe me marrëveshje dua të them, kuptimin e gjerë të rrugës përpara, nuk pres që domosdoshmërisht të kemi një një lloj nënshkrimi, por ne do të kemi një rrugë përpara”, tha Escobar, teksa tha se marrëveshja nuk ka asnjë të keqe as për Serbinë e as për Kosovën.

“Kjo marrëveshje nuk është diçka që duhet pasur frikë. Shpresa jonë është që kjo të mos ndryshojë rrënjësisht jetën e askujt, por përkundrazi të sigurojë një nivel stabiliteti dhe paqeje midis njerëzve të rajonit. Nuk është qëllimi ynë të krijojmë barriera të reja. Krejt e kundërta”, tha Escobari në Beograd.

Por çka nënkupton kjo shprehje dhe cili është kuptimi i saj në aspektin ligjor dhe si mund të përkthehet kjo në kontekstin e dialogut dhe takimit të së shtunës?

“Takimi i mendjeve” është një frazë në ligjin e kontratave që përdoret për të përshkruar qëllimet e palëve që janë duke bërë një marrrëveshje. Në veçanti, ajo i referohet situatës kur ka një mirëkuptum nga të dyja palët për të arritur marrëveshjen, kontratën apo cfarëdo dokumenti që nënshkruhet nga të dyja palët.

E tillë është edhe marrëveshja e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja për Kosovën dhe Serbinë, të cilat sipas këtij propozimi më shumë merren vesh për "normalizimin" sesa "njohjen e ndërsjellë" mes dy vendeve.

Në këtë plan Serbia do të njihte pasaportën e Kosovës që tash nuk e njeh dhe që është simbol i shtetësisë, ndërsa Kosova do të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Kosova e ka pranuar këtë plan. Serbia jo.

Escobar e tha edhe në Prishtinë edhe në Beograd se nuk pret ndonjë nënshkrim, por së paku pret që të dy palët t’i kuptojnë dhe pranojnë termat, detyrimet dhe të drejtat që vijnë me hyrjen në marrëveshje.

Pranimi i ndërsjellë zakonisht konsumohet me nënshkrime të marrëveshjes nga të dy palët, e nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, nuk po shihet gjëkundi. Vuçiqi refuzon kategorikisht.

Takimi në Ohër

Nesër pritet të ketë një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në qytetin e Ohrit.

Dje, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell në prag të takimit të së shtunës, u bëri thirrje palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të pajtohen edhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, ashtu siç u pajtuan për propozimin evropian.

“Këtë të shtunë, do të thërras një takim të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo kohë është ndryshe nga takimet e mëparshme. Jo vetëm sepse do të takoj Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në rajon, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në vend që të takohem në sallat e njohura të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel. Por edhe sepse diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE.” – ka thënë ai.

Mes tjerash, kryediplomati ka përmendur edhe tensionet në veri të vendit gjatë fundit të vitit 2022, duke alarmuar se u shmang një "konflikt i plotë" mes dy vendeve.

“Por në vend që të avancojmë në tablonë e përgjithshme të normalizimit të marrëdhënieve për ta bërë Evropën më të sigurt dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit, koha dhe energjia jonë u mor nga menaxhimi i krizës, barrikadat dhe kërcënimet e dhunës me një afat pas tjetrit. në gjysmën e dytë të 2022. Nuk ishte e lehtë të qetësohej situata dhe të shmangej një konflikt i plotë, por ia dolëm.” – tha ai në një shkrim të publikuar në faqen zyrtare të BE-së.

Lajme të ngjashme