Suedia ka ndaluar ekstradimin e gazetarëve në Turqi, Ankara: Është një veprim negativ
Vendimi i Gjykatës së Lartë Suedeze për të bllokuar ekstradimin e gazetarit turk Bulent Kenes është një zhvillim "shumë negativ", tha sot ministri i Jashtëm i Turqisë, ndërsa Stokholmi kërkon miratimin e Ankarasë për anëtarësimin në NATO. Këtë e tha Mevlut Çavusoglu në një konferencë për shtyp në Ankara. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e veçoi Kenes në nëntor si një person që Turqia dëshiron të ekstradohet nga Suedia si kusht që Ankaraja të mbështesë bashkimin e Stokholmit në NATO.
Ankaraja pretendon se Kenes është anëtar i organizatës së akuzuar për tentativën për grusht shteti të vitit 2016. Ministria e Punëve të Jashtme suedeze njoftoi se është e detyruar të veprojë në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
"Qeveria suedeze duhet të ndjekë ligjin"
"Ne nuk mund të spekulojmë se si kjo do të ndikojë potencialisht në pranimin në NATO. Qeveria suedeze duhet të ndjekë ligjin suedez dhe atë ndërkombëtar kur bëhet fjalë për ekstradimet, gjë që është gjithashtu e përcaktuar qartë në marrëveshjen trepalëshe", tha ministria.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO në maj pas pushtimit rus të Ukrainës dhe aplikimet e tyre duhet të miratohen nga të gjithë anëtarët e NATO-s, përfshirë Turqinë. Suedia dhe Finlanda ranë dakord në qershor të ndërmarrin një sërë hapash për të adresuar kundërshtimet e Turqisë dhe u nënshkrua një marrëveshje trepalëshe.
Një nga kërkesat e Turqisë ishte që Suedia dhe Finlanda të ekstradonin të dyshuarit e kërkuar nga Ankaraja për akuza të lidhura me terrorizmin, megjithëse të dy vendet nordike thanë se nuk kishin rënë dakord për ekstradime specifike dhe se të gjitha kërkesat do të trajtoheshin në përputhje me ligjin vendas dhe ndërkombëtar. /Nacionale/